Në koncertin e shumëpritur performoi Olen Cesari. Nga pamjet e emigrantëve shqiptarë që zbarkuan në Bari në vitin ’91 te dedikimi special për nënën e sëmurë, eventi përcolli emocione të forta në atë skenë që siç e quan Cesari, është mrekullia e 8-të.
Prej koncertit të parë në Pallatin e Kongreseve në 2015-ën, entuziazmi i publikut për performancat e violinistit e kompozitorit eklektik Olen Cesari, veçse është shtuar.
Ulëset në sallën së koncerteve u mbushën plot.
“Shqipëria është Shqipëri! Tirana, Tiranë, tanimë është ndërkombëtare. Mrekullia e 8-të! (Olen po përmbush ëndrrën për të performuar në 7-mrekullitë e botës). Kjo skenë është mrekullia e 8-të. “, shprehet violinisti.
Në skenë ai shfaqet me familjen e tij muzikore, prej 15-vjetësh “International Clandestine Orchestra”. E nisin spektaklin me “Now we are free” nga filmi “Gladiator”.
Por surprizat vijojnë gjatë mbrëmjes, me instrumentistë të Orkestrës që transformohen e kalojnë në mikrofon, edhe për të kënduar. “Një publik fantastik! Kemi ardhur shpesh në Tiranë dhe shpresoj që të vazhdojmë të kthehemi sërish!”, thotë Raul, perkusionist.
Në homazh të rrënjëve, për promovimin e talenteve që rriten, e yjeve që shkëlqejnë në skenat tona, emocionet dhe ritmin shfaqjes ja shton me praninë e dy solistëve të Operas, Adela dhe Anxhelo Muçollarit, instrumentistëve të Liceut, si dhe me nxënësit e Shkollës së Baletit në ‘Adagio-n’ e Albinonit përcjellë edhe me gjuhën e trupit…
Dedikimin special për nënën e tij, që po kalon një moment delikat shëndetësor zgjedh ta bëjë përmes pjesës ‘900’ të Ennio Morricone.
Në skenë ekranizohen edhe pamje të emigrantëve shqiptarë që zbarkojnë në Bari me anijen ‘Vlora’. “ ‘900’ është vetë një pjesë emigrimi dhe imazhet që zgjodhëm janë imazhe emigrimi. Mamaja ime emigroi me mua në Itali kur isha i vogël dhe shkoi drejt së panjohurës.
Të njëjtën gjë kishte bërë dhe gjyshi im. Të njëjtën gjë me anijen “Vlora” bëri dhe gjyshi im. Kështu që ne jemi një familje emigrantësh, popull emigrant dhe për këtë motiv dedikimi special ishte për mamanë time që i uroj shërim të shpejtë”, thotë Cesari. Koncerti vijon me një larmi performancash dhe ndërveprim me publikun.
Nuk mungojnë as elementët e muzikës së traditës sonë, përfshirë polifoninë. Ndërsa entuziazmi i artistëve të ftuar si Ermal Rodi, Carlos Paz, Gaz Paja e Marsela Çibukaj ndihet edhe në paskuinta.
“Ky është koncerti i tretë i Olenit, ku unë marr pjesë si i ftuar special. Është gjithmonë kënaqësi me këtë publik të mrekullueshëm e kaq mikpritës” , thotë Carlos Paz.
Sergio Cammariere, në pamundësi shëndetësore, i bashkohet spektaklit përmes një video-performance. Me të cilin artisti interpreton edhe “Anema e Core” të kënduar nga Lucio Dalla që po ashtu publiku do të shijojë përgjatë këtyre dy netëve.
Sigurisht që me ne në përfundim të maratonës së performancave 2-orëshe, s’mund të mungonte përshtypja e një spektatori të veçantë. “Ky ishte me të vërtetë një koncert shumë dinjitoz”, thotë aktori Luftar Paja.
Videon mund ta shikoni duke klikuar KËTU: /Report tv
ObserverKult
Lexo edhe:
“MOJ E BUKURA MORE”/ OLEN ÇEZARI DEDIKIM EMIGRANTËVE SHQIPTARË: PËR TË MBAJTUR GJALLË SHPIRTIN TONË]
Rrugëtimet e shqiptarëve të nisura para shumë e shumë viteve por të cilat vazhdojnë edhe sot duke emigruar jashtë vendit për një jetë më të mirë, vuajtjet gjatë rrugës, sakrificat, përshkruhen përmes një video, ku violinisti shqiptar me famë botërore Olen Çezari luan në violinë ‘Moj e bukura More’, thotë se e ka zgjedhur për të mbajtur gjallë shpirtin e fortë të shqiptarëve.
Kësaj videoje, Çezari ia ka bërë edhe një përshkrim ku thotë se këtë homazh ia ka dedikuar nënës së tij por edhe gjitha nënave që u ballafaquan me tokën e panjohur për një jetë më të mirë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult