S’është për ty, kjo tavolinë modeste,
Ku ende askush s’e ka ngritur gotën
Ti përtypë fjalët, e më sheh në heshtje,
Mua që dikur, të kam premtuar botën.
I përtypë fjalët, por ti nuk thua asgjë,
Se trishtimin tënd, e mbytë tek vetja.
Unë bëra gjithçka, tani s’mundem më,
Pres të thuash:-Një mal me gënjeshtra!
Sonte folmë hapur, mos mbaj fshehur,
Thuaj se shumë gjëra nuk t’i fala dot.
Thuaj se yjet, që mbi ty i kam hedhur,
Me kohë prapë ikën, e lanë pas një lot.
Thuaj kush është vera, si pika gjaku,
Nga vera që Krishti, piu në Ringjallje.
Thuaj se për një çast, do doje së paku,
Të dehesh vërtet, e jo me lojëra fjale.
Thuaj ku m’i ke, pjata, gota e pirunë,
Të stolisur gjithë ar, a me një dragua.
Ku janë shërbyesit, të ulur në gjunjë,
Ku është orkestra që luan veç për mua.
Sonte dua të më thuash edhe më tepër,
Thuaj se ndoshta dikur, s’e dije si isha.
Thuaj po deshe:-Më mirë me një tjetër!
Mora zjarr kot, mos m’i thuaj të gjitha!
ObserverKult