Sonte, Bartezko, Tufa, Gashi, Dimitrijevic dhe Rrusta në “Fiction Fest”

Në mbrëmja e dytë të Festivalit të Prozës ‘Fiction Fest”, që fillon nga ora 19:00, në ambientet e “EUROPE HOUSE” do të prezantohen shkrimtarët: Roland Bartezko, Agron Tufa, Agron Y. Gashi, Ilire Zajmi, Jasna Dimitrijevic dhe Elida Rrusta.

Agron Tufa është një emër që i jep vlerë dhe e nderon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”- edicioni i dytë. Jemi të lumtur që e kemi në mesin tonë njërin nga zërat më reprezantitativë të letërsisë së sotme shqipe. Veprat e tij letrare janë vlerë e shtuar në letërsinë shqipe.

Agron Tufa u lind në Dibër më 1 Prill 1967. Ai është një poet, shkrimtar, eseist, përkthyes dhe studiues. Ai studioi gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Tiranës dhe vazhdoi studimet në Institutin e Letërsisë “Maxim Gorky” në Moskë, Rusi. Pastaj, ndoqi studimet pasuniversitare në Institutin e Kulturave Evropiane (IEK), po ashtu në Moskë. Në Shqipëri ai mbrojti doktoratën e tij për Filozofinë dhe Teorinë e Përkthimit. Ai është Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Njëkohësisht është ligjërues në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (Universiteti i Tiranës).

Agron Tufa ka botuar përmbledhje me poezi, romane, ese, tregime etj. Veprat e tij me poezi janë: “Te portat Skee”, “Rrethinat e Atlantidës”, “Avangardë engjëjsh”, “Fryma mbi ujëra”, “Fragmentet e Gjësë”, “Kafsha apo Fantazma”.  Tufa është autor i romaneve “Dueli”, “Fabula Rasa”, “Mërkuna e Zezë”, “Tenxherja”, ” Gurit të varrit ia rrëfej”,  përmbledhjes me tregime “Thembra e Akcilit.” Po ashtu, ai ka botuar edhe këto vepra me ese “Janusi qindfytyrësh”, “Kuja e Mnemozinës” dhe “Nga hiri i të vdekurve”. Tufa i ka përkthyer në shqip shumë autorë të rëndësishëm rusë, si Osip Mandelstam, Anna Akhmatova, Marina Cvetaeva, Boris Pasternak, Joseph Brodsky, Olga Sedakova, Nikolay Leskov, Yevgeny Zamyatin, Andrey Platonov, Vladimir Nabokov etj.

Është laureat i shumë shpërblimeve letrare, ku vlen ta përmendim çmimin “Penda e Argjendtë” për romanin më të mirë (“Fabula rasa”). Në vitin 2009 merr Çmimin Kombëtar të Letërsisë. Në vitin pasues, 2010, ai merr çmimin “Rexhai Surroi” në Kosovë për romanin  “Tenxherja”. Ndërsa, në vitin 2016 merr shpërblimin “Autori i vitit” nga Panairi i Librit në Tiranë.

Agron Y. Gashi, pjesë e edicionit të dytë të “FICTION FEST”

Agron Gashi është njëri nga zërat më atraktivë e më të veçantë në prozën shqipe që zhvillohet në Kosovë. Është vlerë e shtuar e mendimit dhe shkrimit të letërsisë së sotme shqipe.

Ai u lind në Papiq të Deçanit më 1977, ku ndoqi shkollimin fillor dhe te mesëm. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Filologjisë, dega e Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku mori titullin Magjistër i Shkencave Filologjike me temën “Autobiografia në letërsinë shqipe”. Njëkohësisht ka përfunduar studimet në Fakultetin Filozofik, dega e Shkencave Politike dhe e Administratës publike. Ndërsa, në Universitetin e Tiranës mori gradën Doktor i Shkencave për studime letrare. Është ligjërues bashkëpunëtor në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re (2013-). Punon si mësimdhënës në Shkollën Jopublike “Mileniumi i Tretë”.  Një kohë ka drejtuar revistën për art, kulturë dhe letërsi “ProCult”(2007). Shkrime e tij studimore dhe artistike janë përkthyer edhe në gjuhë të huaj.  Romani i tija “Talianka” konsiderohet si romani i parë i Kosovës i përkthyer në gjuhën italiane.

Veprimtaria e tij studimore dhe artistike përmblidhet në këta libra:

  1. Autopoetika – Modelet narrative autobiografike (studim, 2009),
  2. Mizanteksti – Poetika, sisteme, autorë, vepra (studim, 2012),
  3. ‘Talianka- Intermexo nga jeta e një heroi (roman, 2012),
  4. Rrëfimet e maestros- Dialog me avangardistin e viteve ’70-të – Musa Ramadanin (2014),
  5. Talianka- Intermezzo sulla vita di un eroe, Enseble, Romë, 2016,
  6. Proza autobiografike- Poetika dhe modele (studim, 2017).

Qendra për Kulturë dhe Edukim “SHESHI” dhe “EUROPE HOUSE” janë të nderuara që në edicionin e dytë të “FICTION FEST” e kanë sjellë një njeri dhe një autor të veçantë, siç është Roland Bartetzko.

Ai ka lindur në Vyrselen të Gjermanisë, ku ka kryer edhe shkollën e mesme. Ka shërbyer si ushtar ne Ushtrinë Gjermane, në Këshillin e Mbrojtjes Kroate (HVO), në Bosnje dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Roland Bartetzko është jurist i diplomuar. Punon dhe jeton në Prishtinë.

Ai është autor i librit “Frymë lufte”, në të cilin rrëfen për ngjarjet që i ka përjetuar në luftën e Bosnjës dhe atë të Kosovës.

Jasna Dimitrijeviq, pjesë e edicionit të dytë të “FICTION FEST”

Jasna Dimitrijeviq është njëra nga shkrimtarët më të rëndësishme të letërsisë së sotme serbe.

Ajo u lind më 1979 në Negotin (RSFJ) shkruan tregime të shkurta dhe recensione. Ka diplomuar në Fakultetin Filologjik në Beograd, në Katedrën e Letërsisë së Përgjithshme dhe Teorinë e Letërsisë. Është bashkëpunëtore e rregullt e revistës Liceulice. Jasna ka botuar përmbledhjet me tregime Prepoznavanja (2015) dhe Fibonacijev niz (2018). Ajo punon në një librari në Beograd.

Elida Rusta, pjesë e edicionit të dytë të FICTION FEST

Elida Rusta u lind më 17 gusht 1971. Arsimin fillor dhe gjimnazin i kreu në qytetin e lindjes, në Bajram Curr. Më 1990 i përfundon studimet universitare në Degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Shkruan poezi dhe prozë.

Është autore e veprave letrare, si “Njëmijë vjet Ajkunë” dhe “Engjëjt nuk mbahen për dore”. Është fituese e disa  shpërblimeve letrare në Shqipëri dhe Kosovë. Krijimet e saj janë të përfshira në antologji të ndryshme letrare.

Edicioni i dytë i festivalit të prozës artistike “FICTION FEST” ka filluar dje, dhe do të vazhdoj edhe nesër ku shkrimtarët do ta vizitojnë Janjevën, fshat-simbol të traditës dhe multikultaralizmit, ku në ora 12:00 në shtëpinë-muze të Shtjefën Gjeçovit do të kemi lexime të prozës artistike nga shkrimtarët pjesëmarrës në “FICTION FEST”

Ky edicion u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, programi “Kultura për ndryshim”, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut.

Sponsorë medialë të edicionit të “FICTION FEST” janë gazeta online “Insajderi”, portali për kulturë, letërsi e art “Observerkult” dhe revista për kulturë dhe media “Akademia”./ ObserverKult