Sopranoja Marigona Qerkezi: Mishërohem me rolet që interpretoj…

marigona qerkezi

Sopranoja Marigona Qerkezi është një nga artistet tona që ka tërhequr vëmendjen me performancat e saj në skenat teatrore në SHBA, Holandë, Itali, Slloveni, Moskës në Rusi e Barcelonës në Spanjë.

Ajo është lauruar me çmime të shumta prestigjioze në botë.

Intervistoi: Valon Krasniqi

Keni bërë paraqitjen e para skenike si fëmijë, që në moshën 6-vjeçare. Si ishte fillimi udhëtimit tuaj artistik?

Marigona Qerkezi: Sfida e parë ishte që unë të udhëheqja programin në rolin e moderatores si dhe në të njëjtën kohë të performoja si soliste në moshën 6-vjeçare në Ljubljanë. Ende e kujtoj ate performancë, isha tejet e lumtur dhe mezi prisja të dal në skenë, ndjenjë e cila më shoqëron çdoherë edhe sot.


– Jeni vajza e profesoreshës së njohur, e mezzosopranos Merita Juniku, a ju ka ndihmuar ky fakt. A ka qenë ajo “fajtori” që ju merreni me këtë profesion?

Marigona Qerkezi: Vajzë e mezzosopranos dhe pedagoges Merita Juniku është privilegj të jesh.

Në kohë të vështira për ne ajo zgjodhi një profesion ndër më të veçantët  ku depërtoi dhe i besoheshin rolet primare e premierat në skena operistike e koncertale evropiane me traditë (vlen të ceket si e para soliste e Operas nga Kosova).

Ky fakt më bën edhe më shume krenare ta kem jo vetëm nënë por edhe pedagoge që më trajnon dhe këshillon, ashtu siç vazhdon e prodhon kuadro në Universitetin e Prishtinës.

E sa i përket “fajtorit” që unë sot merrem me këtë profesion, ka kontribuar shumë përkrahja e fuqishme nga babai im, edhe atëhere kur mami nuk kishte dëshirë që të vazhdoja të merrem me profesionin të cilin e zgjodha dhe zhvillova me shumë këmbëngulësi.

– Marigona, ti ke zgjedh të kultivosh një lloj të muzikës që konsiderohet pothuajse “e paarritshme” nga shumë artistë, kërkon shumë punë e angazhim, krahas talentit. Nëse ja shtojmë kësaj që t’i vjen nga një vend që nuk ka traditë kushedi sa në muzikë klasike, sa e ke pasë të vështirë të depërtosh, kuptohet për arsye të konkurrencës së madhe dhe pengesave tjera?

Marigona Qerkezi: Përsa i përket pyetjes se unë kam zgjedh të jem pjesë e llojit të muzikës që konsiderohet si nga shumë vetë  “e paarritshme” unë do ta thoja që është formë arti shumë madhështore dhe është i pakontestueshëm fakti që kërkon pafund punë e angazhim veç tjerash.

Personalisht kisha fatin që qysh nga hapat e parë të jetës të përcjellja shfaqjet operistike e koncertale ku interpretonte mami dhe jo vetëm, plot shfaqje të baletit (ku edhe unë si fëmijë kisha paraqitje si balerinë), si dhe te vizitoja galeri e atelie kostumesh, pikërisht edhe në atë të Operës së Ljubljanës ku edhe punonte babai im, kështu që isha e rrethuar në të gjitha anët me art,  padyshim që edhe kjo ka kontribuar në formimin tim.

Ndërsa sa i përket konkurrencës, në botën e madhe të këtij profesioni është më se e vërtetë që ka shumë artistë të mrekullueshëm nga mbarë globi dhe kur e mendoj, të depërtoja në skenat e teatrot në Evropë, Japoni, Amerikë e Arabi nuk ishte aspak e lehtë.

  Keni interpertuar vepra kompozitorësh të njohur, dhe keni kënduar edhe në gjuhë të huaja. Sa  e keni patur vështirë ?

 
Marigona Qerkezi: Veprat që i interpretoj janë shkruar në gjuhë të ndryshme dhe deri tani kam interpretuar në plot gjuhë të huaja mirëpo nuk jam ndjerë në vështirësi, ndërsa çdoherë me shumë dashuri i interpretoj veprat në gjuhën tonë të bukur shqipe që është shumë unike.

– Procesi i përzgjedhjes së një roli si shkon, a ka pasë ndonjë që e keni refuzuar apo edhe e keni bërë mirëpo nuk ju “ka fjetur” aq shumë?

Marigona Qerkezi:
Përzgjedhja e roleve të cilat i interpretoj është proces mjaft specifik dhe bëhet në koordinim me ekipin me të cilin bashkëpunoj profesionalisht. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë rol që nuk më ka “fjetur” pasi siç thashë rolet i zgjedhi me kujdes dhe siç thashë në koordim me ekipin tim.

 
– Kur jemi te rolet cilin e konsideroni si më të rëndësishmin në karrierën tënde e gjertanishme?

Marigona Qerkezi: Unë shoh diçka nga vetja në çdo rol që e interpretoj, e dua, mishërohem me të dhe e performoj me shumë dëshirë. Andaj asnjë rol nuk do ta ndaja nga tjetri, të gjithë janë të rëndësishëm për mua.

– Keni performuar përkrah shumë artistëve të njohur botërorë, a ka ndonjë me të cilin nuk keni arritur dhe do të dëshironit ta ndani skenën me të?

Marigona Qerkezi: Po, absolutisht të performosh përkrah emrave të mëdhenj botëror përveç faktit që e fiton të drejtën që ta ndash skenën me ta dhe ti shohësh nga afër, poashtu të krijon edhe kënaqësinë dhe lumturinë e madhe t’i kesh pranë e të mësosh e plotësohesh.

Jam shumë me fat që e përjetoj këtë ndjenjë shpesh.


– Në sirtarin tuaj tashmë keni renditur edhe një numër të madh çmimeve, sa ndikojnë çmimet te një artist?


Marigona Qerkezi:
Kurorëzimi i fitoreve dhe çmimet operistike ndërkombëtare më kanë dhënë satisfaksion  dhe motivim të madh.

Vlerësimi nga persona eminent të botës operistike është shumë i çmueshëm për mua, dhe në të njejtën kohë ndërlidhet me përgatitjen e fuqishme profesionale në çdo aspekt, për të cilën investojë shumë.

– “Arma” juaj është zëri, a e keni problem ta ruani atë dhe a ka ndodhë që gjatë ndonjë performance keni “dështuar”?

Marigona Qerkezi:
Unë mendoj që profesionisti i mbështet sukseset mbi të gjitha tek vet puna dhe sakrifica që bën për të arritur atë që synon.

Kjo mendoj që e bën diferencën me të tjerët.

– A e keni në plan që të organizoni ndonjë perfomancë “të ëndrrave” në Kosovë. A e keni menduar këtë gjë dhe nëse po me kë (artist) do dëshironit të ishit në vendlindje?

Marigona Qerkezi:
Planet e mia për të performuar në Kosovën time i kam në zemër dhe më sillen në kokë kohë pas kohe , ndërsa sapo të jetë mundësia e parë do i realizoj me plot dëshirë për publikun tim.

– Kosova ende nuk ka sallën e operës, ndonëse ka vite që po përmendet që do të bëhet, por deri më tani ka mbetë veç një premtim. A ka pasë ndonjë inicativë nga ju apo nga kolegët tjerë që t’i bëni në njëfarë forme “presion” institucioneve tona që ju ta keni edhe shtëpinë tuaj në vendlindje ku do të performonit?

Marigona Qerkezi:
Është e vërtet që Kosova ende nuk e ka Shtëpinë e Operës,  ndonëse po gëzohem tejmase që tashmë po kemi risi dhe shpresë që po fillon dhe po bëhet realitet.

Sa i përket asaj që a ka patur iniciativë dhe se a është bërë apo a do të bëhet presion nga ana e artistëve, unë e them me bindje që sikur të ishte respektuar dëshira e artistëve, Shtëpia e Operës në Kosovë do të ishte realizuar qysh moti sepse ajo dëshirë ka ekzistuar dhe ekziston me vite nga gjeneratat para nesh, e jo vetëm nga ne.

– Ndonëse dy vitet e fundit për shkak të pandemisë ka pasë stagnim në të gjitha fushat edhe në atë ku ju bëni pjesë, si ishte rikthimi pas kësaj pauze të detyrueshme?

Marigona Qerkezi:
Po bëhen tani gati dy vite që në tërë botën kishte stagnime shkaku i situatës pandemike, mirëpo për fat të mirë si në skenë e ashtu edhe në ekrane isha prezente në rrethana të vështira madje edhe duke performuar në rihapjen e pesë teatrove të mëdha të Italisë pas pandemisë.


– Në fund a mund të na shpalosni disa nga projektet që i keni në plan t’i realizoni së fundi?

Marigona Qerkezi:
Pas performancës në Teatro Regio di Parma, teatër prestigjioz në të cilin u riktheva me shumë nder dhe kënaqësi, po e vazhdoj rrugëtimin tim artistik me role e shfaqje të reja.

ObserverKult