Sokrat Habilaj: Është bërë kaq e trishtë të jetosh…

Është bërë kaq e trishtë të jetosh,
Po edhe të vdesësh s’zgjidh asgjë.
Sa ikën, pyesin:-La ndonjë borxh,
A luftërat që nisi, u shuan me të!?

Borxhe nga unë mos prisni më pas,
Se cent në cent do t’i marr në dhè.
Para se të më gozhdoni nën rrasë,
Edhe gjurmët e luftës do t’i fsheh.

S’jam nga ata që borxhet s’i kthej,
E të ngre supet se i gjeta më herët.
Luftërat që nuk i ndoqa dot më tej,
Do digjem me to, s’i lë për të tjerët.

Dhe po mbeta ndonjë borxh diku
Skeletin tim vë peng, ta heq qafe.
Luftërat e mia s’patën lidhje me ju,
I dal zot çdo humbje, a çdo disfate.

Kur me borxhet dhe luftërat të iki,
Dikur edhe ju do ndiheni ngushtë.
Por çdo borxh është i juaji, i gjithi,
Vetëm e juaja është edhe çdo luftë.