Sonte, ora 20:00 në Facebook, në formatin online / livestream vjen shfaqja “Im atë donte Adolfin” nga Mehmet Kraja, regjia: Ilir Bokshi, një super prodhim i Teatrit të Gjilanit.
Në këtë shfaqje luajnë : Emine Toska, Ali Demi, Ernest Zymberi, Alban Shahiqi, Avni Shkodra, Bashkim Nexhipi, Njomëza Kalaveshi, Tringa A. Hasani, Safete Mustafa, Gani Rrahmani, Gramos Kërqeli. Skenografia: Bekim Korça Kostumet: Vesa Kraja E shpërblyer me dhjetëra çmime në festivalet e teatrove shqiptare si: shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori më i mirë, skenografia më e mirë, etj, “Im atë donte Adolfin” është një rrëfim dhe udhëtim i jashtëzakonshëm i historisë sonë shqiptare.
“Im atë donte Adolfin” eksploron dhjetë vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, pas kthesës së madhe historike shqiptare, ku koha artikulohet përmes një dioptrie të veçantë, ndryshe nga tregimi letrar i kësaj epoke në prozën tonë.
Brenda harkut kohor dhjetëvjeçar të Atit, mbase 1945/1955, kohë e cila është e ngjeshur me fragmente të shkëputura pamjesh e bëmash, shikuesi a spektatori bredh së bashku me Atin si nëpër një film të gjallë, ecën si nëpër një dokumentar neorealist; narratori, gjatë kësaj rrjedhjeje të shiritit filmik, mjegullon qëllimisht kufirin mes reales dhe fiktives, parodizon historiken përmes dëshmive të bollshme, ironizon dhe groteskëzon ambientin, atmosferën, njerëzit…