Sokrat Habilaj: Ditët me ty

I provuam kaq ditë të bukura në dashuri,
Ditën e parë, të dytë, të dhjetëmijtën e ca.
Po mbase erdhi koha të pyesim: – Po tani,
Mos duhet të përtypim grimcat që na la?

Mbase do duhej të uleshim, në një brinjë,
Të uleshim që dje, ndoshta dhe më herët.
Ne që u deshëm, një ditë, dy, dhjetëmijë,
Tani të shohim, si bëjnë dashuri të tjerët.

Po për ditët që shkuan, pse të flas më kot,
Kur s’dua t’i kthej pas, dhe po të mundja?
Në cilën ditë të desha ty, si do të dua sot,
E si do të puth nesër, në ç’ditë të putha!?