Statujë 20 metra e lartë si falenderim për mantelbardhët

Në kryeqytetin e Letonisë, Riga, për nder të punëtorëve shëndetësorë është ngritur një statujë 20 metra e gjatë.

Është kjo një shenjë falenderimi nga komuniteti për kujdesin që kanë treguar mantelbardhët karshi pacientëve të prekur me koronavirus.

Statuja është vendosur në Riga, qytet i njohur edhe për ndërtesat prej druri, arkitekturën e artit të ri dhe qytetin e vjetër mesjetar.

Artisti Aigars Bikše zbuloi statujën të martën në një ceremoni jashtë Muzeut Kombëtar të Arteve të Letonisë në Riga.

Bikše i tha Reutersit se u deshën rreth tre muaj për ta krijuar dhe se ai u frymëzua duke parë sakrificat heroike që punëtorët e kujdesit shëndetësor po bënin për të shpëtuar pacientët e tyre.

“Unë po vëzhgoja lajmet, po shikoja se si mjekët hasnin vështirësi të mëdha në Itali, se si flinin në dyshemetë e spitalit, si ishin plagosur fytyrat për shkak të veshjes së maskave për orë të gjata. Kuptova që unë, si artist, si skulptor, duhet të them diçka”, citohet të ketë thënë ai për Reuters./Albinfo.ch.