Sonte nata e dytë e Eurovisonit, këndon Anxhela Peristeri

Sonte në mbrëmje do të mbahet nata e dytë e Eurovisionit, që këtë vit mbahet në Roterdam të Holandës dhe me kushte të rrepta anti-covid. Midis 17 këngëve, Anxhela Peristeri që përfaqëson Shqipërinë, do të këndojë sonte e 11-ta.

Interpretimi, vokali dhe pamja e Anxhelës, kanë marrë komente pozitive në mbarë Evropën. Ajo u cilësua si e veshura më e mirë në tapetin e kuq të Eurovision-it. ”Për herë të parë këtë vit Shqipëria do të ketë një performancë të kuruar skenike”, thotë Andri Xhahu, komentatori shqiptar i Eurovision-it, në emisionin ‘Ditë e Re’.

“Për herë të parë ne shkojmë në Eurovision me një performancë të kuruar, në kuptimin duke mos ia lënë në dorë të stafit të Eurovision-it, që gjithsesi bën një prezantim të bukur, por pa hyrë në koncept. Ndërsa këtë vit është menduar edhe në mënyrë konceptuale nga krijuesja e performancës, që është suedeze. Ajo ka kuruar performancën e Loreen të Suedisë (që fitoi Eurovision-in para disa vitesh) dhe të Eleni Foureiras me këngën Fuego dy vite më parë. Është e rrallë të punosh me të. Nëse kënga i jep një mesazh, ajo pranon të punojë për të”, transmeton ‘kohajone’.

Ai gjithashtu thotë se në festival asgjë nuk është spontane, çdo gjë përgatitet në detaj. Madje dhe këngëtarët i kanë të parapërgatitura përgjigjet. Që të kalojë Shqipëria në finale, duhet ndihma përmes votave të diasporës shqiptare nga shtetet që mund të votohet. Në momentin që fillon votimi (pas këndimit të 17 shteteve/këngëve), shqiptarët me SIM-numër nga këto shtete duhet të dërgojnë SMS me tekst 11 (vetëm numrin 11).

LEXO EDHE: Cilët janë 10 finalistët e parë të Eurovision 2021?