Sinjali nga Beogradi që nxiti regjimin e Enver Hoxhës të niste masakrën ndaj kundërshtarëve

Edhe pse i gjithë vitit 1945 ishte i mbushur me krime, spastrime, gjakderdhje sekuestrime pasurish, burgosje, etj, me autorë komunistët shqiptarë që kërkonin të siguronin pushtetin, në fillim të vitit 1946, për regjimin kishte ende rreziqe nga kundërshtarët  e tyre politik. 

Nga Beogradi në janar të 1946 kishte mbërritur një telegram ku Koçi Xoxe njoftohej se në veri kundështarët e politik të komunistëve po përgatiteshin për të nisur në pranverën e 1946 një kryengritje të madhe. Duket se sinjali i ardhur nga Beogradi i kishte vënë në gatishmëri  krerët komunist, të cilët  në ditët e para të shkurtit shpallin nisjen e një  operacioni mbarë kombëtarë për eleminimin e kundërshtarëve të komunizmit. Kujto .al do të sjellë dy dokumente autentike që ruhen në Arkivin e Shtetit, që dëshmojnë fillimin e këtij operacioni spastrimi që u shtri në çdo cep të Shqipërisë dhe u intensifikua më vonë në veri deri në përballjet e armatosura, ku u shënuan qindra viktima e shumë të tjerë të burgosur  pasuar me  kalvarin të mëvonshëm të internimeve e persekutimeve. Dokumenti i parë është një telegram i Koci Xoxes ku njofton nisjen e këtij operacioni. Telegrami i është nisur Peço Kagjinit, i cili instruktohet se do duhej zhvilluar operacioni dhe i kërkohej të dërgonte informata për veprimet që do të ndërmerrnin. Ja telegrami i Koçi Xoxes:

Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare

Nr. Extra, më 6 Fror 1946

PERSONALE – KONSPIRATIVE

Shokut PEÇO KAGJINI

T i r a n ë

Më 10 Shkurt 1946, fillon operasjon në gjithë Shqipërinë. Organizata e Partisë, të gjithë antarët e Partisë dhe miqtë t’onë duhet të mobilizohen për të ndihmuarë në këtë veprim me kaq rëndësi. Qëllimin e këtij veprimi e dini, prandaj të mos neglizhoni punën. Na mbani në korrent të zhvillimit. Ky është një veprim i zakonëshëm; por në një shkallë të gjërë. Të mos bëhet bujë, në shtypin lokal do të vihen vetëm rezultatet: sa u dorëzuan, sa u vranë ose u kapën, etj. Juve duhet të jini në lidhje direkt me Seksjonin e Mbrojtjes së Popullit, Komitetet e partisë në N/Prefek. me të besuarit e Mbrojtjes aty dhe në rast se nuk ka Mbrojtja njerëz të sajë, me përgjegjësat e reparteve që operojnë andej.

Për KOMITETIN QËNDROR TË P.P.SH.

SEKRETARI ORGANIZATIV (KOÇI XOXE)

Pas këtij telegrami, ndërkohë që operacioni kishte nisur em 10 shkurt, 9 ditë pas nisjes së operacionit Peço Kagjini I kthen përgjigjen Koçi Xoxes duke e informuar për rezultatet e para.

Rezervat, Tiranë, më 19/II/46

KOMITETIT QENDROR

Në lidhje me shkresën t’uaj Nr. extra dt. 6 Fror 1946 konspirative-personale.

Për të ndihmuar në operacjonin që bëhet kundër t’aratisurve nga forcat e mbrojtjes i janë dhënë udhëzimet e duhura organizatës.Në qytet të gjitha informatat që na vinë në lidhje me elemente reaksionarë i a japim Seksionit të M.P. Gjer tashti na kanë ardhë mjaftë.

Mga N/Prefektura e Valijasit kemi këto informata në lidhje me operacjonin: Është dorëzuar krimineli Hajdar Muja në Krujë i cili ka vrarë Hasan Adem Hoxhën nga Herraj.

Është dorëzuar në Tiranë tek Myslim Peza Rap Vraja nga Tapiza i cili bashkë me kushërin e tij Sinan Vraja vran në Valijas për gjak Qazim Dokun. Ky është dorëzuar tek Myslim Peza me anën e Xhafer Bajramit kryetar i këshillit Valijas.

Ali  Hoxha nga Qinani bashkë me Topallin dhe Ram Dokun nga N/Prefektura e Krujës para katër ditësh kanë qënë në Qinan dhe kanë ngrënë bukë tek Afmat Xhaja.

Para disa ditësh ka qënë në shtëpi të Lik Toptanit në Yrshek Bubareq Toptani bashkë me një të pa njohur. Shërbëtori i Lik Topanit Dalip Matja i ka shoqëruar natën gjer në Qiraxhijas (Çërkezë) në shtëpin e Lik Bojës. Bubareq Toptani ka qënë i veshur oficer gjerman në kohën e okupacionit dhe dihej sikur ka qënë i larguar bashkë me gjermanët. Bubareqi ka vëllezërit e tij bejler në katundin Kamëz./kujto.al

Peço Kagjini (firma)

LEXO EDHE: Pas pushkatimit Selim Zymës, ja vuajtjet dhe peripecitë që i kaluan gruaja dhe bija e tij…