Debutimi i sopranos Ermonela Jaho në sallën prestigjioze “Wigmore Hall” në Londër, ka bërë bujë nëpër mediat ndërkombëtare.
Koncerti i së hënës iu dedikua sopranos italiane Rosina Storchio (1872-1945), e cila ishte ylli i premierave botërore të Puccinit, Leoncavallos, Mascagnit dhe Giordanos. Njëherësh me koncert u shënua edhe 50-vjetori i kompanisë “Opera Rara”, me të cilën Jaho ka bërë disa nga punët me të mira. Gjatë recitalit, që mori kritika pozitive, Jaho u shoqërua nga pianisti Steven Maughan.
Programi me të cilin sopranoja shqiptare u paraqit ishte një kombinim i këngëve italiane dhe franceze me arie operistike të cilat Rosina Storchio i kishte performuar e që sopranoja shqiptare i ka përvetësuar po ashtu. “Saktësi e pakursyer, një performancë e bërë në mënyrë të mrekullueshme”, e ka cilësuar kritiku Tim Ashley nga e përditshmja e njohur britanike “The Guardian”.
“Puna artistike e Jahos është e rrënjosur në një identifikim të thellë me repertorin e saj të zgjedhur e që rezulton me performanca me saktësi të pakursyer dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme emocionale. Në recital, si në skenë, aftësitë e saj për të ekspozuar psikikën e një personazhi brenda sekondave janë të jashtëzakonshme”, është shkruar për interpretimin e sopranos.
Është vlerësuar se ajo ka bërë publikun që të ndiejë dëshpërimin pas lehtësisë joshëse me të cilën “Sapho” e Messenetit përpiqet që të rimarrë të dashurin e saj endacak, dhe terrorin absolut te “Irisi” e Mascagnit gjersa ajo rrëfen ëndrrat e saj për një përbindësh deti që e konsumon atë. Shkruhet se lotët, ndërkohë kanë rrjedhur nëpër faqet e Jahos gjatë skenës së vdekjes te “Lodoletta” e Mascagnit me të qarat e zëshme gjatë shqiptimit të fjalëve “Io t’amo” (Të dua) para se shpresa dhe jeta të largohen tutje.
“Ndryshueshmëria emocionale sidoqoftë nuk ishte aspak tragjike, kishte gëzim diku tjetër si të ‘Chanson d’Avril’ të Bizetit dhe një sensualitet i butë në të dashurën ‘Serenade’ të Gounod, koloratura melismatike të negociuara në mënyrë të jashtëzakonshme. As për një moment ekstraktet operatike nuk e humbën ndikim e tyre kur u interpretuan me piano. Maughan ishte i mirë, një shoqërues i shkëlqyeshëm dhe na dha valse elegante sallonesh nga Leoncavallo dhe Giordano kur Jaho u largua nga skena. Një recital për t’u dalluar, i realizuar mrekullisht”, ka shkruar “The Guardian”./koha