“E pashë bre me sytë e mi, e pashë si dha shpirt Sandër Sokoli. Ishte më i forti ndër ne, me trup të gjatë e gjithë muskuj. E thirrën ditën e protestës xhahilët. I ranë me shkelma, me shkopinj druri, me shufra hekuri…”
Nga: Prof. Dr. Lush Susaj
Shkaqet e fillimit të revoltës së Qafë Barit kanë qenë kushtet e vështira të punës dhe jetesës, si dhe fyerjet, çnderimi dhe rrahja publike e djemve dhe burrave të burgosur në këtë kamp.
Rrahja dhe tortura publike ka qenë në kundërshtim edhe me ligjet e shkruara të komunizmit, si dhe me moralin dhe traditën shqiptare, ku burrat nuk rrihen me shpulla as me dru zjarri.
Megjithatë, edhe në këto 28 vite me demokraci hibride, për të tilla shkelje të hapura të ligjeve, askush nuk është gjykuar as dendur. Madje në ditën e djeshme (22.05.2018), përpara Ministrisë së Rendit në Tiranë, është zhvilluar një protestë e familjarëve të një djali të komunitetit rom, të cilët pretendojnë se njeriu i tyre ka dalë nga komisariati i policisë me brinjë e krah të thyer, me shpinë të nxirë nga goditjet dhe me nofulla të thyera nga dhuna e panevojshme e policëve.
Sikur në vitet 1973 dhe 1984, edhe tani në vitin 2018, për djemtë e dhunuar e të vrarë në tortura, ekspertiza mjekoligjore del me të njëjtin përfundim: “vdekje për shkaqe natyrale”.
Kjo lloj përgjigje e ekspertizave të sotme për djemtë e burrat e vrarë nga dhuna policore, me kujtojnë ekspertizën e bërë për të ndjerin Sandër Sokoli, të cilin policia e dhunoi duke ia thyer edhe shtyllën kurrizore, derisa ia morën shpirtin. Këtë e ka dëshmuar me shkrim dhe me gojë dëshmitari i ngjarjes, bashkëvuajtësi i tij, Haxhi Baçinovski, i cili ka deklaruar se:
“E pashë bre me sytë e mi, e pashë si dha shpirt Sandër Sokoli. Ishte më i forti ndër ne, me trup të gjatë e gjithë muskuj. E thirrën ditën e protestës xhahilët. I ranë me shkelma, me shkopinj druri, me shufra hekuri. E thyen në mes dhe ai ra si lis në tokë duke bërtitur nga dhimbjet. Çaste të tëra vazhdoi të lëngojë e të bërtiste nga plagët i gjori.
Ulërimat e tij bezdisën barbarët dhe filluan prapë ta godasin edhe më fortë, më egër. Sandri vazhdonte të bërtiste me zë të lartë. Policëve u duhej t’ia mbyllnin gojën përgjithmonë. Po nuk dalka kollaj shpirti i shkretë. Kur e panë që druri nuk jepte efekt, e kapën me forcë dhe pasi e ngritën lart e palosën më dysh në dysheme.
Pas dy-tre rënkimeve të mbytura, Sandri ra në qetësi. Pashë vetëm dy currila gjaku që i dolën nga goja dhe kokën që iu var anash. Më lëndon mashtrimi i madh i atyre palo mjekëve, që e panë me sy si përfundoi Sandër Sokoli dhe firmosën diçka krejt tjetër, infarktin.”
Pas këtyre 28 viteve të teatrit vetëdiskreditues nuk mund të kuptohet më arsyeja se për çfarë i janë dashur mjekësisë sonë të tillë mjekë që kanë manipuluar me shkaqet e vërteta të vdekjes të të dënuarve nëpër burgjet dhe kampet e punës dhe të përqendrimit.
Këta njerëz duhen përmendur dhe duhen publikuar, modeli i sjelljes së tyre e ka ndotur shtetin, e ka rrënuar etikën dhe protokollin. Vazhdimësia e ekzistencës së tyre dhe e modelit të tyre në administratë dhe në shërbimet sociale e kulturore, është burimi i dënimeve dhe vdekjeve të tjera të shqiptarëve të pafajshëm të shoqëruar me ekspertiza fiktive dhe me dosje të manipuluara, raportin e datës 27 Maj 1984, me titull: “Mbi ngjarjen e ndodhur në datën 22 maj 1984 në regjimin e të dënuarve të repartit 311 Qafë Bari”, pos demagogjisë dhe falsiteteve të kohës, është përmendur shkarazi edhe fakti: “norma e ulët e ushqimit dhe trajtimi jo si duhet nga personeli”.
Kujtojmë faktin që të burgosurit, në atë kohë punonin pa pagesë dhe në 1000 m thellësi. Ata konsumonin 600 gram bukë në ditë dhe shumë pak ushqim, kryesisht supë dhe fasule të holla e të gatuara keq.
Më keq nga të gjithë duket që e pësuan 12 të burgosurit të cilët u riarrestuan dhe u ridënuan nga këta, dy prej tyre (Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja) morën dënimin kapital.
Për të arrestuarit e revoltës së Qafë Barit janë sajuar me ngut akuza të paqena, mbi bazën e të cilave janë bërë ridënimet më të rënda të kohës.
Falsitetin e akuzave e tregon edhe përshkrimi i shkurtër i origjinës, i shkallës së arsimimit dhe i shkaqeve të arrestimit fillestar të 12 të dënuarve të cilët u riarrestuan më 24 maj 1984 e më pas u ridënuan me burg dhe me pushkatim.
Në vendimin e dënimit të datës 24 maj 1984, për secilin prej tyre, është shkruar si më poshtë:
Sokol Sokoli, i biri i Zefit dhe i Coles, i datëlindjes 1952, lindur dhe banues në fshatin Gerni, Tropojë, me origjinë fshatar i varfër, me arsim 8 klasë, i pamartuar, me shërbim ushtarak të kryer, i dënuar për tentative arratisjeje dhe rrahje, i arrestuar më datën 24.5.1984.
Sokol Progni i biri i Zefit dhe i Lenës, i datëlindjes 1959, lindur në fshatin Salcë të Tropojës, me origjinë fshatar i varfër, beqar, me arsim 8 klasë, i dënuar për vjedhje, agjitacion e propagandë kundër shtetit, shkelje të rregullave të shërbimit të rojës, kundërvajtje penale të largimit pa leje nga reparti me 25 vjet heqje lirie.
Tom Ndoja i biri i Kolës dhe i Zojës, i datëlindjes 1952, lindur dhe banues në fshatin Kollogjin të rrethit Shkodër, i martuar me dy fëmijë, me arsim 7 klasë, me shtetësi dhe kombësi shqiptar me origjinë fshatar i varfër, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të sabotimit, agjitacion e propagandë kundër shtetit dhe të armëmbajtjes pa leje, arrestuar më datën 24.5.1984.
Lush Bushgjoka i biri i Prelës dhe i Lulës, i datëlindjes 1955, lindur dhe banues në Lekbibaj Tropojë, i martuar me një fëmijë, me arsim 8 klasë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i dënuar për tentativë arratisjeje dhe për rrahje, armëmbajtje pa leje me 8 vjet heqje lirie, arrestuar më datën 24.5.1984.
Haxhi Baxhinovski i biri i Shefqetit dhe i Dinares, i datëlindjes 1956 lindur dhe banues në Çlirim të Fierit, me arsim 3 klasë, beqar, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagande kundër shtetit, arrestuar më datën 24.5.1984.
Vllasi Koçi i biri i Llambit dhe i Marijes, i datëlindjes 1956 lindur dhe banues në Vlorë, me origjinë shoqërore punëtor, i pamartuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me arsim 6 klasë, i dënuar për agjitacion e propagandë kundër shtetit, largim pa leje nga vendi i internimit si dhe i ridënuar për fyerje për shkak të detyrës me 19 vjet heqje lirie, arrestuar më datën 24.5.1984.
Kostandin Gjordeni, i biri i Sotirit dhe i Xhevrijes, i datëlindjes 1957, lindur dhe banues në Durrës, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i shkurorëzuar, me një fëmijë, me arsim 8 klasë i dënuar për tentativë arratisjeje me 11 vjet heqje lirie, arrestuar më datën 24.5.84.
Bajram Vuthi i biri i Ismailit dhe i Nurijes, i datëlindjes 1956, lindur dhe banues në Fushë-Krujë, me arsim 10 klasë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjine shoqërore kooperativist, i martuar pa fëmijë, i dënuar për tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes me 15 vjet heqje lirie, arrestuar më datën 24.5.1984.
Martin Leka i biri i Sokolit dhe i Lezes, lindur dhe banues në fshatin Nicaj Rrethit Shkodër, me arsim 8 klasë, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me profesion elektricist, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, për krimin e agjitacionit e propagandës, si dhe për rrahje, arrestuar më datën 24.5.1984.
Lazër Shkëmbi i biri i Zefit dhe i Dranes, i datëlindjes 1960, lindur në Dukagjin të Rrethit Shkodër, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me shtetësi dhe kombësi shqiptare; i dënuar për tentative arratisje me 10 vjet heqje lirie, si dhe për fyerje botërisht, arrestuar më datën 24.5.1984.
Hysen Tabaku i biri i Halilit dhe i Shahes, i datëlindjes 1961 lindur dhe banues në Elbasan i pamartuar, me arsim 8 klasë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, arrestuar më datën 24.5.1984.
Ndue Pisha i biri i Martinit dhe i Pashës, i datëlindjes 1965, lindur dhe banues në Theth të Shkodrës, me arsim fillor, i pamartuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për diversion, arrestuar më datën 24.5.1984.
Në të 12 përshkrimet e mësipërme, është e lehtë për të kuptuar mënyrën se si janë arrestuar, torturuar dhe pushkatuar njerëz me 4-8 klasë shkollë, njerëz me origjinë fshatarë të varfër, janë dënuar dhe ridënuar me një akuzë absurde “agjitacion dhe propagandë”. Janë dënuar me këtë akuzë në një kohë kur asnjëri prej tyre, nuk është marrë kurrë me politikë, as nuk kanë ditur ndonjëherë se çfarë është agjitacioni as propaganda. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë as edhe një minutë armik i kombit dhe as bashkëpunëtorë i Mehmet Shehut dhe as i ndonjë klani tjetër të komunizmit.
Me një procedurë të shpejtuar dhe me dënime të parapërgatitura, me 3 qershor 1984, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e ka mbyllur këtë çështje duke dhënë dënimet e mëposhtme: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim; Sokol Progni, me 25 vjet burg; Vllasi Koçi, me 25 vjet burg; Martin Leka me 16 vjet burg; Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg; Bajram Vuthi, me 15 vjet burg; Ndue Pisha me 25 vjet burg; Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg; Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg; Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg.
Pas dhënies së dënimit, shpresat e Sokol Sokolit dhe të Tom Ndojës për faljen e jetës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor rezultuan të kota. Me shkresën Nr.888 datë 7.6.1984, Kuvendi Popullor nuk ua fali jetën, edhe pse njëri nga të pushkatuarit (Sokol Zef Sokoli) ishte rritur jetim pa nënë e pa babë dhe ishte djalë i vetëm i një vatre nacionaliste që u shua me vdekjen e tij.
Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, janë pushkatuar në afërsi të Shkodrës në mesnatën e datës 9 qershor 1984. Për gjetjen e varrit të tyre, familjarët e tyre kanë kërkuar e pritur mbi 30 vite. Kurrë nuk mund të dëmshpërblehet sakrifica, as jeta e vrarë e këtyre njerëzve. Heroizmi dhe qëndresa e martirëve të Qafë Barit duhet të lexohet e të mësohet nga rinia dhe brezat që do vijnë.
Qëndresa dhe reagimi i tyre ndaj të keqes së përbashkët, do të bëhet dritë dhe frymëzim kundër apatisë dhe individualizmit, do të bëhet frymëzim në betejën tonë të përjetshme për vlerat e lirisë dhe të progresit shoqëror e kombëtar./Gazeta Telegraf
ObserverKult
————————————–
Lexo edhe:
MARJANA ISHTE 2 VJEÇE KUR E SHPALLËN “ARMIKE TË POPULLIT” DHE S’IU NDALËN MË TORTURAT
ObserverKult