Sukses në skenën ndërkombëtare/ Shkolla e vallëzimit “Dancing House” nga Gjilani shpërblehet në Sofia Dance Fest

Shkolla e vallëzimit “Dancing House” nga Gjilani përfaqësoi Kosovën në një nga festivalet më prestigjioze të vallëzimit në rajon, Sofia Dance Fest në Bullgari, ku u shpërblye me vendin e tretë.

Si e vetmja shkollë nga Kosova, “Dancing House” prezantoi një performancë në kategorinë Modern Contemporary, duke sjellë një koreografi unike dhe emocionuese.

Pavarësisht suksesit, shkolla e vallëzimit u përball me sfida të shumta gjatë rrugëtimit të saj. Në një prononcim për Telegrafin, koreografja Naski Ahmeti ndau përvojën dhe vështirësitë e hasura deri te kjo arritje.

“Një nga sfidat më të mëdha ishte përshtatja e orarit të provave, pasi kërcimtarët tanë ndjekin shkollën dhe kurse të tjera. Ishte e vështirë të siguronim një orar të përshtatshëm për prova intensive, por kërkesa për disiplinë dhe përkushtim nga i gjithë grupi bëri që ta përballonim me sukses këtë sfidë,” tha Ahmeti.

Përgatitjet fizike intensive ishin një tjetër sfidë, pasi sipas Ahmetit, kërkonin përkushtim të madh fizik dhe mendor.

Ahmeti theksoi se ushtrimet zgjatën për tre muaj, duke ndihmuar grupin të ruante energjinë dhe formën e duhur deri në momentin e performancës.

Një tjetër sfidë e rëndësishme ishte edhe sigurimi i mbështetjes financiare.

“Kishim nevojë për kostume të veçanta, akomodim dhe transport, por fatkeqësisht, asnjë nga bizneset e mëdha në Gjilan nuk ofroi mbështetje financiare, gjë që është vërtet për të ardhur keq,” theksoi ajo.

Ahmeti shprehet se suksesi i shkollës u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe juria, ndërsa prindërit ishin shumë të kënaqur me paraqitjen e grupit.

Ajo theksoi se performanca mori një dimension edhe më të veçantë falë pjesëmarrjes së një valltareje me sindromën Down.

“Në ekipin tonë është edhe Anduena Smerqaku, një vajzë me sindromën Down, e cila e bëri performancën edhe më të veçantë. Për ne, është një sukses i madh që Anduena ka arritur dhe po vazhdon të arrijë suksese të vazhdueshme në festivale ndërkombëtare,” potencoi Ahmeti.

Sipas saj, pjesëmarrja në këtë festival ka një rëndësi të madhe për shkollën e vallëzimit, pasi reagimet pozitive konfirmojnë se ata janë në rrugën e duhur.

“Ky sukses në festivalin e kërcimit në Bullgari është një arritje e madhe për ‘Dancing House’. Përfaqësimi ynë në skenën ndërkombëtare dhe vlerësimet pozitive nga publiku dhe juria dëshmojnë se jemi në rrugën e duhur drejt rritjes dhe avancimit në botën e kërcimit,” tha ajo.

Ahmeti tregoi për Telegrafin se shkolla tashmë ka marrë shumë ftesa për të qenë pjesë e festivaleve dhe garave ndërkombëtare të kërcimit dhe se synojnë të marrin pjesë në shumë prej tyre.

“Do të punojmë me përkushtim për të zgjeruar grupin dhe për të realizuar një shfaqje të madhe bashkëkohore. Po ashtu, do të angazhohemi në sigurimin e mbështetjes financiare, pasi ndihma dhe përkrahja e donatorëve janë thelbësore për zhvillimin dhe suksesin tonë,” shtoi Ahmeti.

Në fund, ajo falënderoi prindërit për mbështetjen e vazhdueshme dhe për inkurajimin që i japin fëmijëve të tyre për t’u angazhuar në aktivitete të tilla. /Telegrafi/

ObserverKult


Lexo edhe:

KOSOVA NË PANAIRIN E LIBRIT NË LEIPZIG 2025