Nata e gjatë e 8 dhjetorit 1990, bashkoi rreth 300 studentë, të cilët nisën atë që, më vonë, mori emrin “Lëvizja Studentore e 90-ës”. Studentët, të organizuar marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës.
Marshimi revolucionar ndaloi mes qytetit të tyre dhe bulevardit të Tiranës. Radhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1 000 persona. Përkundër paraqitjes së forcave policore, studentët nuk u ndalën, duke bërë që Lëvizja Studentore në ditët në vijim, të rritej.
Ditën e nesërme, më 9 dhjetor, studentët konfirmuan kërkesat presidentit të asaj kohe, Ramiz Alisë, ku kërkonin në vija të përgjithshme pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike.
Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditë më pas, deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje, kur gjatë takimit me Ramzi Alinë, u konfirmua edhe pluralizmi politik, që u shpall menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.
Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditë te para të vitit 1991, deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur studentët me mbështetjen e pedagogëve dhe shumë qytetarëve të Tiranës, pushtuan sheshin “Skënderbej”, ku duke rrëzuar bustin e diktatorit Enver Hoxha, rrëzuan përfundimisht edhe sistemin komunist në Shqipëri./konica