Suzana Lubonja: Nga dashuria e Palit me Zerina Kuken te Françesk Radi me Teftën. ‘Ura’ ku u lidhën çiftet e ekranit

Në përgjithësi, urat kanë marrë famë edhe për ngjarjet që mbartin e kanë përcjellë në shekuj. Bëhen intriguese, kur pas tyre fshihet një histori sa romantike aq dramatike, për të cilat janë shkruar libra pa fund, realizuar e vënë në skenë mjaft pjesë teatrale, si dhe filma kolosalë nga Hollivudi.

“Ura e Psherëtimave” në Venecia, 11 metra e gjatë, e projektuar nga Antonio Conti në fillim të viteve 1600, me një kalim të dyfishtë, u ndërtua për të lidhur Pallatin Dukal me burgjet e reja, duke kaluar mbi Rio di Palazzo.

Emri “Ponte dei Sospiri” (Ura e Psherëtimave), nuk ka origjinë romantike, madje është larg prej saj. Legjenda thotë se psherëtimat ishin ato të të burgosurve që kalonin urën, duke shkuar në burg, dhe nga dritaret e saj shihnin lagunën, që ishte edhe imazhi i fundit i lirisë së humbur përgjithmonë.

Në realitet, asgjë nuk mund të shihet nga brenda urës dhe prandaj ndoshta emri i referohet frymës së fundit të të burgosurve si një liri e çastit, sepse kushdo që u dënua, nuk kishte fatin tjetër sesa të vdiste në burg. Edhe më shumë, psherëtimat ishin në të vërtetë një thirrje e të burgosurve, që bënte jehonë në kanal, nëpër dritaret e ngushta të burgjeve.

Një legjendë, ndoshta e shpikur për përdorim dhe konsum nga miliona turistë, që vizitojnë Venecian çdo vit, i bind shumë çifte të kalojnë nën Urën e Psherëtimave me gondolë, sepse një puthje që shkëmbehet në perëndim të diellit, kur kambanat e San Marco-s fillojnë të tingëllojnë, është garanci për dashurinë dhe lumturinë e përjetshme. Nga kjo legjendë është bërë edhe “Një histori e vogël dashurie”, me L. Olivier e D. Lane, një film i vitit 1979, i vlerësuar me “Oskar”.

Në qendër janë Daniel, një adoleshent parizian, që njeh moshataren Lauren, vajzë amerikane. Midis tyre lind një dashuri e shpejtë, por që nuk pëlqehet nga nëna e vajzës. Të tmerruar nga ideja se nuk do të takohen më, të dashuruarit vendosin të shkojnë në Venecia, për t’u puthur romantikisht, duke kaluar me një gondolë nën “Urën e Psherëtimave”.

Në Botë ekzistojnë disa struktura të quajtura “Ura e Psherëtimave”, si ajo në Kembrixh e Oksford, Angli, apo në Lima, të Perusë, “Puente de los Suspiros”, një nga vendet më romantike të qytetit, tejet e vizituar nga turistët. Në Shqipëri, në përgjithësi urat e njohura janë të lidhura me ato të ndërtuara mbi lumenj, si ajo e Mbretit Zog mbi Mat apo Ura e Bunës etj.
Ndonëse Tirana ka Urën e Madhe në Bulevard, atë të Tabakëve, një tjetër jo me famën e ngjarjet epike të dashurive platonike “mbi një urë, ose nën një urë”, është ajo e Radiotelevizionit, me historinë e saj unikale si “Ura e Dashurisë”. Bashkë me qëllimin pse u ideua, dhe për funksionin kryesor, ajo ruajti në fshehtësi një sekret të madh, emrin dhe për çfarë shërbeu më shumë.

“Ura e Dashurisë”, në RTVSH, e pranishme në dekada në jetën, marrëdhëniet, punën e përditshme të punonjësve, ka qenë edhe simboli i dashurive nga ato modeste pa zhurmë te të bujshmet e atij institucioni. Pse iu vu ky emër?

I panjohur për një pjesë të qytetarëve, por jo për ata që e kanë përjetuar, aq sa kur i pyet punonjësit veteranë të saj, e tregojnë me pasion, se edhe ajo urë ka historinë e saj, si pjesë e dashurisë për shumë prej tyre. Njohjet e para, shkëmbimet e vështrimeve, takimet rastësore, janë bërë pikërisht mbi atë ose në atë kalim. Një arkitekturë krejt normale, jo me gojëdhëna, me projekt të inxhinierit Sami Pashallari, ajo urë u realizua për të bashkuar dy ndërtesat e për të krijuar kompleksin e madh Radiotelevizion, një urë komunikuese funksionale kryesisht për lëvizjen e punonjësve. E vendosur në një lartësi, në katin e sipërm, inxhinier Pashallari, as që e kishte e menduar se ajo urë do të shërbente edhe si “Ura e Dashurive”, lidhjeve sentimentale e pasionante ndërmjet njerëzve të atyre dy institucione, përfshirë regjisorë, drejtues emisionesh etj.

Ndonëse në vite, struktura e saj ka pësuar ndryshime, “ura” e Agron Çobanit, me historitë e dashurive që mbart janë aty, diku në muret, kangjellat, soletën e saj. Një histori nga ato të urës është edhe ajo e dashurisë së dy personazheve publikë të Radiotelevizionit shqiptar, çiftit Suzana Grashi dhe Pushkin Lubonja. “Nuk ka të dashuruar në Radiotelevizion, që të mos kenë kaluar, qëndruar apo të mos ketë lidhje me ‘Urën e Dashurisë’. E tillë ka qenë edhe e jona”. Redaktore nga fillimet e saj në vitet ’70, pastaj njohja dhe bashkëjetesa profesionale, familjare me gazetarin Lubonja, i ndarë nga jeta pak vite më parë. Në një rrëfim për “Panorama” kohë më parë, tregon se cilat kanë qenë sekretet, miqësitë, emocionet, kujtimet, deri edhe dashuritë e atij institucioni. “Ajo e Zerinës me Palin nga më të famshmet, por edhe të tjerat, të gjitha histori me ‘Urën e Dashurisë’, protagoniste”, thotë.

Suzana, ju kujtohen fillimet tuaja në TVSH?

Kam nisur punë në korrik të 1972, si redaktore e programeve artistike. Janë fillimet e televizionit, i cili u mbush me rini, të gjithë të diplomuar, një brez me vajza të bukura, djem të pashëm. Erdhën gazetarë, muzikantë, regjisorë. Midis tyre Vera Grabockën, Pali Kuken, Mevlan Shanaj, Albert Mingën, Pandi Laçon etj. Filluan njohjet, qëndrimet, si për të pirë një cigare, edhe për të pritur e parë, e takuar dikë.

E keni lexuar librin e Çobanit?

Po sigurisht, që kur doli kohë më parë, më ka pëlqyer dhe nga fakti se secili nga ne është aty, e gjen veten si pjesë e historisë shumëvjeçare të atij institucioni.

E dini që në RTSH ka ekzistuar edhe “Ura e Dashurisë”?

Kur kam lexuar librin, e kam ndeshur dhe këtë emërtim. Diçka kemi ditur, se ai kalim ose urë lidhëse midis dy ndërtesave quhej edhe ashtu. Sidoqoftë jam befasuar, një gjetje ideale, shumë romantike. Një Urë jo si ato të famshmet, jo publike, jo me zhurmë as edhe e frekuentuar nga vizitorë e turistë, por që për ne ka pasur një ndjesi të veçantë.

Vërtet ka qenë e tillë?

Ura shërbente për një kalim të dyfishtë nga Radio në TV ose anasjelltas. Me dyer nga të dyja anët, por asnjëherë të mbyllura, gjithsesi gjendej motivi, apo një shkak për të kaluar aty më shumë se një herë në ditë. Një kalim, ka mjaftuar për t’u parë, u takuar e shkëmbyer disa fjalë.

Por edhe për të pirë një cigare, si justifikim për të qëndruar edhe nën shi, i lagur disa minuta aty. Ose, për të dalë fshehurazi nga televizioni apo nga radio, duhej të kalonim tek ajo urë. Dikush përpara, tjera më vonë ose e kundërta për të mos rënë në sy. Të gjithë ata që janë dashuruar në atë institucion aty kanë kaluar, aty janë dashuruar.

Shumë të dashuruar radiotelevizivë, të gjithë tek “Ura”?

Nuk ka pasur dashuri në radiotelevizion që të mos kenë pasur një çast tek Ura e Dashurisë. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, e kanë një moment, një takim, një frymëmarrje të thellë, një emocion ndryshe kur janë shkëmbyer, janë parë e takuar tek Ura. Për të dashuruarit, takimi në studiot e radios ishte më komod, më intim, ndërsa në mjediset e TVSH-së ishin vetëm studiot e mëdha të regjistrimit.

Cilët mund të jenë dashuritë e para të Urës?

Nga të parat, por që nuk i kam jetuar, mund të jenë ato të Vera Zheit me Emil Plumbin apo Vitori dhe Abaz Xhomos.

Ju kujtohen disa nga dashuritë klasike të Urës?

Mjaft çifte janë njohur e dashuruar aty dhe historitë e tyre kanë lënë gjurmë, pasi ua njihnim e ua dinim lidhjet me njëritjetrin. Të gjitha me “Urën” në qendër të marrëdhënieve. Nuk janë pak, si p.sh., çifti Shoshi, Mark dhe Evgjeni, çifti Shpuza, Natasha e Vladimir, familja Rexhvelaj, Zana e Shaqir, Luljeta

dhe Apostol Noti, Timo me Vjosa Luto, Moza e Vullnet Musaraj, Arjan Bakiri me Teutën, Nadia dhe Shpëtim Qatipi, Ilir Bega me Pandorën, Violeta dhe Ibrahim Madhi, Bardha me Skënder Krajën, çifti Shtino, Arjana e Gazmir, Afërdita e Petraq Gramo, Amali e Kosta Dhamo, Xhixhi e Përparim Kapllani, Gaspër Gjonçaj me Rajmonda Belin, mbesa e Stoli Belit, Violeta Gjoka me Dorian Ninin, Elvira Dones me violinistin Pirro Gjezi, familja Meçani, Liljana e Pëllumbi, Mira Bregu me Ruzhdi Pulahën. Pa harruar edhe Francesk Radin me Teftën. Ata u njohën në Fushë-Arrëz, por në TVSH e konkretizuan dashurinë. Ka edhe të tjerë.

A ka një më të famshme të “Urës së Dashurisë”?

Janë disa, por mendoj se ajo e çiftit Kuke ka qenë dhe ka mbetur ndër dashuritë më të bukura. Zerina, vajzë e re, elegante, dhe Pali që u dashurua nga bukuria e saj nëpërmjet kamerës, gjatë emisioneve. Pastaj takimet, herë fshehurazi, herë jo, sigurisht edhe me “Urën” si dëshmitare e asaj lidhjeje. Po njohja juaj me bashkëshortin, të ndjerin Pushkin, si ka ndodhur? Pushkini erdhi në TVSH më 1976-ën, në Redaksinë e Informacionit.

Djalë i bukur, i qetë, lexonte shumë, thuajse gjithë letërsinë që botohej. Pëlqente muzikën, vinte për të dëgjuar muzikë tek unë dhe ky ishte një ndër shkaqet që u njohëm, u afruam. Dhe në atë Urë sa herë jemi kryqëzuar, shkëmbyer, jemi parë, kemi kaluar bashkë, pafundësisht. Pas ndarjes nga jeta, kemi botuar një vëllim me poezi të tij, “Bijës sime…”. Më emocionojnë sa herë i lexoj e i rilexoj ato poezi. Lidhja e tij me vajzën ka qenë e jashtëzakonshme.

Në mjediset e RTVSH kishte dhe një kafe apo jo?

Po, funksiononte edhe një klub, për një kafe mëngjesi, për të takuar miq, kolegë gjatë ditës, por edhe si vend për t’u takuar me të dashurin. “Klubi i Tanës”, quhej. Por Ura ishte më sentimentale, më e bukur, më e pëlqyer, sidomos në fillimet e dashurive.

Ka pasur raste që ajo “Urë” nuk ka funksionuar si e “Dashurisë”?

Po, sigurisht, jo të gjitha njohjet, lidhjet, dashuritë kanë qenë solide. Pjesa më e madhe po, por disa nuk i kanë rezistuar kohës, si dashuri të pabazuara. Kjo për shumë motive, punë me orar, pa orar, shërbime me ditë e javë larg familjes shpesh janë bërë shkak për divorce, mosfunksionimin e një dashurie lindur e krijuar tek “Ura”. Por, në mjaft raste, dashuria tek ajo Urë, ka shërbyer si një lidhje harmonike, e qëndrueshme, profesionale në punë, me të ardhura të sigurta financiare në familje.

Për ura me histori të tilla janë realizuar filma, a ka ndonjë për atë të RTSH-së?

Do ishte mirë, pse jo. Edhe ajo ka historinë e saj, ku janë shkruar, përfshirë mjaft ngjarje, me njerëz publikë, çifte simpatike, dashuri të njohura, por edhe të fshehta. Një skenarist, regjisor, edhe mund ta kishte ideuar me një temë të tillë.

Ylli Pepo, ndoshta…

Pa diskutim. Ai më të tjerë njerëz që me orë, ditë, angazhim pune, por edhe pjesë jete i kanë dhënë atij institucioni. Bashkëdashurinë që kanë gjetur, por edhe kanë ofruar.

Suzana, ju keni qenë edhe një koleksioniste e rrallë për kohën…

Ka qenë një pasion i madh i imi, të koleksionoja fotot e artistëve të famshëm. Janë vitet kur djemtë kishin pasion pullat, ne vajzat, foto e aktoreve. Ato i merrja nga revistat e huaja që më sillte im atë, gazetar, shpesh fshehurazi. Krijova një koleksion të bukur, me Brixhit Bardo, K. Kardinale etj. Vinin shoqet, grumbulloheshim në shtëpinë time për t’i parë. Nuk i kam, pasi e nxitur nga mamaja, frika e saj, një ditë i dogja të gjitha.

Më folët edhe për djalin tuaj regjisor, ka edhe ai një njohje tek “Ura”?

Ergys quhet, “produkt” i dashurisë sonë. Regjisor, punon me spektaklet. Në televizion u njoh me vajzën që dashuron. Nuk e di të ketë kaluar apo jo tek “Ura”, si prindërit e tij. Të tjera kohëra atëherë, ndryshe sot./Uvil ZajmiPanorama.al

ObserverKult

————————

LEXO EDHE:

Letra për Ramiz Alinë: “Aktorët që interpretuan ishin veshur me dekolte dhe pantallona kauboj”