Suvenire me imazhet e dokumenteve nga fondi i Arkivit Qendror Shtetëror

Prodhohen suveniret e para nga një institucion shtetëror me imazhet e trashëgimisë dokumentare që ruhet në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror dhe që secili mund t’i blejë prej këtij fundviti.

Akti i Pavarësisë së Shqipërisë në disa variante, sete zyre apo të përdorimit të përditshëm, deri në riprodhimin artizanal të Kodikut të Beratit, mund t’i gjeni në kënd. Kjo është një nismë që synon promovimin e vlerave arkivore që DPA-ja administron, dhe që realizohet përmes riprodhimit të disa prej objekteve simbol të trashëgimisë, apo mbishkrime dokumentesh dhe fotografi me rëndësi historike.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, theksoi rëndësinë e këtij projekti. “Pasuria arkivore e jona është e pafundme. Këtu ne kemi vetëm suportet por përtej këtyre që ne kemi prodhuar, imazhet që vendosen mbi suporte i vendos edhe vetë individi duke e personalizuar suvenirin e tij. Kështu nuk përqendrohemi vetëm tek imazhet që kemi ne kemi përzgjedhur në mënyrë simbolike, siç janë deklarata e pavarësisë, firma e Ismail Qemalit, kodikët, fermanët, medaljonin e Kamenës, dekorata në kohën e Zogut”, u shpreh ai.

Këto suvenire do të prodhohen vetëm nga ato mjete financiare që prodhon vetë shitja e tyre. Çdo suvenir i blerë nga një qytetar do të prodhojë një suvenir të ri pa harxhuar asnjë qindarkë nga buxheti. 10% e çdo suveniri do të shkojë për në buxhetin e shtetit, për t’u përdorur aty ku ka nevojë”,- u shpreh Bido.

“Kështu, risi absolute është fakti që cilido qytetar mund të porosisë suveniret me imazhin që ai do të dëshiro”nte të kishte dhe për vetëm 1 javë, ai do të jetë gati dhe mund t’i shkojë me postë kudo në Shqipëri. Këtë mund ta bëjë fizikisht në sallën e studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ose online ku çdo qytetar mund të shohë objektet me detajet respektive dhe mund ta porosisë online, atë që dëshiron ta blejë”,- tha Bido.

Motoja e kësaj nisme me rëndësi për arkivat është “Dhuro HISTORI” pasi çdo gjë që ruhet në fondet e Arkivit Qendror Shtetëror është pronë e cilitdo qytetar dhe cilido që dëshiron mund ta ketë atë në rrugë, në zyrë apo në shtëpi./ATSH