Në Pallatin Pretorian në Kopër nga ana e Shoqatës Kulturore Shqiptare »Iliria«, u organizua simpoziumi shkencor kushtuar shkrimeve të hershme shqipe dhe toponimeve në Istra, bën të ditur ambasada e Shqipërisë në Slloveni.
Të pranishmit e shumtë, shqiptarë, nga Sllovenia, Italia dhe Kroacia, sllovenë dhe italianë, ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, përfaqësues të Ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të Ministrisë të Diasporës dhe të Investimeve Strategjike të Kosovës, profesorë nga Tirana dhe Prishtina, etj., ndoqën me vëmendje prezantimin e dëshmive tashmë të pakundërshtueshme të dokumenteve të vjetër të shkrimit shqip, të toponimeve dhe në veçanti të shkrimeve të vitit 1829 të albanologut slloven Jernej Kopitar lidhur me gjuhën shqipe.
Simpoziumi i organizuar në kuadrin e Ditëve të Kulturës Shqiptare, ishte i pesti gjatë viteve të fundit. Ndërkohë, u prezantua edhe publikimi i numrit të shtatë të Revistës “Iliria”.
Veprimtaria shkencore ishte e suksesshme falë përkushtimit të kryetarit të Shoqatës “Iliria”, Heset Ahmeti dhe bashkëpunëtorëve të tij, angazhimit dhe punës së vazhdueshme kërkimore të studjuesit Peter Štoka, por edhe kontributit të panelistëve, albanologut Paolo Muner, publicistit e shkrimtarit Ndue Lazri, studiuesit Gëzim Muçolli, zëvendës ambasadorit të Gjermanisë në Slloveni Dr. Bernhard Hauer dhe ambasadorit të Shqipërisë Pëllumb Qazimi.
Punimet e simpoziumit u zhvilluan në disa gjuhë, shqip, sllovenisht, italisht dhe anglisht/ATSH.