Stefan Cvajg: Gjithë natën mendova për ty, pa të njohur akoma…

Stefan Zweig

Stefan Cvajg: Letra e një të panjohure

“….Gjithë natën mendova për ty, pa të njohur akoma. Unë vetë kisha vetëm një duzinë librash të lirë, të lidhur me karton të dobët, të cilët i doja më shumë se çdo gjë tjetër dhe i lexoja vazhdimisht.

Dhe tani po më mundonte pyetja se si duhej të ishte vallë ai njeri, të cilit i përkisnin dhe që i kish lexuar të gjithë këta libra të mrekullueshëm, që dinte gjithë këto gjuhë dhe që ishte aq i pasur e njëkohësisht aq i ditur.

Ndjeva njëfarë admirimi mbinjerëzor, që m’u shtua edhe më tepër nga ata libra të panumërt. Përpiqesha të të parafytyroja: të kujtoja një burrë të shkuar nga mosha, me syze e me një mjekër të gjatë e të thinjur, të ngjashëm me profesorin tonë të gjeografisë, vetëm se shumë më bujar, më të pashëm e më të butë – nuk e di pse qysh atëherë qeshë e sigurt se ti duhej të ishe i pashëm, megjithëse të parafytyroja plak.

Atë natë, pa të njohur akoma, të pashë në ëndërr për të parën herë. Të nesërmen ti erdhe, por megjithëse të përgjova, s’të pashë dot – kjo ma shtoi edhe më tepër kureshtjen. Më në fund, ditën e tretë, të pashë dhe u habita, u trondita shumë që ti m’u shfaqe krejt ndryshe, që ti nuk i ngjasoje fare asaj ikonës së perëndishme! Kisha ëndërruar një plak babaxhan me syze, kurse erdhe ti – ti, ashtu i tëri, siç je edhe sot, o ti i pandryshueshëm, mbi të cilin vitet përplasen e rrëshqasin pa forcë!…

ObserverKult


Lexo edhe:

SULMI FIZIK MBI VAÇE ZELËN MË 1993, KUSH ISHTE PERSONI QË E SULMOI?