Bukuria dhe hijeshia e saj lavdëruar nga piktorët, poetët dhe princërit e epokës, kryeveprat që ajo frymëzoi, por edhe vdekja e parakohshme në moshën 23-vjeçare, e shndërruan në një muzë të pavdekshme.
Simoneta ishte vajza e një fisniku gjenovez, Gaspard Cattaneo della Volta, i afërm i shefit të Gjenovës, Leonardo Cattaneo. Lindur në 1453, ishte vetëm 15-vjeç kur takoi bashkëshortin, fiorentinasin Marko Vespuçi, i cili kishte ardhur të studionte në zyrën e Saint-Georges, një nga bankat e para në Evropë. Vespuçit kishin lidhje me Mediçit, pra ishte një martesë kryesisht politike. Kur u shfaq në Firence, bukuroshja i mahniti të gjithë.
Muza fiorentinase
Dasma u zhvillua në pallatin Mediçi-Riccardi dhe në vilën “Medicea di Careggi”. E ashtuquajtura “la bella Simonetta” fitoi zemrat e fiorentinasve, sidomos të Julien de Mediçi, i njohur si i dashuri i saj platonik. Në prill 1476, kur vdiq Simoneta, kortezhin e saj e shoqëruan mijëra njerëz në kishën famullitare të Vespuçi “Ognissanti”, ku e priste varri.
Kositur nga tuberkulozi në lule të rinisë, Simoneta nuk do ta kishte njohur famën, nëse nuk do të kishte frymëzuar disa nga mendjet e mëdha të asaj epoke, nga poetët Laurent de Mediçi, Luigi dhe Bernardo Pulci, Ange Politien, madje ky i fundit e shndërroi në heroinën e një prej veprave më të rëndësishme të fundshekullit XV: “Dhoma për mashtrimin e të madhërishmit Giuliano di Pietro de Mediçi”, ku autori përshkruan vetëm fillimin, kushtuar dashurisë së zjarrtë të “gjahtarit” Julio për “nimfën” Simoneta. Personazhet e vërteta shndërrohen në figura ideale dhe ngjarjet në një fabul të denjë për histori mitologjike, në të cilat veprimet duhet të interpretohen në planin moral dhe simbolik.
Bukuri nga përtej botës
Duket se fati i bukuroshes, përtej jetës së shkurtër, ishte të mbijetonte në formën e sublimuar që i dhanë piktorët dhe poetët, në atë të një bukurie nga përtej botës, ideale, e shpenguar nga pasiguritë tokësore dhe, si një yll, u ngjit në qiellin e ideve, për përjetësi. Në të vërtetë, gjithë imazhet që kemi prej saj janë pas vdekjes dhe të shënuara me vulën e idealit neoplatonik shkëputur nga mendjendriturit e rrethit të Laurentit të Madhërishëm, Ange Politien, Marsile Ficino, Pic de la Mirandole, por edhe nga piktorë si Botiçeli apo Piero di Cosimo, ideal ku bukuria e qenieve dhe gjërave është pasqyrim i shkëlqimit hyjnor, dashuria për bukurinë që çon në dashurinë hyjnore, transmeton ‘konica.al’.
Te këta artistë, por edhe te Mikelanxhelo, i cili do të frekuentojë të njëjtat rrethe, shpirtërohet bukuria e trupit të njeriut, ndërsa trashëgimia antike që lartësoi bukurinë fizike, kaq domethënëse asokohe, moralizohet dhe kristianizohet.
Botiçeli la disa portrete të Simonetës, si ato të Frankfurtit dhe Berlinit, por edhe figura mitologjike që kishin tiparet e saj. “Venusi” i famshëm lartësuar në guaskën e lindjes, që mbulon lakuriqësinë me flokët e gjatë të lëshuar, është pikërisht ajo. Sipas historianit të artit Aby Warburg, kjo “Lindje e Venusit” është frymëzuar nga përshkrimi i Politien, në “Dhomat”, statuja që zbukurojnë hyrjen e pallatit të perëndeshës. Pra, duket se heroina ka qenë e përfshirë ngushtë në debatet filozofike të “akademisë” mediçiane. Po ajo është te “Marsi dhe Venusi”, ku sodit të dashurin lakuriq e të përgjumur. Mbi të gjitha, ajo është “Flora”, që duket sikur rrëshqet në majë të gishtave në qilimin e luleve të lulëzuara te “Pranvera”. Përtej këtyre shembujve të shkëlqyer, tiparet fine të bukuroshes së re gjenden në shumë piktura të tjera të mjeshtrit, çka nënkupton një lidhje të fortë midis tyre. Legjenda thotë se ai e dashuronte, madje e la amanet që kur të vdiste të varrosej në këmbët e saj në Firence. Dëshira iu plotësua 34-vjet më vonë, më 1510. Dhe vërtet, Sandro Botiçeli është varrosur në të njëjtën kishë.
Homazhi i jashtëzakonshëm
Gjithsesi, një tjetër artist duhej të përjetësonte Simoneta Vespuçin në një tablo me bukuri sa enigmatike, aq edhe verbuese. Gruaja me gjoks jashtë pikturuar nga Piero di Cosimo, në të vërtetë është Simoneta, siç dëshmon mbishkrimi i gdhendur në gur, si gur varri, megjithëse këtu jemi larg një “portreti”. Lakuriqësia e bukuroshes ngjason me atë të heroinave dhe hyjnive të antikitetit, krehja ekstravagante zbukuruar me gurë të çmuar të jep përshtypjen si e destinuar për dasma të mbinatyrshme, kurse gjarpri, peizazhi, sikur shpërthejnë në kuptime të koduara. Gjelbërimi në njërën anë dhe tharja në anën tjetër simbolizon ciklin e stinëve. Reja e zezë që mbështjell profilin, është një shenjë e habitshme funerali. Po ashtu, zvarraniku, që për shumë kohë besonim se ishte reptili i Kleopatrës, në të vërtetë është ouroboros: një simbol neoplatonist i vdekjes, gjarpri që kafshon bishtin e tij është imazhi i kthimit të natyrës së përjetshme, por edhe i vdekjes së nevojshme për ringjalljen, që duhet të përshkohet për të arritur bukurinë ideale dhe të përjetshme. Në këtë mënyrë, poetët dhe piktorët i kanë kushtuar Simoneta Vespuçit nderimin më magjepsës, i ngritën varrin më madhështor, varrin e bërë me kryevepra të pavdekshme.