Silvio Berlusconi nuk është vetëm një politikan që me Shqipërinë ishte i lidhur për shkak të detyrës së tij si kryeministër. Edhe pas largimit nga postet zyrtare, kontributi i tij për marrëdhëniet mes dy vendeve vijoi në të njëjtën mënyrë.
Në vitin 2013 së bashku me përkthyesen Keda Kaceli ai bëri të mundur botimin në italisht të librit të At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”.
Libri i titulluar “Gjaku i Abelit” në gjuhën italiane u publikua jo vetëm me kujdesin e tij, por edhe me një parathënie të veçantë.
Në parathënien e librit, Berlusconi shprehet se ky botim duhet të lexohet në shkollat italiane.
“Ky vëllim, thyen vite heshtje dhe vdekje mbi gulagun shqiptar dhe tregon guximin e atyre që e duan lirinë dhe luftojnë në emër të saj. Ky libër duhet të shpërndahet jo vetëm në të gjitha bibliotekat dhe të shndërrohet në një dokumentar televiziv, por të lexohet në shkollat italiane, për t’i bërë të rinjtë të kuptojnë disa të vërteta të hidhura të historisë së fundit”.
Berlusconi shprehet në mesazhin e tij se rrëfimi i At Zef Pllumit na tregon se komunizmi deformoi shoqëritë, por jo besimin dhe dinjitetin njerëzor.
Parathënia e Berlusconit, për lirbin “Rrno për me tregue”:
Ky libër i françeskanit shqiptar At Zef Pllumi është zbulesa e një bote të panjohur, por që na përket nga afër. Është e përlyer me gjak dhe lot, ku shihet si urrejtja është në gjendje për më të keqen, përtej çdo imagjinate. Por, në fund është e pafuqishme; nuk arrin ta ndalojë dashurinë e jetuar deri në heroizëm. Nuk arrin të shuajë dëshirën për liri që ndjehet në faqet e këtij libri.
Sa varre duhet akoma të gërmojmë në kujtesën e popujve, për të gjetur të gjitha viktimat e komunizmit? Ky vëllim shumë domethënës që në titull; “Rrno vetëm për me tregue”, me thjeshtësinë e tij u jep zë të vdekurve, në vazhdën e të madhit Aleksandr Solzhenicyn. At Zef Pllumi thyen vitet e heshtjes dhe të vdekjes në kampet e internimit shqiptar me kurajën e atyre që e duan lirinë dhe luftojnë në emër të saj.
Ai hap zemrën tonë, zbrazëtinë tashmë të njohur, e rimbush me mallëngjim dhe indinjatë po pastaj – si të gjitha gjërat e vërteta – na prin drejt ndërtimit të diçkaje, udhëheq për të ngritur mirësinë dhe të drejtën. E vërteta është se dashuria është shumë më e fortë se urrejtja. Ky libër jo vetëm që duhet të jetë në të gjitha bibliotekat dhe të bëhet film, por duhet madje të rekomandohet për t’u lexuar në të gjitha shkollat italiane, në mënyrë që të rinjtë të arrijnë të kuptojnë disa të vërteta historike: çfarë është komunizmi që shihet në këtë vepër, si e merr pushtetin dhe si e administron në mënyrë të tmerrshme; çfarë vuajtjesh ka hequr populli shqiptar, në çfarë humnere gënjeshtrash dhe dhune ka qenë i zhytur; por edhe sa të fortë kanë qenë gratë dhe burrat që nuk e kanë ulur kurrë kokën, pavarësisht nga torturat që duruan mbi kurriz.
Është e mundur të rezistohet.
Komunistët besuan se në pak vite i shkatërruan të gjitha besimet. Shqipëria e lidhur ngushtë me marksizëmleninizmin, mbylli të gjitha kishat, duke u kthyer në një shtet ateist që dënonte me vdekje çdokënd që guxonte të pagëzonte fëmijët dhe t’u mësonte lutjet. Asnjëherë në historinë e Kishës nuk ishte parë diçka e ngjashme. Më vonë, por shumë më vonë, e njëjta gjë ndodhi në Kamboxhian e Pol Pot-it. E njëjta skemë, e njëjta dhunë çnjerëzore.
Të ballafaquar me këtë turp, komunistët italianë kanë parë për shumë vite me simpati shokët ‘skiptarë’; qe një aleancë e trishtë pikërisht në muajt dhe vitet, në të cilat vrasësit në shërbim të tiranit Enver Hoxha i tërhiqnin nëntë gramë plumb kokës gjithkujt që ishte i dyshuar. Ose, siç rrëfehet në libër, gratë i fusnin në një thes me mace të uritura, dhe pasi i mbyllnin grykën pësonin vdekje të tmerrshme mes të qeshurave të torturuesve komunistë.
Disa mijëra shqiptarë ama, fshehurazi të admiruar nga shumëkush që heshturazi gjente veten tek ata, kanë guxuar t’i thonë “jo” despotizmit. Qëndresa e tyre me koston e torturave dhe vdekjes, është prova që nevoja për liri është e pandalshme.
Kur despoti mendon se është tashmë pa kundërshtarë dhe duhet edhe një milimetër që të mbyllet kapaku me ulërimën metalike mbi çdo shpresë, ja që në mënyrë të mistershme forcat shpirtërore shkatërrojnë me dëshmitë e tyre perandorinë e errësirës.
Nuk mund të rri pa përmendur këtu redaktoren dhe përkthyesen e librit, të dashurën Keda Kaceli, krenisht shqiptare, aq sa italiane.
Ajo i njeh nga përvoja e saj krimet e përshkruara këtu në libër, por dhe kurajën që përçon çdo rresht i tij.
Në fakt gjyshi i saj, Jonuz Kaceli, që nuk pranoi t’i dorëzohej padrejtësisë, u arrestua, u torturua dhe u pushkatua nga komunistët, vetëm sepse ishte intelektual dhe sipërmarrës liberal.
Keda e rrok dëshminë në emër të brezit të ri, që jam i bindur, se do ta bëjë Shqipërinë gjithnjë e më të lirë, më të fortë, të drejtë e paqësore, një komb vëlla, më në fund i mirëpritur në demokraci dhe liri./gazetatema.net
ObserverKult
Lexo edhe:
AT ZEF PLLUMI: ITALIANËT E KANË GABIM, DANTJA KA SHKRUAR PËR SHQIPTARËT!
Dantja ka shkru për ne shqiptarët. Italianët mendojnë se është shkru për vedin, por ne shqiptarët e dimë ma mirë se është shkru për ne. Dante është profet. Kjo sepse shkrimtartë e mëdhenj, poetët e mëdhenj janë profetët që do t’i prijnë një populli me dije me urti e me të tëra.
Unë jam njeri nga ata, i cili kam pasë rrezikun me kalu në Ferrin e Dantes. Jo pak por për 25 vjet. Dhe aty të gjithë sa ishim thoshim vargjet e Alighierit. E jo vetëm ne që kishim një grimë shkollë, por edhe ata që s’kishin shkollë. Unë kam pasur atje dhe profesor Pashko Gjeçin se ai në atë kohë ishte më i madh se unë. E kishte kryer Universitetin. Pashko Gjeçi është përkthyesi i Dantes në shqip, por në atë kohë janë kaq shumë përkthyesa.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
Observerkult