Sueton Zhugri: Duke të parë

Poezi nga Sueton Zhugri

Duke të parë në sy,
nganjëherë shoh yje që bien
ndonjëherë çarçaf yjesh ta mbulon shikimin
dhe herë të tjera e gjithë Udha e Qumështit
vertikalisht si në sy macesh
më thith brenda teje.

Këtu unë jam në kënd habije prej bufi.
E vështroj prenë time, ose ndoshta është ajo
që sheh nga preja e saj.
Habi bufash dhe sulmesh. Jemi në tërheqje…
Është si një lloj feste jashtë dhe brenda nesh
Iluzioni se jetojmë edhe jetën e tjetrit na kaplon
Gishtërinjtë gërshetohen pëllëmbë në pëllëmbë.
Ka tërheqje të dehura molekulash
Buzë e flatra ndërrojnë vende,
e gjitha një ajër i ndezur.
Artizane nata qëndis klithma hareje
në një qiell pëshpëritjesh.
Jemi të mbështjellë nga asgjëja dhe gjithçkaja
njëkohësisht si në një byrek shumë fletësh,
copëza mishi e shpirti piqen në furrën e dëshirës.
Yje bien edhe këtë natë, por ti s’mund t’i shohësh.
Do të doje më mirë të vështroje detin,
koralet dhe peshqit picasso, yjet e kuq të thellësive
Të premtoj, do t’i numëroj një e nga një, gjer tek i fundit,
të pafundmin… yllin e shpirtit tim…

Duke të parë në sy
shoh yje që bien, bien…

10.10.2023

ObserverKult


Lexo edhe:

SUETON ZHUGRI: BUZË TË TJERA

Jeta është një humbje kohe për varret.
Për gurët me emrat e shkruar bukur
Trëndafilët që varrmihësit i bëjnë të lulëzojnë çdo pranverë
Dhe vijat ndarëse të mirëpërcaktuara.
Por ja që rrugicave ndarëse bredh kotësia
Hapa të harruar mblidhen në shportat e hiçit
Ndreqen gardhet e lahen mermerët…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU