Sot dhe nesër në Shqipëri, Ditë zie kombëtare në nderim të Ismail Kadaresë

Qeveria ka shpallur dy ditë zie kombëtare për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

Me vendim të Këshillit të Ministrave u vendosi shpallja dite zie kombëtare ditën e martë edhe të mërkurë, përkatësisht në datat 2 dhe 3 korrik 2024, ne nderim të të ndjerit, Ismail Kadare, personalitet i shquar i letrave shqipe.

“Në të gjitha institucionet shtetërore do të ulet flamuri në gjysmështizë.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblin Popullor ditën e mërkurë më 3 korrik nga ora 09:00-11:00 dhe11:30 deri në 13.30.

Në orën 13:00 të datës 3 korrik në nderim të tij të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet 1 minutë heshtje”, thuhet ndër të tjera në VKM.

Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër – një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë. Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.

Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”.

Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.

Librat e tij tashmë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës.

Shumë prej tyre kanë qenë të ndaluar në Shqipërinë komuniste – ndër to edhe “Pallati i ëndrrave”, ku Kadare shtjellon marrëdhënien pushtet-individ.

Kadare emigroi në Francë në vitin 1990, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit.

Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Me vite, u përmend edhe si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsinë.

ObserverKult