“Sprova e gjuhës”, libri i ri i Xhavit Beqirit

Këto ditë doli nga shtypi libri “Sprova e gjuhës”, i autorit Xhavit Beqiri, botim i Sh. B. “Drita”.
“‘Sprova e gjuhës’ është një libër i veçantë që e shpreh Xhavit Beqirin ashtu si e ka proklamuar vetë në një intervistë: “Jetoj e krijoj sipas mënyrës sime”. Origjinal dhe autentik, midis të jetuarit si gjuhëtar dhe letrar njëkohësisht. Krijimtaria e tij në të dy fushat rrjedh natyrshëm, pa asnjë sforcim” – kështu shprehet për librin recensenti, akademik Zejnullah Rrahmani.

Nga Zejnullah Rrahmani

“Sprova e gjuhës” është një libër i veçantë që e shpreh Xhavit Beqirin ashtu si e ka proklamuar vetë në një intervistë: “Jetoj e krijoj sipas mënyrës sime”. Origjinal dhe autentik, midis të jetuarit si gjuhëtar dhe letrar njëkohësisht.

Krijimtaria e tij në të dy fushat rrjedh natyrshëm, pa asnjë sforcim dhe nuk na habit as kur u qaset çështjeve të rëndësishme dhe shumë problematike të gjuhësisë shqiptare, si ajo e gjuhës standarde dhe dialektet, hijet ideologjike, udhëkryqet e saj etj.; shkrime ku manifestohet një ndieshmëri e lartë ndaj diskutimeve dhe rezultateve, por edhe një qasje kritike dhe e hapur, gjithnjë në kërkim të zgjidhjeve të reja e inventive – as kur objektiv i diskutimeve të tija kritike janë temat mbi letërsinë shqipe, në të cilat gjithmonë ndihet edhe penda e një gjuhëtari. Përsëri lexuesi i shkrimeve të tija për çështje të veçanta letrare, për autorë shqiptarë ose vepra të veçanta, e ndien edhe prekjen e gjuhëtarit dhe njohësit të diskutimeve teorike të shekullit të kaluar në këto fusha.

“Sprova e gjuhës” na ofron një lexim të përzgjedhur në mënyrë tepër fine të letërsisë shqipe, sidomos të një krahu të saj, të letërsisë që e shpreh gjithë potencialin e fuqishëm të autorëve siç janë Fishta, Mjeda,Koliqi e Camaj, ose krahu kosovar që rizgjon shprehjen letrare të shqipes veriore, ose gegnishtes, me autorë si Pashku, Rugova, e Z. Rrahmani… Natyrisht që lexuesi i këtij libri nuk mund të presë as të gjejë sforcime dhe as konflikte e mohime të cilësdo pjesë të letërsisë shqipe, por ai vetëm ftohet t’i shijojë vlerat që një letërsi e përzgjedhur prej tij si akt personal i kritikut, ia ofron lexuesit kudo që të jetë, sidomos atij që e ka referencë këtë autor…

ObserverKult


Lexo edhe:

“SHTËPIA NË BREG”, LIBËR I RI I XHAVIT BEQIRIT