Nën patronatin e UNESKO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare.
Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot do të organizohen në suaza botërore.
21 shkurti është shpallur që në vitin 1999 nga UNESCO Ditë Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare dhe çdo vit në mbarë botën organizohen manifestime, organizime në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të gjuhëve amtare.
Në vitin 2007 e njëjta ditë është pranuar nga Asamblea e Kombeve të Bashkuara.
Data 21 shkurt është caktuar për të përkujtuar ditën (1952) e vrasjes së të disa studentëve të Univesitetit Dhaka me origjinë bengali, të cilët qenë vrarë nga policët pakistanez derisa protestonin për të drejtën e gjuhës së tyre bengaleze që të pranohet si gjuhë zyrtare.
Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli. Me anë të gjuhës shprehet shpirti dhe kultura e një populli. Gjuha e një populli, zhvillimi i saj, e folmja e tij, dashuria ndaj saj dhe promovimi i saj tregon, në fakt, kulturën që mbretëron brenda pjesëtareve të atij populli, asaj shoqërie, transmeton ObserverKult.
Analizat e UNESKO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2.500 gjuhë nga pothuajse 6.000 që fliten në botë. Në 90 vitet e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. E fundit që është zhdukur është gjuha “ajake”, të cilën e folur një grua e cila ka vdekur në vitin 2008 në Aljaskë.
Arsyet kryesore për zhdukjen e gjuhëve janë luftërat, dëbimi i detyrushëm dhe asimilimi./ ObserverKult