Simbolika e një murimi

leon lekaj

(Refleksion mbi romanin “Murana”, të autorit Leon Lekaj)

Nga Gëzim Murajza


Është e pamundur që kur lexon një krijim të Leon Lekës, të mjaftohesh me një lexim të thjeshtë dhe argëtues. Ajo çka pena e tij përcjell, është diçka që të grish në një reflektim të thellë mbi fatin e njeriut, por edhe rreth suazës jetësore në të cilën njeriu ndjehet herë dominues e herë veçse një topth që xhonglohet në duart e saj.
Një ndjesie të tillë nuk i shpëtova as kësaj radhe tek lexoja faqet e romanit më të fundit të Leon Lekës, “Murana”.

Sipari i romanit hapet me një vrasje, çka të bën të mendosh se sapo hyre në portat e një romani policor, i atyre librave që njihen ndryshe edhe si “Librat e verdhë”, por në fakt jo. Ky është vetëm një perceptim fillestar dhe shpejt e kupton se je larg atij perceptimi. Romani është shumë më tepër se kaq. Ngjarjet dhe personazhet që në krye të herës të shpien në një botë sa reale aq edhe surreale.

Ajo çka mendoj se nuk gaboj (edhe pse në jo pak raste një emërtim i tillë duket jo plotësisht i saktë), është të them se për nga situatat misterioze, “Murana” është një thriller politik, që pasqyron një kohë jo edhe aq të largët nga realiteti i sotëm shqiptar, i cili edhe pse nuk përmendet në mënyrë eksplicite në roman, i shpalos lexuesit palimpsestin monstruoz të një epoke të errët e çnjerëzore, në të cilën njeriu e ka të pamundur të mos zvetënohet, apo të qëndrojë i paepur përballë makinerisë makabre shtetërore.

Është një realitet të cilin autori jo vetëm e njeh mirë, por edhe e ka vuajtur në vetë të parë (mjafton të përmendim arrestimin dhe burgosjen e të atit të autorit, artistin Zef Lekaj ), pra është ky realitet në të cilin autori ngjyen penën për të endur pëlhurën narrative të këtij romani, jo vetëm befasues por edhe ngërthyes në të njëjtën kohë.
Ajo çka e bën edhe më të veçantë këtë roman është mënyra të cilën ka përzgjedhur autori për të na e paraqitura subjektin e romanit. Ai ka përzgjedhur simbolikën për të dhënë jo vetëm vendin ku zhvillohen ngjarjet (Murana), por edhe emrat e personazheve.

Simbolika e emrave nuk është vetëm domethënëse, por edhe busull orientuese që e drejton lexuesin drejt një realiteti që sot mund të ngjajë i tejkaluar, por në fakt ka akoma skuta apo detaje të panjohura dhe që përmes ngjarjeve që shtjellohen në roman, hidhet dritë mbi to dhe dalin para lexuesit në makabritetin e tyre të plotë. E ç’mund të jetë tjetër personazhi me emrin Vigjilent Dhelpra përveçse një shef i sigurimit famëkeq të diktaturës, një burrë intrigant dhe i paskrupullt, apo Proletar Plumbi udhëheqës dhe vrasës njëkohësisht, që ka si metodë kërcënimi rrotullimin nëpër gishtërinj të tre fishekëve prej bronzi dhe që ruhet nga roje “me vështrim nepërkash” me emra po aq  domethënës Sulo Gjëma e Kadri Korbi. Nisur nga këto simbolika të duket sikur je brenda një fabule surreale, por ajme kjo nuk është fabul, por janë situata ku realja me fantastiken gërshetohen ndërsjelltas, kjo falë një stili të zhdërvjellët e brilant të autorit.

 Siç thashë më sipër romani hapet me një vrasje, ku personazhi kryesor Rudolf Shkira për ironi të fatit ndodhet fare pranë viktimës (Sulejman Bajraktari), i cili pak para se të lëshonte frymën e fundit, i fut në dorë atij një kuti të vockël. E fshehta e këtij amaneti misterioz do ta shoqërojë Rudolfin deri në fundin e librit, kur ai arrin jo pa vështirësi të përmbushë atë premtim që i jep viktimës.

 Autori e ka ndërtuar strukturën e romanit në tre pjesë, duke u bazuar  në efektin “kohë” dhe “sistem”. Në pjesën e parë është koha kur në qiellin e Muranës është shfaqur një Balonë e kuqe dhe autoritetet mendojnë të ndërtojnë një kullë, për ta mbërritur atë. Shfaqja e balonës e ka ndarë popullin në dy palë, në balonistë dhe antibalonistë.

Sistemi është ai i diktatit të Proletar Plumbit dhe Vigjilent Dhelprës e kushdo që nuk bindet, burgoset ose pushkatohet .

Autori e përdor këtë ndarje për të dhënë sa më qartë idenë se ndjekja e një ideali absurd si Balona e kuqe të shpie në askund në rastin  më të mirë apo më keq akoma në mjerim e zvetënim.

Në pjesën e dytë të romanit Rudolf Shkira e ka lënë Muranën pas peripecive të mëdha e të rrezikshme e jeton diku në një vend të huaj dhe nën një sistem tjetër jetese, e ku rreket të lidhë copëzat e mozaikut të jetës së tij.

Ndërsa pjesa e tretë që është edhe ndarja e fundit e romanit, paraqet rikthimin e Rudolfit në Muranë, për të përmbushur jo vetëm amanetin e viktimës Sulejman, por edhe për të hedhur dritë mbi çfarë ka lënë dikur në Muranë dhe që pas vitesh të tëra të kaluara ai nuk ka dijeni.

Një tjetër e veçantë narrative e autorit L. Lekaj në roman, përveç simbolikës së emrave është edhe gdhendja  e karakterit të personazheve, të cilët në disa raste gjatë kapërcimit të epokave ndryshojnë edhe sjellje. Mund të përmendim Zabit Xheblatin i cili zë një vend të rëndësishëm në roman dhe nga një xhelat i sistemit që në fillim lexuesit i ngjall neveri me mënyrat sesi torturon të burgosurit (kujtojmë at Nikoll Palin në veçanti), me kalimin e kohës transformohet në një person tjetër (ndikimi i at Nikollës te ky njeri është çudibërës. At Nikolla i mëson shkrim e këndim dhe i fal mëkatet para se të pushkatohet). Zabiti jo vetëm ndihmon Rudolfin që të arratiset, por bëhet edhe bashkëshoqërues i tij kur ai kthehet në Muranë të rivendosë në vend aq sa është e mundur të kaluarën e tij. Tek një personazh si Zabiti ndodh “një përmbysje e thellë”,po të shprehemi me fjalët e autorit.

 Narrativa e romanit “Murana”, në disa raste merr tiparet e një legjende, nisur nga një detaj i subjektit ku ngritja e kullës dhe ideja për t’i blatuar një flijim kësaj kulle që të mos rrëzohet vazhdimisht, na sjell në reminishencë ndërtimin e kalasë së Rozafës apo ndërtimin e urës në shtetin fqinj, apo zhvillimi mistik që ndodh me fluturimet prej ëngjujsh të Irenës së ngratë apo Marjetës. Gjetja brilante për t’i veshur romanit aty-këtu petkun e një legjende moderne janë vetëm disa prej mjeteve ndihmëse që autori i përdorë me finesë për ta shetitur fantazinë e lexuesit nëpër hapësira fantastike ku suspansa dhe trilli krijues të magjepsin.

 Situatat intensive që ndjekin njëra-tjetrën, stili i zhdërvjellët dhe në asnjë rast i rëndomtë, leksiku i pasur dhe me fjalë të peshuara mirë e bëjnë këtë roman të lexohet  me ëndje dhe në mënyrë të menjëhershme.

*Gëzim Murajza u lind në Shkodër ku dhe kreu studimet për Gjuhë Shqipe-Letërsi, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Është autor i disa librave, përkatësisht; “Fishkëllima bordurash “(Poezi) “Rruga për kah dalja ” (Poezi) “Psherëtima” (Tregime) “Ndërsa gjithçka rrjedh” (Roman).

ObserverKult