S’ka të ndalur, Dua Lipa “rrëmben” edhe tri çmime tjera

Dua Lipa është një nga emrat më në zë të muzikës dhe aktualisht një ndër artistet më të suksesshme. Së fundmi artistja ka shënuar një tjetër arritje të madhe në karrierën e saj, duke shtuar disa çmime të tjera në listën e gjatë.

Dua ka fituar plot 3 çmime mjaft të rëndësishme në “Global Awards 2021”. Për shkak të masave kundër Covid-19, ky event nuk u mbajt në një sallë, por fituesit u shpallën online. Dua ‘rrëmbeu’ çmimet kryesore si: “Best Female”, “Best British Act” dhe “Most Played Song of the Year”. Dua Lipa është artistja e parë e të gjitha kohërave që ka fituar kaq shumë çmime në këtë event, me një total prej 6 çmimesh.

Disa ditë më parë, artistja me origjinë shqiptare u nominua në 4 kategori në “Billboard Music Awards 2021” (“100 artistët më të mirë”, “Kënga më e mirë radio”, “Artistja me këngën më të mirë në radio”, “Artistja më e mirë femër”).

Një ndër arritjet e tjera më të mëdha të Dua Lipës ka qenë edhe albumi ”Future Nostalgia”, i cili edhe pse u publikua në një periudhë aspak të lehtë për të gjithë botën, atë të pandemisë, i dha artistes një sukses të padiskutueshëm.

Ky album vijon të pëlqehet shumë dhe këtë e ka treguar Dua përmes një postimi në rrjetet sociale. “Future Nostalgia” ka arritur të renditet në vendin e dytë si më i dëgjuari në mbarë botën. Në këtë mënyrë, Dua ka lënë pas albumin e suksesshëm “After Hours” të artistit kanadez, The Weekend./lapsi.al

LEXO EDHE: Dua Lipa e nominuar në katër kategori për çmimet “iHeartRadio Music Awards”