Sokrat Habilaj: Pasi e kuptova se sa borxhli të isha…

sokrat habilaj pasi

Pasi e kuptova se sa borxhli të isha,
Pasi ndjeva edhe trishtim, a brengë.
Pasi pash se nuk i mbaja dot të gjitha,
Pasi veten time tek ty e lash si peng.

Pasi të kam dhënë dhe vitet e një jete,
Pasi i zgjata ditët sa nuk mbanin më.
Pasi pash se s’më dilnin as për vete,
Pasi të dhurova shekujt një nga një.

Pasi u binda se s’shlyhem dot me ty,
Edhe po të të zbrisja një hënë, a yll.
U shtua dhe një borxh, më saktë dy,
Të kam borxh një Mars dhe një Prill.

E s’është fjala se ndjej ndonjë ngutje,
Kur në çdo sekondë përball të mbaj.
Po dreqi ta hajë, mallet s’janë buste,
Po ankthe të çmendura, skaj në skaj!

Do ta shlyej këtë borxh me çdo kusht,
Sikur stinët të harrojnë udhën e vjetër.
Sikur dhe të ketë veç dimër, a Gusht,
Unë, do të bëhem Mars e Prill patjetër!

ObserverKult

Lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: TI S’BËHESH KURRË “ISH”…

SOKRAT HABILAJ: TI, KURRË S’MË NJOHE MUA…