Skeleti 41 mijë vjeçar i fëmijës kthehet në temë të nxehtë debati mes arkeologëve

A është varrosja e të vdekurve një praktikë unike për ne, apo edhe njerëzit e tjerë të hershëm si Neandertalët e bënin këtë ritual? Prej shumë kohësh kjo është një temë e nxehtë debati mes arkeologëve.

Dhjetra skelete të varrosura të Neandertalëve janë zbuluar në Europë dhe pjesë të Azisë gjatë 150 viteve të fundit. Megjithatë, ato të ruajturat më mirë, u gjetën në fillim të shekullit 20 dhe nuk janë gërmuar duke përdorur metoda moderne. Kjo ka çuar në skepticizëm nëse praktika e varrimit te Neandertalët ishte e qëllimshme.

Një analizë e re e një skeleti 41000 vjeçar të një fëmije Neandertal, i gjetur në një shpellë franceze në vitet 1970, ofron prova të reja se njerëzit e Epokës së Gurit i varrosnin qëllimisht të vdekurit.

Studiuesit francezë dhe spanjollë rishikuan mbetjet duke përdorur metoda moderne të teknologjisë së lartë, rigërmuan vendin origjinal arkeologjik ku u gjetën eshtrat në La Ferrassie, në jugperëndim të Francës dhe shqyrtuan shënimet nga gërmimi origjinal.

Përfundimi i tyre? Kufoma e një Neandertali 2-vjeçar u vendos qëllimisht në një gropë. Disa të dhëna por kryesisht pozicioni i skeletit sugjeroi që fëmija ishte vendosur atje qëllimisht. Koka, e pozicionuar nga lindja, u ngrit më lart se pjesa tjetër e trupit edhe pse toka ishte e prirur për në perëndim, transmeton ‘a2news.com’.

Studiuesit nga Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore, Muséum National d’Histoire Naturelle në Paris dhe Universiteti Bask në Spanjë identifikuan 47 kocka që i përkisnin skeletit të fëmijës që nuk ishin zbuluar më parë. Fëmija ishte vetëm një nga tetë grupet e mbetjeve skeletore të gjetura në vend.

Prova të tjera të të ceremonive të varrimit janë gjetur gjithashtu në një nga vendet më të famshme të Neandertalëve, shpella Shanidar në Kurdistan, e vendosur në Irakun verior.