Sonte “Pushimi i kalorësve”, premiera e parë për sivjet e Baletit Kombëtar të Kosovës

Situatat komike dhe lufta bëhen bashkë në një histori kalorësish. Kësisoj del në pah përditshmëria brenda kufijve të një zone konflikti. Ndalja e kalorësve në pyll, rrëfimet e tyre e përjetimet e atyshme janë boshti i rrëfimit që shpalos shfaqja “Pushimi i kalorësve”.

Me koreografi të Natalia Osipovas, premiera e parë për sivjet e Baletit Kombëtar të Kosovës do të jepet sonte (e enjte). Pas provave që janë mbajtur për gati një muaj, disa nga balerinët dhe koreografja ruse, Osipova, të mërkurën në një konferencë për media kanë shpalosur detaje për shfaqjen.

Me muzikë të Johann Armsheimer, Joseph Strauss e Émile Waldteufel, “Pushimi i kalorësve” është shfaqja e tretë që Osipova realizon me Baletin Kombëtar të Kosovës.

“Pushojnë aty dhe ka shumë histori të vogla që ndërtojnë komedinë”, ka thënë Osipova, e cila në vendlindje, Shën Petersburg, ka punuar si soliste në teatrin e baletit “Boris Eifmann” dhe në atë “Mikhailovsky”. Në “Pushimi i kalorësve”, sipas koreografes, dashuria është gjithmonë e pranishme.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, balerini Kreshnik Musolli, ka thënë se për 21 ditë është bërë punë e madhe në mënyrë që premiera e parë për këtë vit të jetë e gatshme./koha