Ishte menduar të ishte turneu i lamtumirës, por ai përfundoi më shpejt se sa pritej. Pas një pauze fillestare, u shpërnda njoftimi se grupi “Aerosmith” do t’i thotë lamtumirë skenës, përgjithmonë. Kjo shënon fundin e një epoke, ku pas më shumë se pesë dekadash yjet e “Dream On”, “Love in an Elevator” dhe “Janie’s Got a Gun”, po dalin në pension.
“Problemet e kordave vokale të Steven Tyler janë të pariparueshme”, njoftoi grupi, duke anuluar të gjitha datat e turneve. “Ka qenë nderi ynë të bëjmë muzikën tonë pjesë tuajën”, deklaroi grupi në një postim në profilet sociale drejtuar fansave të tyre që njihen ndryshe si Ushtria Blu.
Aerosmith kishte planifikuar një turne të fundit të quajtur “Peace Out”, që duhet të kishte vazhduar të paktën deri shkurtin e ardhshëm me ndalesa në Amerikën e Veriut, Kanada dhe një finale e madhe në Madison Square Garden.
Lajmi për anulimin e datave të planifikuara erdhi pas një sërë shtyrjesh që lidheshin kryesisht me problemet shëndetësore të Tyler. “Vendimi për t’i dhënë fund ishte i vështirë, por i domosdoshëm, pasi zëri i Tyler që është një instrument i pakrahasueshëm, po përballet me një problem shëndetësor. Steven ka kaluar muaj të tërë duke punuar pa u lodhur për ta rikthyer atë në mënyrën si ishte përpara dëmtimit. Fatkeqësisht, është e qartë se një rikuperim i plotë nuk do të jetë i mundur”, u shpreh grupi në rrjetet sociale./a2cnn
ObserverKult
Lexo edhe:
12 THËNIE NGA KURT COBAIN, LIDERI I GRUPIT LEGJENDAR “NIRVANA”