Nëse deri në mars “Siparantum” nuk ia del t’i sigurojë 23 mijë euro, do të detyrohet ta anulojë pjesëmarrjen në edicionin e 11-të të “World Choir Games” në Belgjikë.
Kori nga Peja është përfaqësues i Kosovës në këto gara. Që të mos dështojë, është detyruar të lansojë thirrjen për ndihmë nga biznese e artdashës.
E ka bërë këtë pasi nga institucionet shtetërore, “Siparantum” nuk pret ta sigurojë krejt shumën, ani pse ende nuk ua ka adresuar kërkesën zyrtare. Dirigjenti dhe themeluesi i Korit, Memli Kelmendi, ka thënë se nuk ka dëshirë që të ndodhë ky dështim, pasi që, sipas tij, një shans i tillë mund të mos vijë sërish, shkruan sot Koha Ditore.
Për të mos pasur telashe në sigurimin e mjeteve, Kori po përdor disa alternativa. Njëra prej tyre është edhe një video njëminutëshe.
“O vendi ynë, për kulturën tonë kontribuo. Historia shkruhet vetëm një herë”, janë fjalët që anëtarët e korit “Siparantum” shqiptojnë në formë kënge në një video që është publikuar në orët e vona të së martës.
Përmes saj kërkohet mbështetje financiare për të marrë pjesë në “World Choir Games” (Garat botërore të koreve) që do të mbahen prej 5 deri më 15 korrik në Antwerp dhe Ghent të Belgjikës. Në fund të videos kanë shënuar edhe të dhënat e xhirollogarisë. Shuma prej 23 mijë eurosh përfshin mbulimin e krejt shpenzimeve për pjesëmarrje në garat ku Kosova si shtet do të merrte pjesë për herë të parë.
Dirigjenti Memli Kelmendi ka treguar se janë duke përdorur të gjitha format e mundshme për të arritur qëllimin e tyre: përfaqësimin e shtetit të Kosovës në garat ku do të marrin pjesë hiç më pak se 542 kore e mbi 25 mijë artistë. Njëra prej formave që kanë zgjedhur është videoja që po qarkullon nëpër rrjete sociale.