Spiro Dine, një prej mbledhësve më të shquar të folklorit shqiptar

Si sot, më 12 prillin e 100 viteve më parë, vdiq njëri prej mbledhësve më të shquar të folklorit, Spiro Risto Dine (1844-1922).

Lindi në Vithkuq të Korçës dhe që fëmijë mësoi alfabetin e Veqilharxhit. Emigroi në Egjipt në vitin 1866, në moshën njëzetvjeçare, një vit pas Thimi Mitkos, të cilin e takoi atje dhe nisi të bashkëpunonte për përmbledhjen e Mitkos me këngë dhe përralla popullore shqiptare. Ai ishte edhe anëtar themelues i seksionit të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip në Egjipt më 1881.

Spiro Dine është një prej mbledhësve më të shquar të folklorit shqiptar. “Valët e detit” është përmbledhja e tij voluminoze botuar në Sofje më 1908. Kjo përmbledhje me rreth 865 faqe e folklorit dhe letërsisë shqiptare e botuar nga ”Mbrothësia” është një nga veprat më të rëndësishme të autorit. Konsideruar si një botim i rrallë, ende sot, shërben si burim i pashtershëm i llojit të vet.

“Valët e detit” është e ndarë në dy pjesë: 412 faqet e para përbëjnë poezi atdhetare të vetë autorit, si dhe poezi të shkrimtarëve të tjerë të periudhës së Rilindjes: Koto Hoxhi, Thimi Thoma Kreji, Kostandin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Loni Logori dhe Jani Vreto.

Pjesa e dytë e veprës i kushtohet letërsisë folklorike, ku përfshihen këngë dashurie si dhe këngë të tjera./ATSH


Lexo edhe:

PETRO MARKO: E DUA KOSOVËN GJER NË DHIMBJE, SE ËSHTË SHQIPËRI

ObserverKult