“S’mund të harroj Kamber Bilalin, njeri fukara me pantallona të grisura, që ditën punonte dhe lexonte, e në mbrëmje vinte na fliste…”

Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së më datën 23 shkurt të vitit 1973, ku ishin të thirrur edhe kuadrot kryesorë të forumit më të lartë të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, të kryesuar nga Agim Mero, sekretari i parë i Komitetit Qëndror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, që Enveri urdhëroi të thirrej me urgjencë në atë mbledhje. Fjala e plotë e Enver Hoxhës në atë mbledhje ku ai për herë të parë morri në analizë të gjitha “problemet e rinisë” si dhe “edukimin e saj”, me artin, kulturën, letërsinë, kinematografinë, librat, bibliotekat, vatrat dhe shtëpitë e kulturës, aksionet, zboret, punën vullnetare, etj. Si dhe problemet që kishin dalë dhe shfaqeshin tek disa të rinj, me modën, shfaqjet e huaja, ndikimet moderniste etj.

Nga Dashnor Kaloçi

“Unë besoj që s’ka shtëpi kulture, ku të mos ketë vegla të ndryshme muzikore, shumë nga të cilat janë prodhuar brenda, janë sjellë edhe nga jashtë, dhe që të gjitha së bashku kanë ndihmuar shumë për argëtimin dhe edukimin e rinisë. Në këtë fushë, ka një zhvillim të madh, një përparim i madh është bërë kudo. Rinia i ka këto mjete në duart e saj, gjë që e shohim në Estrada e në festivale. Kjo është një kënaqësi e madhe, atëherë përse ta nënvleftësojmë? Që duhen edhe më tepër, s’ka dyshim që po, dhe për këtë duhen bërë përpjekje, por të na errësohet çështja e të thuhet se çobanët që rrinë në verë në malet e Lenies e të Gramozit nuk paskan një radio ose atje nuk vete filmi, kjo është të flasësh në erë. Çdo çoban mund të blejë fare mirë një radio me bateri, po të dojë, se në treg ka dhe ditë-puna e tij është më e madhe nga e të tjerëve dhe jo të pritet që çdo gjë ta bëjë shteti. Shokë të rinisë, ju kërkoni klube të shumta të veçanta për rininë në qytete dhe kjo, kudo ku të ketë mundësi, le të bëhet, por nga sa di unë edhe nga këto janë ndërtuar, janë pajisur me gjithçka, bile edhe me bilardo, po pastaj janë mbyllur sepse u larguan nga qëllimi për të cilin u ngritën”.

Kështu u shpreh midis të tjerash Enver Hoxha në fjalën e tij të mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së më datën 23 shkurt të vitit 1973, ku ishin të ftuar kuadrot kryesorë të forumit të lartë të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, që në atë kohë kryesohej nga Agim Mero. Kjo mbledhje e sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, bëhej vetëm pak kohë pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion dhe fjalës së Enver Hoxhës të mbajtur më datën 9 janar të atij viti në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ku ai për herë të parë kishte folur kundra “qëndrimeve liberale dhe shfaqjeve të huaja në art e kulturë” dhe ndikimit të tyre në gjithë jetën e vendit. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë me diskutimin e Enver Hoxhës që Memorie.al e publikon të plotë që nga ky numër.

Diskutimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, më 23 shkurt 1973

S’janë vetëm disa të rinj që sillen keq, pse ka edhe burra, por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë të rinjtë, duke lëshuar me mendjelehtësi shprehjen: “Epo të rinj janë”. Edukata e njerëzve është një nga preokupimet më të mëdha që duhet të kemi dhe kjo fillon në familje dhe vazhdon e plekset më pas me shkollën, pastaj me punën, me shoqërinë. Në çdo etapë, në çdo ambient ekzistojnë te ne format dhe mënyrat, një kompleks i tërë për edukimin e tyre. Nuk mjafton vetëm të shesësh mend në këtë drejtim, por edhe të blesh nga të tjerët, nuk mjafton vetëm të kërkosh, por edhe të japësh, të bëhesh shembull, të jesh kurajoz, krijues dhe jo indiferent. Prandaj, shokë të rinisë, front kryesor të kulturës për edukimin e rinisë duhet të konsideroni shkollën. T’i vini rëndësi shumë të madhe përvetësimit të kulturës së gjerë e të shumanshme, gjatë viteve që rinia kalon në shkollë. Ta shikosh kulturën për edukimin e rinisë në një prizëm të ngushtë, se sa shfaqje përgatiten me tema për rininë, se duhen botuar libra shkencorë të veçantë për rininë, se duhet të shkruhen romane me tema vetëm për rininë, se Teatri i Operës dhe i Baletit është nevoja të përgatitë balete të posaçme për rininë etj., nuk është e rekomandueshme. Kjo e ngushton shumë sferën e edukimit të rinisë, e izolon këtë nga mundësitë e mëdha që i janë krijuar dhe, fundi i fundit, nuk është as reale. Rinia vetë nuk ta pranon këtë kornizë, ajo këtë e ka thyer me kohë dhe mirë ka bërë.

Ç’do të thotë të shkruash romane të posaçme për rininë? Unë nuk them që të mos shkruhen edhe të tilla, të bukura dhe në numër gjithnjë më të madh. Partia i ka frymëzuar dhe do të vazhdojë t’i frymëzojë shkrimtarët edhe në këto drejtime, por kjo nuk do të thotë që organizata juaj të rrijë duarlidhur. Autorë të rinj e të talentuar ka, atëherë pse nuk i nxitni posaçërisht ju për këtë gjë? Por edhe me urdhër këto nuk bëhen. Përveç kësaj, e gjithë literatura jonë është për rininë, pse është me përmbajtje socialiste, është e freskët si rinia, ajo përshkruan jetën tonë, ndjenjat, luftërat, dashurinë e pastër, klasën punëtore dhe luftën e saj, përpjekjet e fshatarësisë sonë kooperativiste, me një fjalë zhvillimin e jetës sonë në të gjitha aspektet. S’ka gjini të literaturës sonë, ku të mos flitet për jetën, për mendimet, ndjenjat dhe luftën e rinisë sonë. Po kjo rini mos vallë rron e veçuar nga prindërit, nga gjyshërit, nga shokët, nga miqtë, nga populli? Jeta e saj, ndjenjat e saj janë të pleksura. S’ka të ri e të re mbi 13 vjeç te ne që të mos u turret me etje romaneve, vjershave etj., që nxjerrin vazhdimisht në dritë shkrimtarët dhe poetët tanë. Sa mirë do të jetë, dhe kështu duhet, që edhe për të vegjlit të kemi botime më të thjeshta, edhe për të rinjtë e të rejat deri në njëfarë moshe të kemi disa krijime letrare më të thjeshta, më të kuptueshme. Të tilla krijime duhen botuar dhe duhet t’i shtojmë. Prandaj, ju të rinjtë, përktheni e krijoni edhe nga këto krijime të bukura e të përshtatshme dhe me siguri do t’ju botohen, por veç të mos i vini barrikadë ose ndarje literaturës për të rinjtë dhe asaj për të moshuarit.

Ne nuk rrojmë në një regjim borgjez, prandaj e gjithë literatura që botojmë ne mund dhe duhet të vihet pa frikë në duart e rinisë, pse në të s’ka moral korruptues, ajo nuk është një literaturë pornografike dhe banditeske, por është pikërisht e atillë që edukon në mënyrë revolucionare dhe në rrugën e moralit proletar gjithë njerëzit tanë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për teatrin, për baletin, për vallet popullore, për muzikën, për Radion dhe për Televizionin tonë. Çdo gjë te ne është në shërbim të edukimit të njeriut të ri, çdo gjë është dhe në përgjithësi zhvillohet në rrugë të drejtë. Por në mes tyre ka pjesë shumë të mira, ka të mira, ka mesatare, ka ndonjëherë edhe me gabime. Po edhe në këtë fushë ka luftë, ka përpjekje. Çdo gjë zhvillohet, e vjetra që depërton luftohet e zëvendësohet me të renë. Edhe presioni i borgjezisë bën punën e vet, përpiqet të gjejë të çara, nganjëherë edhe gjen, po luftohet edhe ai e zëvendësohet me të mirën, mprehet vigjilenca, merr hov krijimtaria pozitive. A mund të mendohet për një grimë që rinia jonë të përjashtohet nga gjithë ky zhvillim, nga kjo pjesëmarrje, nga kjo krijimtari, nga kjo luftë që bëhet te ne? Në asnjë mënyrë jo, ndryshe kemi vrarë veten.

Në Luftën Naçionalçlirimtare, në momentin më kulminant të vështirësive e të tragjedisë së kombit tonë, në momentet më me përgjegjësi të asaj kohe, rinia jonë u gjend në ballë të betejave dhe heroizmat e saj do të këndohen si legjenda në shekuj. A mundej që ne t’u thoshim në ato momente historike të rinjve e të rejave: “Rrini në shtëpi, se lufta nuk është për ju, ajo është për burra”!? Po të bënim kështu sot nuk do të kishte Shqipëri të lirë socialiste. Literatura jonë aktuale, pra, kujt i këndon? Ajo u këndon pikërisht këtyre heroinave e heronjve 18-20-vjeçarë që komandonin brigada e divizione. A ka tema më të përshtatshme për rininë tone se këto të kësaj periudhe heroike? Nuk ka. Rinia jonë duhet të dijë nga dolën gjithë këto vajza e këta djem me bark bosh, me këmbë zbathur, por me zemër luani që sakrifikuan deri jetën e tyre. Ky populli ynë trim e luftëtar i nxori ata nga gjiri i vet. Pse, a nuk janë të përshtatshme për rininë tonë vepra si: “Komisari Memo” i Dritëro Agollit, “Kronikë në gur” ose “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë apo “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës e vepra të tjera si këto? Nuk është as mirë, as drejt të vëmë mure pa themele në kulturën e shëndoshë të rinisë, por ta edukojmë, ta nxitim atë të lexojë, të lexojë dhe përsëri të lexojë dhe të nxjerrë mësime nga këto lexime. Me këtë nuk dua të them që nuk lexohet.

Në këtë drejtim ka përparime të dukshme, por të mos kënaqemi. Unë i drejtohem veçanërisht rinisë që të lexojë dhe të studiojë edhe më shumë akoma, se atdheu pret shumë prej saj. Ne, të moshuarit, i ndiejmë boshllëqet e dijeve tona, se të tjera kushte kanë qenë ato tonat kur ishim të rinj, shumë halle tragjike na qenë vërsulur atëherë mbi kokë, prandaj duam dhe luftojmë që rinia jonë të mos ketë boshllëqe në dituri, pse të gjitha mundësitë dhe kushtet i ka, dhe më të mira akoma do t’i ketë dhe do t’i krijojmë në të ardhmen, me punë, me djersë dhe me dituri. Dëshiroj, gjithashtu, t’i them rinisë se ne mund dhe duhet të shtypim edhe më shumë libra shkencorë, vepra letrare e botime të tjera për të. Jo se na pengon diçka nga vullneti për ta bërë këtë, por duhet ditur se kaq janë mundësitë aktuale të shtetit tonë. Ne po ndërtojmë shtypshkronja më të mëdha e më moderne nga këto që kemi dhe me siguri do të vijë shpejt koha që edhe më shumë të shtypim, por ua lë të rinjve e të rejave ta gjykojnë këtë çështje me mendjen dhe ndërgjegjen e tyre të pastër, se Partia më ka mësuar të kemi një bindje absolute te rinia dhe te gjykimi i drejtë i saj.

Mos vallë pak janë botuar dhe botohen literaturë artistike, literaturë shkencore, revista letrare e shkencore, tekste shkollore të të gjitha lëndëve e kategorive, gazeta politike, letrare, shkencore, leksione, studime të veçanta? Apo janë pak librat e huaj që vëmë çdo vit në dispozicion të inteligjencies sonë studioze në institucionet e ndryshme, si në Bibliotekën Kombëtare, në atë të universitetit, në bibliotekat e ministrive e deri tek ato të ndërmarrjeve? Ne themi që s’janë pak dhe jam i bindur se edhe rinia është në një mendje me ne. Vetëm se këto duhen shfrytëzuar seriozisht, shumë seriozisht. Anembanë vendit sot s’ka fshat pa bibliotekë, pa lëre qytetet, ku biblioteka gjen kudo. Po frekuentohen ato? Edhe po, edhe jo. Na thuhej se në to duhej nga një bibliotekar dhe shteti vuri nga një me rrogë. S’kanë kulturë u tha, dhe u vunë njerëz me shkollë. Shokët e rinisë qahen se si bibliotekat, ashtu edhe shtëpitë e kulturës na kthehen në depo. Sa keq shokë! Po kush e ka fajin? Mos ka thënë Partia vallë që ato të kthehen në depo? Po ju ç’bëni, pse i lejoni? Ku janë komunistët, ku janë të rinjtë? Si mund të lejohet të na ngjasin këto gjëra në kohën tonë të socializmit? Më lejoni t’ju them diçka nga të kohës së kaluar të rinisë sonë në Gjirokastër, këtu e 50 vjet më parë. Ne vetë, nxënësit, me nga një lek që me vështirësi na e siguronin dhe na e jepnin prindërit tanë të varfër, kishim hapur dy klube në qytet, kishim ngritur biblioteka me librat tanë shumë të paktë, vetë kishim blerë disa vegla muzikore, ndonjë mandolinë e kitarë, të cilave mësuam t’u binim dhe me to dilnim në popull.

Keni parasysh se klubet i fshinim dhe i pastronim vetë me rradhë. Ndonjëri që dinte ndonjë gjuhë të huaj, lexonte libra dhe pastaj na mblidhte atje e na tregonte ngjarjet. Tani më janë zbardhur flokët, megjithatë nuk mund ta harroj kurrë një Samuel Kofina, i cili tërë ditën lodhej me topa beze në krah për të shitur ndonjë metër, kurse në mbrëmje, edhe ashtu si ishte i lodhur, vinte të na fliste here për autorët e vjetër grekë si Homerin, Aristofanin dhe ndonjëherë për Alen Pinkertonin. As që mund të harroj, gjithashtu, Kamber Bilalin, njeri fukara me pantallona të grisura, që ditën punonte dhe lexonte dhe në mbrëmje vinte na fliste për romanet e Aleksandër Dymasë etj., na i tregonte pjesë-pjesë, me episode. Po sot, si mund të na lejohet të sillemi kështu me librat, me bibliotekat dhe me shtëpitë e kulturës? Edhe çështjen e argëtimit të rinisë, natyrisht, ne duhet ta shikojmë në mënyrë të gjerë dhe realisht. Por, para së gjithash, mendimi im është se shteti nuk ka qëndruar duarlidhur as në këtë drejtim. Ai ka investuar vazhdimisht fonde të konsiderueshme dhe përsëri do të investojë edhe paskëtaj, pse nevoja ka.

Por të gjitha ato çka kemi ndërtuar dhe krijuar janë për rininë dhe ajo duhet t’i konsiderojë të sajat, t’i shfrytëzojë si duhet dhe të kujdeset për mirëmbajtjen e tyre e jo t’i prishë. Përveç kësaj, edhe iniciativa e bazës, sidomos e vetë rinisë, duhet të jetë më e gjallë e më frytdhënëse në këtë drejtim. Prandaj të reflektohet më thellë për ato çka thashë. Unë besoj që s’ka shtëpi kulture, ku të mos ketë vegla të ndryshme muzikore, shumë nga të cilat janë prodhuar brenda, janë sjellë edhe nga jashtë, dhe që të gjitha së bashku kanë ndihmuar shumë për argëtimin dhe edukimin e rinisë. Në këtë fushë, ka një zhvillim të madh, një përparim i madh është bërë kudo. Rinia i ka këto mjete në duart e saj, gjë që e shohim në Estrada e në festivale. Kjo është një kënaqësi e madhe, atëherë përse ta nënvleftësojmë? Që duhen edhe më tepër, s’ka dyshim që po, dhe për këtë duhen bërë përpjekje, por të na errësohet çështja e të thuhet se çobanët që rrinë në verë në malet e Lenies e të Gramozit nuk paskan një radio ose atje nuk vete filmi, kjo është të flasësh në erë. Çdo çoban mund të blejë fare mirë një radio me bateri, po të dojë, se në treg ka dhe ditë-puna e tij është më e madhe nga e të tjerëve dhe jo të pritet që çdo gjë ta bëjë shteti. Shokë të rinisë, ju kërkoni klube të shumta të veçanta për rininë në qytete dhe kjo, kudo ku të ketë mundësi, le të bëhet, por nga sa di unë edhe nga këto janë ndërtuar, janë pajisur me gjithçka, bile edhe me bilardo, po pastaj janë mbyllur sepse u larguan nga qëllimi për të cilin u ngritën. Kërkesa bëni, por njëkohësisht keni edhe detyra.

Rinia kudo bën shumë, shumë gjëra të mira dhe kjo është karakteristika e saj, por më kanë thënë se shtëpinë e pushimit të bashkimeve profesionale në Voskopojë që iu dha studentëve për të kaluar pushimet shkollore të dimrit, gjatë ditëve që ata qëndruan atje, e dëmtuan. Kështu nuk mund të eçet shokë, shteti shpenzo e ndërto dhe ju dëmto. Kështu në mjaft vende janë ndërtuar kënde lojërash për fëmijë, po ato u zhdukën pa nishan, dikur u vunë telefona nëpër rrugë, ata u prishën nga disa të rinj të çrregullt. Dakord që nuk i bën e gjithë rinia këto, asnjeri nuk e thotë këtë, por ama janë të rinj ata që bëjnë veprime të këtilla, prandaj organizata e rinisë veçanërisht ka përgjegjësi për të gjitha këto gjëra të papëlqyera që ngjasin. Me policë mendoni ju, shokë udhëheqës të rinisë, t’i ruajmë këto që ndërtojmë apo me edukim? Këtë punë edukative a jeni të ndërgjegjshëm se në një shkallë të madhe i përket ta bëjë vetë organizata e rinisë, pa folur këtu për përgjegjësinë e madhe që kanë, gjithashtu, Partia, shkolla, familja, gjithë shoqëria?

Nuk duhet harruar pastaj se atë edukatë që jepet dhe ashtu si jepet me anët e mira dhe me të metat e saj, rinia duhet ta bëjë të sajën, të mirën ta rrënjosë në karakterin saj, të keqen ta shkelmojë, nën çdo formë që të paraqitet. Pse nuk shpenzohen fondet që janë caktuar për nevojat e rinisë? Ne qoftë se është kështu, pse Partia dhe ju të rinjtë nuk e bëni këtë çështje të madhe? Ju mund të na thoni se nuk ju dëgjojnë dhe për këtë arsye e sollët çështjen në Sekretariat. Nuk them që ju bëtë keq që e sollët çështjen deri këtu dhe ne do t’u tërheqim vëmendjen organeve të Partisë dhe atyre shtetërore qe shkelin ose që nuk i zbatojnë vendimet, por edhe juve ju them se puna nuk mbaron me kaq, duhet të luftohet fort në bazë, veçanërisht nga ju, kundër shtrembërimeve, kundër burokratizmit, rutinës e mospërfilljes.

Interesimi për zhvillimin e fizkulturës dhe të sporteve është me rëndësi të madhe. Partia këtë e ka theksuar kurdoherë, edhe masa janë marrë e investime janë bërë, janë bërë, gjithashtu, edhe teorizime të shumta dhe vazhdojnë të bëhen për mënyrën, për metodat etj. Por këto teorizime, sado të mira që të jenë, nuk japin shumë bukë, në rast se nuk ngjallin në rini dashurinë dhe domosdoshmërinë absolute për ushtrimin nga ana e saj të kulturës fizike.

Në qoftë se rinia nuk e kupton këtë si një çështje që ka të bëjë me forcimin e shëndetit dhe jo për snobizëm, atëherë, sado mjete të vihen në dispozicion, nuk mund të ketë fizkulturë dhe sport në masën e rinisë. Dhe mjete janë vënë, mundet deri tani akoma pak, por ato nuk përdoren si duhet. Na kërkohet të hapim nëpër qytete dyqane të veçanta për shitjen e veglave sportive. Edhe dyqane mund të hapen, po ato duhet të mbushen me artikuj sportivë. Të mos kërkojmë nga një të tillë në çdo qytet, por të hapim hëpërhë një ose dy. Më parë duhet menduar në mënyrë racionale çfarë nevojitet dhe sa kemi mundësi të bëjmë dhe jo të premtojmë e të mos bëhet gjë. Ju na thoni se Qeveria ka marrë vendim që në çdo fshat, si dhe në lagjet e disa qyteteve të mëdha, të ndërtohen fusha lojërash të ndryshme. Ky është një vendim i mirë, sido që është shumë i guximshëm nga shtrirja. Por ja që ju na thoni këtu se një vit ka kaluar dhe as gjë nuk është bërë për zbatimin e këtij vendimi. Dëshiroj t’ju pyes, shokë: Po ju a e keni ndihmuar Qeverinë që ti bëjë këto gjëra për ju, apo keni pritur dhe pritni që çdo gjë t’ju vijë deri në vend me tren, me kamion dhe në datën e caktuar?

Unë besoj se këtë vendim të Qeverisë nuk e keni shikuar si duhet as ju, as rrethet, as ndërmarrjet. Unë mendoj se shteti duhet të ndihmojë medoemos në këtë drejtim, por në asnjë mënyrë të mos pritet çdo gjë nga shteti, pse shumë e shumë gjëra duhet ti bëni vetë me iniciativën tuaj, duhet t’i bëjnë ndërmarrjet, t’i bëjnë rrethet. Të gjitha mundësitë janë që të krijoni ju vetë terrene të vogla sportive në lagjet e qyteteve, të ndërtoni me ndihmën e ndërmarrjeve fusha lojërash për pionierët, të bëni ekskursione në vende piktoreske dhe mendoj se nuk është e domosdoshme të ngremë një dyqan të posaçëm për të bërë këpucë alpine dhe as që jemi në gjendje hëpërhë të sjellim me mijëra ski nga jashtë për këtë lloj sporti që nuk është i zhvilluar akoma te ne, prandaj ta zhvillojmë atë më parë me ski primitive, që vetë të rinjtë mund t’i bëjnë. Eshtë e drejtë kritika që u bëni ju mësuesve që nuk kujdesen për edukimin jashtëshkollor të fëmijëve, që është pjesë përbërëse e detyrës së tyre. Kush e kupton ndryshe këtë, ai gabon. Natyrisht, ky interesim duhet të shoqërohet edhe nga organizata juaj, nga familja dhe nga tërë shoqëria. Ju ankoheni, gjithashtu, me të drejtë për mungesë si në numër dhe në cilësi të shkrimeve për pionierët. Shkrimtarët tanë duhet të reflektojnë thellë për këtë mungesë me rrjedhime të rënda. Këtu ju jap të drejtë juve, por njëkohësisht ju them se kaq të rinj me talent që kanë dalë nga radhët tuaja, që njohin jetën e ndjenjat e pionierëve, që kanë qenë më parë vetë të tillë, çfarë bëjnë? Po ju çfarë bëni me ta? Sa ndikoni ju tek ata që të specializohen në këtë drejtim? Mos ju duket vallë shkrimi për të vegjlit si diçka e lehtë, pa rëndësi, pa perspektivë, pa “famë”?

Prandaj Komiteti Qendror i Partisë u bën thirrje shkrimtarëve tanë të talentuar që të mos harrojnë të shkruajnë si për rininë ashtu dhe për pionierët. Letërsia për fëmijët është shumë e rëndësishme, shumë e domosdoshme dhe vetëm njerëzit me talent dhe të pasionuar mund të nxjerrin krijime të këndshme dhe edukative për lulet më të bukura të kopshtit tonë socialist. Ju keni bërë mirë që u jeni drejtuar me një material tuajin organeve ekonomike dhe deri Këshillit të Ministrave për disa probleme kryesore që ngre rinia për çështje ekonomike. Unë nuk jam njohur me këtë raport tuajin, por një sërë çështjesh të rinisë në prodhim i njoh. Mendimi i Partisë është se rinia qëndron në pararojë dhe punon kudo shumë mirë, kjo është karakteristika dalluese e saj. Por edhe nga ana e saj, si edhe tek të tjerët, ka të meta në punë. Ju shprehni dëshirën e rinisë kooperativiste që të punojë me orar të kufizuar dhe brenda kësaj kohe të realizojë e të tejkalojë planin etj. Kjo është një dëshirë, por që për fat të keq nuk po realizohet as në fabrika, ku disiplina në punë është më e madhe, pa lëre në kooperativat bujqësore. Për këtë kur them në fabrika flas me kompetencë, me kronometrime dhe jo me hamendje./memorie.al