Sonte në Prishtinë hapet ekspozita “Ordinary Saints” e fotografit të njohur, Burim Myftiu

Burim Myftiu, fotografi e realizuar nga Ferdi Limani

Sonte do të hapet ekspozita e fotografit të njohur Burim Myftiu e titulluar “Shenjtorët e rëndomtë/Ordinary Saints” në “Hani i 2 Robertëve” në Prishtinë.

Kjo ekspozitë për të gjithë artdashësit do të jetë e hapur nga ora 19:00, ka njoftuar Myftiu përmes një njoftimi në Facebook.

Kurator i kësaj ekspozite është Shkëlzen Maliqi.

Në vend të konceptit, rrëfimi

Nga Burim Myftiu

Madona e Milanos

Ishte vjeshtë e hershme, një nga mbrëmjet me shi. Po udhëtoja me tramvajin numër 23 nga Duomo për në hotelin tim. Në një çast shiu filloi të bie me rrebesh.

Në çdo stacion ca zbrisnin dhe të tjerët hipnin. Prej që ishte përplot, udhëtarët qëndronin edhe në këmbë. Unë isha i ulur dhe mbaja kokën kërrusur i thelluar në mendime dhe duke numëruar ditët e mbetura në Milano, në këtë qytet mahnitës dhe përplot çudira.

Në një çast e ngrita shikimin lartë. Një nënë e re, me një vajzë të vogël qëndronin përpara meje. Ishin kthyer me shpinë. Ajo me një dorë e mbante vajzën dhe me dorën tjetër mbahej vetë.

E kishte të veshur një nga ato palltot e errëta me kapelë. Në një çast ajo u kthye nga unë. Nga skajet e kapelës pikonin dromcat e shiut.

Një pamje si e murgeshave, pamje si nga ikonat mesjetare, e çuditshme dhe anakronike, por edhe një fytyrë ëngjëllore, dhe shumë misterioze për një nënë të re. Brenda në tramvaj filloi të bëhej nxehtë.

Në një nga ndaljet e tramvajit ajo u kthye dhe e çkopsiti pallton. Unë u befasova nga pamja. Përfundi palltos, në gjirin e nënës ishte duke fjetur një foshnjë. Nga drita e dobët mezi dukej vetëm gjysma e fytyrës së foshnjes dhe doçka e vocër.

Unë mbeta i shtangur. Nuk i besoja dot syve. I ngrirë me pamjen, me njëmijë pyetje të heshtura në mendjen time konfuze: “Ç’është kjo? Çfarë po ndodh? Nëna me foshnjen e vogël, tramvaj, natë, shi, veshja, pamja, qetësia e saj…!

Prej nga erdhën?!

Ku po shkojnë?!

Nëna me foshnje në natë me shi! Një pamje ikonike, biblike, dhe aq hyjnore, njëjtë sikurse edhe mijëra vite më parë, ai motiv i njëjtë nga pëlhurat e Mikelangjelo, Rafaelo, Karavagjo…

Jo…nuk kisha përgjigje! Isha magjepsur me pamjen! Pas një çasti fillova të mendoj më qetë. Më duhet të përjetësoj këtë çast. Kjo ndodh njëherë në jetën e njeriut ose edhe asnjëherë nuk ndodh.

Kamerën e kisha në xhep. Por si t’ja bëj? Si t’ja bëj unë tani? Më zuri paniku, sikurse do fotografoja herën e parë në jetë!

Në mes të kësaj dileme tramvaji u ndal. Ajo me engjëjt e saj të vegjël zbritën dhe u tretën mes turmës dhe errësirës. Shikimi më mbeti në dritare. Akoma isha i hutuar dhe nuk mund të besoja.

Ajo pamje nuk mund të përshkruhej me fjalë. Pas ca minuta zbrita edhe unë për të pritur tramvajin e ardhshëm, për të vazhduar udhëtimin. Shiu ishte ndalur. Tramvaji numër 9 arriti me vonesë.

Ishte një nga ato tramvaje të vjetra, që akoma ishin në qarkullim. Unë kërceva brenda dhe u ula. Ndriçimi ishte shumë i dobët. I mbështetur në gjunjë, i thelluar në mendime dhe duke akuzuar vehten se si nuk arrita të përjetësoj atë moment dhe pamje të jetës.

Kur e ngrita kokën, nuk mund të besoja syve. Nëna me foshnjën dhe vajzën e vogël ishin të ulur përballë!

E pamundur!

E pabesueshme!

Nuk mund të jetë!

Isha aq i shqetësuar saqë fillova të rrëqethem! Por në të njëjtën kohë ndjeja edhe një gëzim. Nuk mund të pritja më! Me zë të ulët dhe me respekt e me mirësjellje u drejtova: “Më falni zonjë! Ju,…foshnja,…vajza juaj e vogël,…familja juaj,… është një mrekulli, është diçka shumë e bukur… ëëë,… unë…jam fotograf dhe kjo është jeta ime, ëëë…dhe nëse më lejoni ju lutem, të bëj një fotografi…ëëë?

Ajo vetëm e tundi kokën në shenjë aprovimi dhe sikurse edhe ajo vetë dinte se çfarë po ndodh dhe sikurse edhe vet e priste dhe ishte e pregatitur për këtë çast! Brenda sekondash bëra disa fotografi dhe duke u falenderuar me dy pëllëmbë të bashkuara si njerëzit e lindjes, zbrita.

Ecja në kahje të hotelit duke mos patur përgjigje në ato njëmijë pyetje në mendjen time! Nëpër mendje më kalonin me dhjetra Madona nga librat, katedralet, galeritë, muzeumet.

Madona?

Madona!

Si është e mundur?!

Si mund t’i ndodh kjo një njeriu aq pak religjioz si unë?

“Deja Vu”, sikurse edhe mijëra vite më parë, “Madona”,

…këtë herë në tramvaj!

Milano, 2016

ObserverKult
——

Burim Myftiu
©Burim Myftiu

Lexo edhe:

BURIM MYFTIU: PIKTURA

Poezi nga Burim Myftiu

Një pikturë e tmerrshme më kapi në krah
Me hijen e saj mbuloi çdo gjë
Rridhja në agoni
Si e kuqja, me trupin tim
Shpirti ma ndjeu një ankth

Në mesnatë gjumi më la
E keqja u nda
I riu diell, më zgjoi nga ëndrra
E ndjeva në frymën e
mëngjesit
Çdo gjë ishte e bukur
Ishte e ndritshme

Në këmbë
Me shpirt
Me forcë
E sfidoja hijen
Tërhiqja kufijtë e saj,
Për të hapur krahët
Për t’fluturuar lart
Për të ndjekur dritën e kaltër
Për të gjetur ajër

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult