Është suspenduar nga pozita e Drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku.
Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës e ka pezulluar nga detyra drejtorin e QKK-së pas kthimit të tij nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kanë.
I kontaktuar nga Telegrafi në lidhje me çështjen, Zharku tha se është një procedurë e zakonshme deri sa Komisioni i MKRS-së t’i trajtojë çështjet e e ngritura nga këshilli.
“Po është e vërtetë për pezullimin tim nga puna. Është procedurë normale suspendimi deri sa Komisioni i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit t’i trajtojë çështjet e ngritura nga Këshilli Drejtues dhe të dalë me konstatim”, ka thënë Arben Zharku .
I njëjti vetëm pak ditë më parë ishte prezent në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë, në përkrahje të dy projekteve kinematografike vendore “Pa Vend” dhe “Luaneshat e Egra” – filma të cilët ishin pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë.
Atje ishte edhe Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën në mbështetje të delegacionit kosovar. /Telegrafi/