Stefi Prifti: Korça është një dritare arti. Publiku ishte dhe mbetet mbështetja jonë më e madhe!

Stefi Prifti dhe Endri Prifti dy vëllezërit korçarë njihen si një prej dueteve më autentike që përçon në mënyrë unike këngën e bukur shqipe. Me serenatat që rrjedhin natyrshëm prej tyre, baladat, pop-rock-un etj., ata gjithnjë rrëmbyen zemrat e publikut.

Stefi Prifti për ObserverKult ka folur për rrugëtimin e tyre në karrierë, sukeset e sfidat në muzikë.

Stefi Prifti

Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi

Stefi, juve dhe vëllain tuaj, Endrin, ju kemi dëgjuar për dekada duke kënduar bashkë në skenë. Por, si nisi gjithçka?

Stefi Prifti: Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën! Natyrisht, që në Kosovë ne dalim pak mediatikisht dhe është kënaqësi për mua t’iu përgjigjem pyetjeve tuaja. Nëpërmjet jush dhe portalit kulturor ObserverKult, uroj të tregojmë pak nga jeta dhe sukseset tona.

Atëhere…të përgjigjem në pyetjen e juaj. Gjithçka ka nisur tek rrugicat e mëhallës tonë në vendlindje, pra në Korçë. Çunat e lagjes (më të rritur), mblidheshin shpesh me kitara e mandolina dhe nëpërmjet tyre u evidentuam fillimisht.

Ne ishim shumë të vegjël, por ata nuk rreshtën së na kërkuari. Madje duke ju lutur nënës tonë të na lejonte herë pas here. Dhe kështu mësuam edhe një repertor serenatash. Natyrisht ne spikatëm në kopësht, ku shpesh kishim role solistike dhe pjesë e përhershme e festave të fëmijëve.

Më pas mua më regjistruan në shkollën e muzikës ‘Tefta Tashko Koço’ në instrumentin e violinës. Endri është 3 vjet e gjysëm më i vogël se unë dhe më ndiqte hap pas hapi…

Nëna jonë ka qenë gjithashtu një faktor shumë i rëndësishëm në fillimet tona. Gjyshi.. daja… mëhalla… Vetë qyteti jonë është një dritare arti.

Hera e parë që e keni shkelur skenën, a ju kujtohet. Si ishin ndjesitë?

Stefi Prifti: Nëse flasim për skenën profesioniste si këngëtar, unë e kam shkelur më vonë. Këtu nuk kam parasysh daljet e mia si solist në kopsht apo shkollë. Kishte diçka më primare në jetën time të atyre viteve. Ishte violina. Instrumenti që e desha dhe e dua shumë. Dashuri me vete. Kam studiuar shumë dhe prioriteti im ishte konkurrimi për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve te Bukura), gjë e cila u bë e mundur në vitin 1998.

Gjatë viteve si student u prezantova në grupin “Studenti” dhe pata fatin të bëhem pjesë e këtij grupi modern, i cili drejtohej nga kompozitori dhe miku im i mëvonshëm, Ilir Dangllia. Në këtë periudhë kam provuar skenën e vërtetë si këngëtar profesionist i këtij grupi. Kam kujtime shumë të bukura dhe padyshim emocione pa fund.

Po këngët e para, cilat ishin ato?

Stefi Prifti: Kënga e parë që kam kënduar në festivalin e RTSH-së ka qenë: “Ne studentët”, me muzikë të Ilir Dangllia dhe tekstin nga poetja Irma Kurti.

Sa ishte përcaktuese treva prej nga vini në zhvillimin tuaj artistik?

Stefi Prifti: Padyshim, për Korçën mund të flas shumë. Kanë folur shumë edhe artistë, studiues, shkrimtarë e politikbërës. Por ne kemi qasjen tonë për mrekullitë që ofron ai qytet. Kemi kujtimet tona, studimet, shoqërinë e bukur, vendet e mrekullueshme që ofron Korça me zonën përreth. Dhe mbi të gjitha atë trashëgiminë kulturore që ky qytet i ka dhënë gjithë shqiptarisë. Atje mësuam serenatat e para, tek rrugicat e dashura të mbushura me jetë e gjallëri. Në Korçë patëm flirtet dhe dashuriçkat e moshës së adoleshencës…Kënduam edhe ne poshtë dritareve të vajzave, herë për vete dhe herë për shokun e ngushtë. Kujtime pa fund…

Ju njiheni si “Njëshi” për këndimin LIVE, sa është e vështirë kjo?

Stefi Prifti: Të këndosh LIVE është të jesh i vërtetë në artin e këndimit. Jemi shumë krenarë nëse ajo që ju thatë është e vërtetë.

Në radhë të parë zëri është i lindur. Pastaj talenti, i cili është kultivuar me shumë studime dhe më pas vjen puna e madhe dhe përvoja ndër vite. Interpretimi LIVE është një nga elementet më të rëndësishëm në botën e vërtetë të artit, i cili konfirmon të qenit këngëtar. Historia shqiptare njeh dhe vërteton, se në çdo etapë të saj ka nxjerrë këngëtarë me vlera që respektohen dhe dëgjohen dhe sot e kësaj dite. Kam shumë respekt për të gjithë atë plejadë interpretesh të Shqipërisë dhe Kosovës që na kanë bërë krenarë me zërat e tyre të bukur.

Si e komentoni faktin se shumë këngëtarë nuk e preferojnë LIVE-n?

Stefi Prifti: Nuk janë pjesë e këtij arti dhe rrjedhimisht nuk më interesojnë. Publiku duhet t’i evidentojë dhe të mos pranojë të paguajë për t’i dëgjuar ‘playback’ në koncertet e tyre.

Ç’mendim keni për muzikën shqiptare sot?

Stefi Prifti: Kjo është një pyetje që kërkon një analizë të thellë dhe të plotë. Pra, mund të flasësh shumë.

Së pari, duhet përcaktuar lloji i muzikës. Nuk besoj se e keni fjalën për muzikën popullore dhe folklorike. Tabani ynë muzikor është i fortë dhe i konsoliduar, sipas trevave, natyrisht. Mendoj se tokat shqiptare mund të kenë një rekord për shumllojshmërinë e kodeve dhe variacioneve zakonore, harmonike, ritmike etj. Kjo është një vlerë që na përfaqëson bukur.
Konstatoj me kënaqësi, se në 10-vjeçarin e fundit janë bërë më shumë përpjekje, kryesisht nga vetë artistët, që këngët e trevave të ndryshme të interpretohen dhe shijohen në të gjithë territorin tonë. Për fat të mirë kjo po ndodhë edhe në diasporë. Duhet akoma shumë punë për këtë fakt.

Nëse flasim për muzikën e lehtë, rryma të ndryshme të muzikës moderne, këtu janë gjërat paksa ndryshe. Me pak fjalë, dua të them se, jo çdo gjë (këngë), është shqiptare. Për disa vite na mbyti tallavaja. Mbas shumë debatesh e diskutimesh tallavaja tashmë ka atë vend që i takon.

Ndërkohë kemi rryma të ndryshme, joshqiptare që kanë pushtuar ekranet dhe radiot tona, a thua se ne jemi një geto zezakësh. (Pa keqkuptime.. jo për racizëm. Për muzikën e kam fjalën…).

Mendoj se ka humbur ai uniteti artistik, të cilin për vite e dekada të tëra u përpoqën dhe dhanë kontributet e tyre të vyera, kompozitorët dhe poetët tanë të mëdhenj. Një nga qëllimet e tyre madhore ishte: – krijimi mbi baza autentike dhe kombëtare i muzikës së lehtë (moderne), shqiptare. Pavarësisht sistemit dhe orientimit drejt një rryme, Realizmit Socialist, ata ja arritën qëllimit dhe falë tyre Shqipëria ka një identitet të trashëguar tashmë. Që të mos zgjatem, se për këtë temë mund të shkruaj një libër…
Të përpiqemi të ruajmë dhe forcojmë identitetin e muzikës shqiptare. Natyrisht, ka dhe përpjekje të mira nga artistë dhe kompeticione të ndryshme. Në 2-3 vitet e fundit, veçoj Festivalin Kombëtar.

A ndjeni konkurrencë me kolegët këngëtarë edhe pse tashmë keni kaluar më shumë se tre dekada në këtë rrugëtim dhe jeni shumë të pëlqyer nga publiku?

Stefi Prifti: Nuk ka asnjë lloj konkurence në jetën tonë artistike. Ne kemi individualitetin tonë si duet dhe repertorin e këngëve tona, shkruar ndër vite.

Tek rastet kur ne bëhemi pjesë e një kompeticioni konkurues, patjetër që secili pretendon për të fituar. Për fat të mirë jemi vlerësuar me shumë çmime.

Keni marrë pjesë në shumë festivale si “Kënga Magjike”, Festivali i RTSH-së”, te “Këngë moj”. A ka qenë gjithmonë pretendimi i juaj se “po” do të fitojmë çmimin e parë, apo… ndonjë çmim tjetër. A po thjesht pëlqimin e publikut e rendisni në rend të parë.

Stefi Prifti: Kur bëhet pjesë e festivaleve, natyrshëm çdo artist ka pritshmëritë e veta. Sidomos në prezantimin dhe premierën e tyre, këngët janë si fëmijët e porsalindur. Çdo autori apo interpreti, kënga e vet i duket gjithmonë më e mira… Pas një përvoje të caktuar fillon dhe kupton se ka edhe këngë të tjera në konkurrim që janë po aq të bukura. Vlerësimi i këngëve në konkurrim (gjatë konkurrimit), kërkon njohje të thellë të muzikës dhe kurajo e tolerancë për të thënë, se ka disa këngë që janë të ndërtuara bukur artistikisht dhe mund të fitojnë.

Në “Kënga Magjike” ne kemi marrë shumë çmime dhe në të gjitha pjesëmarrjet tona kemi qenë në natën finale, brenda 5-6 më të mirëve.

“Serenata”, pjesëmarrja jonë e parë në finalen e Këngës Magjike. Një bashkëpunim i bukur me Çiljetën. Muzika, Adrian Hila, teksti Pandi Laco.
“Jepe – jepe”, Adi Hila – Rozana Radi.
“Mamën ti mos e gënje”, përsëri Adi Hila – Pandi Laco.
“Zemra ime është gjallë”, një këngë me mesazh të fortë për mbarë shqiptarinë, shkruar nga vëllai im, Endri Prifti etj.

Në “Top Fest”, kemi paraqitje të shkëlqyera, dy herë pretendentë për çmimin e madh me “Do vazhdoj të flas” dhe “Ti se meriton”.

Në Festivalin Kombëtar kemi disa pjesëmarrje të rëndësishme, si balada “U dogja mrekullisht”, shkruar nga unë apo kënga e mrekullueshme “Ti bëre faj” shkruar nga kompozitori Josif Minga me tekst të poetit Skënder Rusi. “Mbi çdo iluzion”, muzika Voltan Prodani dhe teksti Timo Flloko, etj.

Në “Këngë moj”, një produksion i ri dhe i veçantë jemi vlerësuar me çmimin e parë, me këngën “Korçarja”.

Për të gjitha këto arritje unë dua të falënderoj të gjithë autorët, kompozitorë dhe poetë të shquar që na besuan interpretimin e veprave të tyre.

Ju këndoni në disa zhanre si pop, popullore moderne. Cilin zhanër e këndoni më për qejfi?

Stefi Prifti: Ne kemi dy boshte kryesore. Pop – rock (këtu shpesh ka balada, këngë të ritmeve të ndryshme, deri në mombaton, si “Bang bang”, p.sh apo regge, si bashkëpunimi me grupin Burn, “Mendoj për ty”, apo një nga këngët tona më të reja dhe shumë e suksesshme “Me e mira”, me ritëm modern dhe pak ndërthurje egzotike).

Boshti tjetër i repertorit tonë është i lindur vetiu nga rrugicat e qytetit tonë, Serenata. Këtu vlen të theksoj diçka. Duke qenë se kishim një ndërthurje të trefishtë në dejet tona, pra: rrugicat – shkolla e muzikës klasike dhe pop-rock-u, interpretimi dhe mënyra se si ju qasemi ne serenatës pas kthimit nga emigracioni ishte një risi, që sot është kthyer në një shkollë interpretimi. Të gjithë këngëtarët e këndojnë këtë zhanër të muzikës shqiptare sipas mënyrës tonë.

Përveç zërit të veçantë, njiheni edhe për batutat , sinqeritetin apo të folurit lirshëm para publikut, për tema të ndryshme. Mendoni se kjo ju ofron më shumë afër tyre ?

Stefi Prifti: Jemi njerëz të thjeshtë dhe nuk mund të ndryshojmë tani. Publiku ka qenë dhe mbetet mbështetja jonë më e madhe.

Ndonjë këngë, bashkëpunim që e keni më për zemër? Pse është më i pëlqyeri i juaj

Stefi Prifti: Bashkëpunime kemi shumë dhe në këtë rast nuk dua të bëj diferencime. Nëse përmend disa, e sigurt që do t’i harrojë disa të tjerë (qesh).

Për cilën arsye do të hiqnit dorë nga muzika?

Stefi Prifti: Nuk ka asnjë arsye që ne të heqim dorë nga muzika. Muzika rrjedh në gjakun tonë. Në halle dhe gëzime muzika të ndihmon të shohësh përpara. Të jep jetë.

A keni ndonjë peng, ëndërr që keni dëshirë të realizohet në ndonjë të ardhme të afërt?

Stefi Prifti: Kam një projekt të madh, prej disa vitesh tashmë dhe shpresojmë ta realizojmë vitin që vjen. Për detaje nuk mund të flas.

Ndonjë projekt të ri muzikor a presim së shpejti?

Stefi Prifti: Patjetër që po. Shumë shpejtë. /ObserverKult


Lexo edhe:

“TRIUMFI I JETËS”, ENDRI DHE STEFI PRIFTI PJESË E FESTIVALIT TË 60 TË KËNGËS

Artistët e njohur, Endri dhe Stefi Prifti, do të jenë pjesë e Festivalit të 60-të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar

“Triumfi i jetës” titullohet kënga që vëllezërit korçarë kanë zgjedhur për të konkurruar në këtë përvjetor të rëndësishëm të Festivalit të Këngës.

Jemi të bindur që Endri dhe Stefi me interpretimin drithërues të kësaj kënge emocionuese do ta bëjnë edhe më të bukur Festivalin. Duke lënë në të një ‘gur të çmuar’ në kolanën e këngëve të këtij festivali.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult