Sulejman Mato: Mendoi ndarjen dhe iu errësua jeta…

trishtim respekt Jorgo...
Foto ilustrim

“Njeriu mund zihet dhe për një qime floku.”

Nga Sulejman Mato

Ina Petrani hoqi xhaketën e të shoqit nga karriga dhe e vendosi në garderobë. Ndërkohë i tërhoqi vëmendjen diçka e pazakontë; një fje floku, e gjatë, ishte varur në xhaketën e tij, në një formë të spërdredhur…

Uau! Fillimisht u trondit.


Ç’kërkonte kjo fje floku në xhaketën e Tosit? I shkoi mendja tek kthimi i tij i një nate më parë, me vonesë, dhe çehrja e veçantë e fytyrës, e asaj mbrëmje. Kishin disa ditë që nuk flisnin me njeri-tjetrin, për shkaqe krejtësisht banale, por nuk kishte ndodhur asnjëherë që pa kaluar ora të mos i kërkonin falje njeri-tjerit.

Ina Petrani nuk ishte nga ato gra të reja e të martuara me dashuri që nuk e niste grindjen e para dhe nuk mbante mëri gjatë, sidomos me Fatosin, i cili, qysh nga njohja e tyre e parë ishte treguar tepër i kujdesshëm në marrëdhëniet bashkëshortërore.

Lidhja e tyre ishte forcuar dhe më tepër pas lindjes së fëmijës së dashurisë, Erisës, e cila në tetë qershor mbushte gjashtë muaj. Në fshehtësi dhe në një gjëndje të mpirë, e hoqi fijen e flokut nga xhaketa e të shoqit dhe e kqyri me kujdes…

Ju morën mend. Iu rrotullua dhoma. Po. Po! Fije floku e një gruaje e cila, sigurisht, nuk mund t’i ngjitej xhaketës së të shoqit të saj rastësisht. Kujtoi vetëtimthi bisedën e një nate më parë , çastin kur Fatosi hyri te dera i lodhur… hoqi xhaketën, e vuri mbi karrigen e dhomës së gjumit. Edhe pse atë çast, ajo nuk u bë kureshtare ta pyeste për vonesën, ai u tregua i kujdesshëm për ta justifkuar vonesën me datëlindjen e një kolegeje. Gjer në atë çast ajo kurrë nuk kishte dyshuar në sinqeritetin e tij. Mirëpo, kohët e fundit, e sidomos gjatë muajve të shtatzënisë, asaj i dukej se Fatosi kishte ndryshuar. Nuk ishte më i pari…

Mendoi ndarjen dhe iu errësua jeta.

Nuk i mbanin këmbët. Nuk ishte e përgatitur për një ndarje të mundshme. Edhe dielli sikur të errësohej do ta besonte, ndarjen me Fatosin kurrë.


E vari xhaketën në garderobë pa guxuar t’ia hiqte atë fje floku fatndjellëse. Le të rrijë aty si dëshmi e aventurës së tij të turpshme. U ul në karrige pa ditur ç’të bëjë. Duhet të
tregohem e kujdesshme, mendoi.

Nuk duhet të nxitohem.

Ina ishte nga ato gra të bukura dhe me karakter të fortë, që marrin vendime të shpejta, por që kur vendosin për
diçka nuk e kthejnë kokën pas. Kaloi në korridor dhe hyri në kuzhinë, pa ndonjë qëllim. Vetëm për t’iu larguar asaj fje floku, dhe ankthit rrokopujë të atij çasti. S’e kishte
menduar kurrë se do të vinte kjo ditë. Dhe përse? Për një fje floku…

Fatosi kishte dalë për të blerë “Slims-in” e tij të përditshëm. Pa ta shohim si do të reagonte ai kur të hynte te dera dhe shikimet e tyre të përplaseshin. … do t’ia thoshte të gjitha, duke i treguar dhe faktin, i cili gjendej akoma i varur në xhaketën e tij.

Mbase, do të ishte më mirë që ende pa ardhur ai, të shkonte te prindërit e saj.

Nga të dy variantet e mundshme, ikja tek prindërit, me gjithë vajzën, iu duk varianti më i pranueshëm. Lyu buzët me të kuq para pasqyrës, përgatiti çantën me ndërresat e vajzës, u vesh vetë, veshi vajzën, hodhi çantën në krah dhe doli nga shtëpia me ngutje. Shkallët i zbriti jo si zakonisht, me shqetësimin se mund të ndeshej me Fatosin në hyrje të
pallatit.

* * *


Prindërit e Inës jetonin në afërsi të Liqenit Artifcial, në një ndërtesë 12 kat. E ëma e Inës kur dëgjoi zilen e citofonit dhe më pas zërin e saj, u shqetsua shumë.

Ishte hera e parë, pas lindjes së vajzës, që Ina kthehej në shtëpinë e saj. Zana e vuri re shqetësimin e së bijës, por nuk e pyeti për këtë vizitë të pazakontë, përkundrazi, bëri sikur u gëzua. Ajo
dhe i shoqi nuk e përmbajtën dot gëzimin, sidomos kur panë të mbante në krah mbeskën e tyre të vogël, gjashtë muajshe.


-E di që do të pyesni, ç’është kjo vizitë, -ua preu kureshtjen Ina, por ja që kështu vendosa.Të fle dhe unë një herë te shtëpia e prindërve të mi së bashku me time bijë.
-Të lumshin këmbët, – i tha i ati ,duke e puthur në ballë. Kemi kohë që të presim të vish.

Zana ia rrëmbeu vajzën nga krahët, duke e shtrënguar fort në gjoks. Të dy prindërit
dukeshin të lumtur. Kjo gjë e qetësoi së tepërmi Inën. Në shtëpinë e prindërve Ina e ndjeu veten të qetë dhe larg asaj çfarë kishte menduar për t’u rrëfyer te e ëma sa të hynte tek dera. Ajo e pyeti disa herë për Fatosin.

E njihte mirë karakterin e saj dhe e kishte të qartë, vajza e saj po të kishte ndonjë shqetësim do t’i rrëfehej së ëmës. Zana ishte në dijeni të ftohjes së çiftit të ri. Priste që Ina t’i tregonte çfarë kishte ndodhur në familjen Petrani. Ajo ishte e sigurt se kjo vizitë e papritur kishte shkaqe të thella, ndoshta dhe të frikshme.

Ina fllimisht mendoi t’i tregonte Zanës për fjen e flokut në xhaketën e tij, mirëpo, atmosfera kaq e ngrohtë dhe kaq e gëzueshme e bëri të ishte e matur dhe e kujdesshme. Mbase, mbase, mamasë nuk i duhej thënë asgjë. Mbase, ajo fije floku i ishte ngjitur të shoqit të saj, rastësisht, gjatë kërcimit me kolegen që kishte datëlindjen apo me ndonjë nga koleget e tjera të punës.

Gjëra që ndodhin, mendoi ajo.

Një fje floku mund të na ngjitet në xhaketë dhe duke udhëtuar në autobuzin e linjës, gjatë qëndrimit pranë e pranë me një grua. I trillonte dhe vet këto variante pasi kishte dëshirë të besonte në një variant që e përjashtonte ndarjen. Ndëkaq iu çel fytyra, e përfshirë në atmosferën e ngrohtë familjare, iu çel dhe buzëqeshja. Gjithë vëmendja dhe përkujdesja e asaj mbrëmjeje ishte drejtuar nga Erisa.

Andej nga ora tetë e mbrëmjes u krijua një pauzë paniku. E mori në celular Fatosi. Ina mori celularin me rrëmbim dhe shkoi në dhomën e gjumit. Zana e ndoqi pas, me Erisën në duar. Folën gjatë. Zana edhe pse hidhte në ajër Erisën, mendjen e kishte tek fjalët e Inës. Gjatë bisedës së gjatë Ina u tregua e kujdesshme për të mos lëshuar asnjë fjalë të pamatur. Nga biseda e tyre Zana mundi të dëgjojë vetëm disa ndajfolje pohimi dhe mohimi. Në bisedën me Fatosin Ina nuk shprehu asnjë grimcë shqetësimi.


-Çfarë kërkonte ai? e pyeti Zana.
-Pyeti për vajzën
-Mos jeni zënë?
-Jo,- ia ktheu ajo. Dukej e qetë. Pastaj shtoi.- Ti mama vet na ke thënë qe : “Njeriu mund zihet dhe për një qime floku.”

ObserverKult

Lexo edhe:

BORGES: JU MENDONI PËR ATË QË JU MUNGON, JO PËR ATË QË KENI..