Studiuesi: Çamët s’kanë bashkëpunuar me fashistët, në Shqipëri erdhën 25 mijë në ’44!

Studiuesi Lorenc Agalliu boton monografinë “Çështja çame gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Një studim që ka në qendër të dhëna arkivore edhe dokumente mbi masakrat edhe largimet e popullsisë çame nga territoret e saj etnike në Greqi. Studiuesi na rrëfen se çështja çame ka lindur për shtetin shqiptar, që në vitin 1912, edhe se çamët s’kanë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve.

“Me anë të dokumenteve kemi dashur që të hedhim poshtë tezën, që mbizotëron në historiografinë edhe politikën greke, që popullsia çame ka qenë bashkëpunëtore me italianet edhe gjermanët, pra me pushtuesit. Në realitet do të theksonim, se çamët jo vetëm që s’kanë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve, por kanë qenë pjesëtarë të forcave partizane në çetat greke dhe shqiptare, për çlirimin e Shqipërisë edhe të Greqisë. Çështja çame u shty nga pushtuesit italianë, pasi ata nxitën çështjen për të krijuar trazira në Ballkan, por edhe për të krijuar mundësi që të pushtonin vendet e Ballkanit”, shpjegon studiuesi.

Agalliu përmes dokumenteve thotë se në vitet 1944-1945, rreth 25 mijë çamë u vendosën në Shqipëri.

“Edhe gjatë luftës italo-greke, rreth 15 mijë çamë për shkak të luftimeve u detyruan që të kalonin kufirin dhe të vinin në Shqipëri. E njëjta gjë ndodhi dhe në vitet 1944-’45, ku pati pasoja shumë të rënda, pasi 3000 mijë çamë u vranë edhe rreth 25 mijë të tjerë u vendosën në Shqipëri. Në të dyja rastet, 1940 dhe ‘45 populli shqiptar i priti ata si vëllezër”, vijon Agalliu.

Agalliu ndalet edhe tek përpjekjet që janë bërë për njohjen e çështjes çame nga Greqia gjatë 30 vjetëve, edhe deri tek njohja që duhet t’i bëjnë kësaj çëshje ndërkombëtarët.

“Greqia refuzon njohjen e çamëve. Refuzojnë të ulen në biseda, por këto studime ndihmojnë në dhënien e argumenteve të reja për t’i bindur me fakte, që ata të diskutojnë për ta”.
Këto ditë në vendin tonë po zhvillohen dhe aktivitete të ndryshme, që po ndërmerren në kuadër të “Javës çame”./shqiptarja