Ditën që unë do dal nga ky çark,
Tek nëna ime do të vrapoj s’pari.
E do t’i them: – Nga që prite gjatë,
Si hark në portë, të ktheu malli.
Tek varri i babait do ulem në gur,
Pas kaq vitesh do dënesem në lot.
E do t’i them: – Ty ikja të pati nur,
S’mund të vija tek ty, kot më kot.
Ata që më kanë borxhe të vjetra,
Do t’i marr në telefon, një nga një.
E do t’u them: – Grisni ato shkresa,
Në vijim nuk më detyroheni asgjë!
Lypësit të lagjes tej atje në kthesë,
Rrogën do ja jap pa pikë pa presje.
E do t’i them: – Të firmosa në pagesë,
Dritën e syve të tij drekoj për vete.
Në fund në pasqyrë, do rri më gjatë,
Deri në detaj veten time do të shoh.
E do t’i them: – Të pështyj në surrat,
Këto duhet t’i kishe bërë me kohë!