Në nisje të vitit të ri shkollor më 14 shtator, skenarët për mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies dhe garantimit të shëndetit të nxënësve janë gati, në varësi të numrit të nxënësve sipas infrastrukturës që kanë në dispozicion shkollat.
Fiqiri Çifligu, përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar shpjegoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se shkollat me numër të ulët nxënësish, do të zhvillojnë mësimin si normalisht me 45 minuta secila orë, ndërsa për shkollat me numër të lartë nxënësish, do të zvogëlohet ora nga 45 në 30 minuta.
Sipas ekspertit të Arsimit, ndonëse ky vit nuk është normal si vitet e tjera, të gjithë aktorët kanë bashkëpunuar në mënyrë që shkollat të funksionojnë më së miri, nën zbatim edhe të masave antiCovid-19.
“Sigurisht që ky vit nuk është normal si vitet e tjera dhe na detyron që të zgjedhim edhe opsione të tjera të ndryshme, ose skenarë që mund t’i kemi përgatitur gjatë muajve të verës. Janë disa skenarë që do të ndiqen në shkollë sipas numrit të nxënësve dhe sipas infrastrukturës që kanë në dispozicion. Një pjesë e shkollave nuk e ka këtë problem, janë shkolla me numër të ulët nxënësish, do të zhvillojnë mësimin me 45 minuta pa asnjë lloj problematike, me pushime normale ndërkohë që në shkolla me numër të lartë nxënësish do të krijohen mësime me nënturne, jo turne sepse kjo puna e të thënit me 4 turne duket sikur do të punojë sistemi 24 orë”, u shpreh Çifligu.
Në fakt, tha ai, do të zvogëlohet ora e mësimit nga 45 minuta në 30 minuta dhe klasa ndahet në 2 grupe duke siguruar mundësinë që lëndët kryesore të zhvillohen në klasë dhe një pjesë e lëndëve mund të zhvillohen edhe online.
“Po marr rastin e aftësimit teknologjik, apo të një lënde edukatë shoqërore e cila mund t’i japë mundësi nxënësit ta vazhdojë në distancë ndërsa lëndët kryesore fizikën, kiminë, matematikën apo lëndë të tjera ku duhet prania e mësuesit dhe duhet të shkruhet në dërrasë, do të zhvillohet në klasë”, sqaroi ai.
“Kjo do të ketë problematikë dhe ne e kuptojmë këtë për prindërit të cilët janë në punë dhe duhet të ngarkojnë dikë për ta marrë fëmijën sipas orareve që fillon mësimi pasi një pjesë e nxënësve do ta fillojnë në orën 11, një pjesë në orën 2 edhe kështu me radhë. Por, këto janë mundësitë që kemi aktualisht dhe kjo situatë nuk ishte parashikuar të ndodhte, del përtej fuqive tona’’, u shpreh ai.
Çifligu theksoi ndër të tjera që mësuesve që do t’iu rritet ngarkesa mësimore për shkak edhe të ndarjes së klasës në dy grupe, do të paguhen me orët suplementare që i parashikon edhe kuadri ligjor.
“Në lidhje me orët shtesë që do të zhvillojnë, do të paguhet çdo minutë që ato do të kryejnë në procesin mësimor”, tha ai.
Por, si do të funksionojë?
“Nëse bëjmë një llogaritje të orëve apo minutave që një mësues punon me klasën në orë 45-minutëshe të konvertuar në orë 30-minutëshe na rezulton që një mësues që ka një ngarkesë normale, 20 orë në javë duhet të zhvillojë rreth 900 minuta mësim. Nëse kjo ngarkesë do të dyfishohet dhe mësuesi në vend të 20 orëve do të zhvillojë 40 orë tridhjetë- minutëshe sepse do të ndahet klasa në dy grupe edhe të njëjtën mësim do ta bëjë dy herë, po flas për orë të plota matematikë ose gjuhë, nuk llogaris këtu orët e klasës kujdestarie apo bibliotekën. Pra, këto janë orë që nuk llogariten dyfish. Këto llogariten vetëm një herë në ngarkesë. Mësuesi që ka 20 orë në vend të 900 minutave do të punojë 1200 minuta dhe këto 300 minuta të konvertuara me 45 minuta për orë na rezulton në 7 orë mësimore dhe për këto 7 orë mësimore mësuesi është brenda kuadrit ligjor të udhëzimit 30, ku lejon të përfitojnë orë sumplementare. Pra, çdo orë e kryer në këtë aspekt do të përfitohet nga mësuesit”, sqaroi ai.
Po ashtu, eksperti sqaroi ndër të tjera se është bërë një rialokim i numrit të punonjësve sipas zyrave arsimore dhe aty ku do të ketë nevojë do të ketë edhe punësime mësuesish përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”.
Më tej, eksperti Çifligu u shpreh se “janë marrë masat dhe është bërë një rialokim i numrit të punonjësve sipas zyrave arsimore, aty ku do të ketë nevoja për mësues shtesë, sigurisht që do të merren mësues shtesë nga portali “Mësues për Shqipërinë” për të mbuluar këto nevoja që krijohen nga krijimi i grupeve të vogla për zhvillimin e procesit mësimor. Në funksion të kësaj situate do të jenë edhe rreth 2300 praktikantë që fillojnë praktikën profesionale. Pra, këta do të kryejnë praktikën në shkollë dhe do të jenë suport për procesin mësimor, për t’i ardhur në ndihmë sadopak mësuesve që do të zhvillojnë mësim në këto kushte”. /atsh