reklamë

Studimi: Sekretet dëmtojnë shëndetin tonë mendor

Sekretet mund të shkaktojnë shqetësim dhe ndjenja negative që ndikojnë thellësisht në mirëqenien tonë mendore. Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar në “PsyArXiv”, por që ende nuk është rishikuar nga shkencëtarë të tjerë.

Sipas studimit, problemi, nuk është vetë sekreti, por fakti që mendjet tona kthehen spontanisht tek ai, duke na “kujtuar” vazhdimisht se kemi diçka për të fshehur.

Në studim morën pjesë 240 vullnetarë, të rekrutuar bazuar në një kërkesë të vetme: të kishin të paktën një sekret. Mesatarisht, një person mbante nëntë sekrete, të vlerësuara si “mesatarisht të rëndësishme”.

Më të zakonshmet ishin gënjeshtrat, pakënaqësia me pamjen fizike, problemet financiare, dëshirat romantike dhe sjellja seksuale. 

Pjesëmarrësit mbajtën një ditar për dy javë, duke regjistruar frekuencën dhe modelin e mendimeve të tyre në lidhje me sekretet e tyre. Duke i krahasuar këto të dhëna me matje ditore në kohë reale, studiuesit zbuluan një detaj kundërintuitiv: njerëzit kanë tendencë të mendojnë për sekretet më shumë në mënyrë të pavetëdijshme sesa qëllimisht.

Zbulimi interesant është se në ditët kur vullnetarët mendonin qëllimisht për sekretet e tyre, ata shqetësoheshin më pak për to, ndonjëherë madje fantazonin për to me emocione pozitive. Anasjelltas, kur mendimi ndodhte spontanisht dhe në mënyrë ndërhyrëse, ai shkaktonte një rreth vicioz ankthi që ishte i vështirë për t’u thyer.

Pasojat negative në mirëqenien emocionale, përfundojnë studiuesit, do të ishin rrjedhimisht rezultat i një cikli reagimesh të shkaktuar nga mendime obsesive rreth sekretit, në vend të përpjekjes aktive për ta mbajtur atë të fshehur nga të tjerët. Frekuenca me të cilën sekreti “troket” në vetëdijen tonë përcakton se sa shumë do të na dëmtojë./a2cnn

ObserverKult


Lexo edhe:

Alain Bosquet: Dialog të dashuruarish