Sylvia Plath dhe modeli kulturor

Nga Kadrush Radogoshi

Edhe pse e shkruar më 11 Tetor 1962 apo para më shumë se 57 vjetësh, poezia “Babi” (“Daddy”) e Sylvia Plath mbetet ndër poezitë më interesante dhe më kontroverse të poezisë moderne të shkruar në gjuhën angleze, apo “Guerrnika e poezisë moderne”, siç e ka vlerësuar kritiku letrar George Steiner. Duke qenë e tillë kjo poezi ka qenë objekt interpretimi dhe vlerësimi për shumë kritikë letrarë të niveleve dhe profileve të ndryshme. Me interpretimin e saj janë marrë edhe studiues të letërsisë, të cilët kanë arritur që këtë poezi ta fusin në tekstet universitare për letërsi. Duke qenë poezia më e mirë e kësaj poeteshe mund të konstatojmë se poetesha e jashtëzakonshme është krijuese e një modeli personal kulturor, që e kundërshton modelin kulturor amerikan, i cili në vitet e 50-ta dhe të 60-ta u kundërshtua në shumë aspekte e sidomos për pozitën e pafavorshme të femrës në familje dhe shoqëri. Pra zëri i rebeluar i folëses lirike në poezinë “Babi” nënkupton zërin e së vërtetës humane, zëri i së cilës jehon mbi raportet familjare: vajzë-baba, grua-burrë, por edhe mbi raportet raciale.

Fillimisht e shohim të domosdoshëm shpjegimin e togfjalëshit “model kulturor”. Gjenezën e këtij togfjalëshi terminologjik e gjejmë te Kanti, ndërsa gjatë përdorimit në disiplina të ndryshme shkencore si filozofia, psikologjia, antropologjia, sociologjia, inteligjenca artificiale, në shkenca njohëse (kognitive) dhe nga autorë të ndryshëm, ky koncept ka pësuar një varg transformimesh. Për ta shpjeguar këtë koncept të shprehur me togfjalëshin “model kulturor” i referohemi njërit prej studimeve më të rëndësishme në këtë fushë të dijes. Është fjala për librin “Modelet kulturore: Gjeneza, Metodat dhe Eksperiencat” (“Cultural Models: Genesis, Methods, and Experiences”) të autorëve Giovanni Bennardo dhe Victor de Munck, botuar nga Universiteti i Oksfordit në vitin 2013. Sipas këtyre dy studiuesve, modelet kulturore definohen si organizime të koncentruara të njohurive me një strukturë të brendshme, e cila përbëhet nga një komponentë bazë dhe nyjat periferike, të cilat plotësohen nga vlerat e paracaktuara. Po ashtu sipas tyre, këto vlera janë të riprezentuara në ndonjë shembull aktual të ndërrimit të vlerave specifike apo të mbetjes në vlerat e paracaktuara, kur individi përjeton ngjarje të llojeve të ndryshme. Në këtë kontekst mund të njihen dhe kategorizohen ngjarjet si përfaqësuese të njëjtit model kulturor pa marrë parasysh nuancat specifike të secilës veç e veç. Roli i modelit kulturor në sjelljet e individit është i pashmangshëm. Studiuesit e lartpërmendur i konsiderojnë të domosdoshme modelet kulturore për një qasje serioze ndaj kulturës përtej dikotomisë në mes të individit (kulturës vetëm në mendje) dhe kolektivit (kulturës vetëm në realitetin shoqëror).

Siç e theksuam edhe në paragrafin hyrës të këtij shkrimi për poezinë e Sylvia Plath në tërësi dhe poezinë “Babi” në veçanti kanë shkruar shumë kritikë letrarë dhe studiues letërsie dhe sa të ndryshëm të kenë qenë ata vërehet një përputhshmëri e plotë në mënyrën e qasjes. Pothuajse shumica e tyre i qasen nga dy aspekte: biografik dhe psikoanalitik. Rrjedha e hidhur e jetës së poeteshës dhe pamundësia për ta ndryshuar atë kanë hyrë në çdo pjesë të poezisë. Pjesë përcaktuese të kësaj jete janë edhe dy personazhe: Babai Otto Plath dhe burri i saj Ted Hughes. Raporti i Sylvias me këto dy personazhe do të mbetej vështirë i kuptueshëm brenda poezisë, por deklarata personale e poeteshës i ka ndihmuar kritikët për qasjen psikoanalitike ndaj poezisë së saj: “Këtu (para jush K.R.) është një poezi e thënë nga një vajzë me Kompleksin e Elektrës. Babai i saj vdiq, kur kjo mendonte se ai ishte Zot. Rasti i saj është i komplikuar nga fakti se babai i saj ka qenë edhe një nazist dhe nëna e saj mund të ketë qenë një çifute. Në këtë vajzë janë të dy prejardhjet të martuara ndër veti dhe e paralizojnë njëra tjetrën. Ajo duhet të dalë jashtë kësaj alegorie pak para se të lirohet prej saj.” Psikoanaliza na shpjegon se Kompleksi i Elektrës është versioni femëror i Kompleksit të Edipit. Sipas Jungut ky kompleks nënkupton rastin, kur një vajzë e konsideron nënën e saj si rivale për energjinë psikoseksuale të babait të saj, pra nënkupton një fiksim negativ në babin e saj.
Për ta kuptuar drejtë qasjen biografike të kritikës letrare duhet të njihemi sintetikisht me disa të dhëna nga biografia e kësaj poeteshe. Sylvia Plath lindi në Boston të SHBA më 27 tetor 1932 dhe vdiq më 11 shkurt 1963. Ishte e bija e Aurelia Plath një mësuese e shkollës së mesme me origjinë austriake dhe Otto Plath, i cili nga Prussia kishte shkuar në Amerikë në moshën 16 vjeçare. Babai i saj ishte profesor biologjie në Universitetin e Bostonit. Ai vdiq në vitin 1940 nga komplikimet gjatë amputimit të këmbës nga gangrena. Në atë kohë e bija ishte në moshën tetëvjeçare. Në vitin 1955 Sylvia diplomoi në Smith College. Gjatë studimeve në këtë kolexh botoi poezitë dhe tregimet e saj dhe me shpejtësi u bë e njohur. Po atë vit ajo fitoi Bursën Fulbright për të studiuar në Newnham College në Kembrixh (Cambridge). Aty e takoi poetin britanik Ted Hughes me të cilin u martua në vitin 1956. Në vitin 1960 e botoi librin e saj të parë “Colossus” dhe lindi vajzën e parë. Pas lindjes së vajzës së dytë në vitin 1962 bashkëshorti i saj e braktisi duke u martuar me një grua tjetër. Kjo tradhti e burrit e goditi rëndë. E ballafaquar me vështirësi të shumta ekonomike duhej të punonte shumë për të mbajtur vajzat. Zgjohej herët dhe para se të shkonte në punë shkruante dy apo tri poezi çdo ditë. Ajo kishte edhe vështirësi shëndetësore. Vuante nga një depresion i rëndë. Në rrethana të tilla Silvia Plath ia mori jetën vetes, kur kishte vetëm 30 vjet, tre muaj e 14 ditë.

Poezinë “Babi” Sylvia Plath e ka shkruar një vit pasi ka shikuar transmetimin televiziv të gjykimit të Kolonel Leitnantit SS Eichmann, i cili është mbajtur në Jerusalem nga 11 Prilli deri më 15 Dhjetor 1961 dhe dënimit të tij me varje. Kjo ngjarje ia bëri të njohur botës tmerrin e Holokaustit dhe vrasjen e viktimave në dhomat e gazit të kampeve të përqendrimit. Gjithashtu këtë poezi e ka shkruar një muaj pas ndarjes nga burri i saj, i cili e tradhtoi me një grua tjetër. Këto dy ngjarje, të cilat poetesha i përjetoi me dhimbje të jashtëzakonshme, ndikuan te ajo, jo vetëm për ta shkruar poezinë, por ushtruan ndikim vendimtar në tonin plot hidhërim të folëses lirike dhe në përmbajtjen e poezisë. Holokaustin Sylvia Plath e lidhi me përkatësinë gjermane të babait të saj, prandaj e bëri identifikimin e tij metaforik me nazizmin, të cilin kam prirjen ta shoh si formë katarsisi me origjinën. Ky qëndrim i saj është një vlerë e jashtëzakonshme e humanizmit njerëzor, të cilën Sylvia Plath e vendos për bazament të modelit të saj individual kulturor, i cili është bërë pjesë integrale e modelit kulturor Veri amerikan.

Poezia “Babai” është një poezi e gjatë, e cila përbëhet nga 16 strofa pesëvargëshe dhe nga 80 vargje. Imazhëria e errët e kësaj poezie i ka rrënjët në vdekjen e babait, holokaustin, tradhtinë e bashkëshortit dhe idenë për t’i dhënë fund jetës. Në fillim të poezisë e idealizon të atin, të cilin e ka konsideruar Zot. E fiksuar në figurën e të atit, “vajza a babait” shtatë herë e apostrofon emrin e tij në këtë poezi dhe atë në formën e përkëdhelisë “Babi” (Daddy”). Më tutje ajo e krahason të atin me Svastikën apo kryqin e thyer nazist, ndërsa vetveten me një hebreite të burgosur e të torturuar nga ushtarët nazistë. Një krahasim i tillë e ka dramatizuar luftën në shpirtin e saj. Në shumësinë e interpretimeve nuk e kam vërejtur ndonjë, i cili ta ketë zbërthyer gjerë në fund adresimin e dytë mashkullor në strofat e fundit të poezisë, pos apostrofimit se ato i dedikohen burrit të saj Ted Hughes:”Nëse unë e kam vrarë një njeri, unë kam vrarë dy/ Vampiri që tha se ai ishte ti/ Dhe piu gjakun tim gjatë një viti,/Gjatë shtatë vjetëve, nëse doni ta dini./ Babi, tani mund të shtrihesh përsëri.” Mendoj se përmes këtyre vargjeve, Sylvia Plath raportin e veçantë me të atin e ka bartur edhe në raport me bashkëshortin, cili sipas poetes “tha se ai ishte ti” dhe ai, që bëri këtë identifikim me të atin e saj ishte Vampiri, që shtatë vjet gjakun ia ka pirë.

Kritika feministe ka vënë në pah faktin se Sylvia Plath ka portretizuar figurën e femrës, e cila e kundërshton autoritetin e mashkullit, duke braktisur normat sociale, të cilat e kanë krijuar ambientin e përshtatshëm për dehumanizimin e gruas, në kërkim të identitetit të gruas së heshtur në atë kohë. Pra sipas kësaj kritike folësja lirike e rebeluar e poezisë së Sylvia Plath të padukshmen e ka bërë të dukshme dhe privaten e ka bërë publike. Fundi i fundit, a ka arritje më të madhe për një poete se sa ta arrijë këtë cak të lakmuar aq shumë nga poetët.

Duke u marrë me poezinë “Babi” të Sylvia Plath dhe interpretimet e vështruam atë në kontekst të modelit kulturor individual të autores dhe kontributin e saj për reformimin e modelit kulturor Veri amerikan, i cili ka dëshmuar dhe dëshmon vitalitetin e tij me strukturën e hapur dhe mundësinë e reformimit të vazhdueshëm. Shoqëria Veri amerikane ka mësuar jo vetëm t’i gjejë gabimet, por edhe të mësojë nga to. Po qe se bëjmë një krahasim në mes të teksteve shkollore të historisë amerikane në 50-60 vjetët e fundit do të shohim se ato, sipas mendimit të fituesit të Çmimit Pulitzer Frances Fitzgerald, kanë ndryshuar rrënjësisht dhe nga tekste, brenda kopertinave të cilave “Amerika ishte perfekte: kombi më madhështor në botë dhe mishërim i demokracisë, lirisë dhe përparimit teknologjik” në tekste, të cilat nuk bëjnë më prezantim uniform, por e paraqesin shoqërinë amerikane në tërë pluralitetin e vet. Shoqëria shqiptare ka çfarë të mësojë nga letërsia amerikane dhe nga modeli kulturor amerikan.

Sylvia Plath
BABI

Ju nuk bëni, ju nuk bëni
Më tej, këpucë e zezë
Në të cilën kam jetuar si këmbë
Për tridhjetë vjet, e varfër dhe e bardhë,
Mezi guxon të marrë frymë ose teshtinë.

Babi, unë ka qenë dashur të të vras.
Ti vdiqe para se unë të kisha kohë ——
E rëndë si mermeri, një çantë e mbushur me Zot,
Statuja Ghastly me një shputë gri*
E madhe si një vulë Frisco*.

Dhe një kokë në Atlantikun e çuditshëm
Aty ku derdhet fasule jeshile mbi blu
Në ujërat e Nauset*-it të bukur.
Unë u luta të ju shëroja.
Ach, du.*

Në gjuhën gjermane, në qytetin polak
Gërvishtet e rrafshina nga cilindri (rrota)
E luftërave, luftërave, luftërave.
Por emri i qytetit është i zakonshëm.
Shoku im polak

Thotë se ka një dymbëdhjetëshe apo një dyshe.
Pra unë kurrë nuk do të ju tregoja
Se ku e keni futur këmbën, rrënjën tënde,
Unë kurrë nuk mund të flas me ju.
Gjuha është mbërthyer në nofullën time.
Ajo u mbërthye në një kurth teli me gjemba.
Ich, ich, ich, ich*,
Vështirë se mund të flisja.
Mendova se çdo gjerman ishte ti.
Edhe gjuha e turpshme po ashtu.

Një makinë, një makinë
Duke më larguar si një çifute.
Si një çifute në Dachau, Aushvic, Belsen.
Unë fillova të flas si një çifute.
Mendoj se është më mirë të jem një çifute.

Bora e Tirolit, birra e kthjelltë e Vjenës
Nuk janë shumë të pastra apo të vërteta.
Me prejardhjen gabele dhe fatin tim të çuditshëm
Duke qenë pasardhëse e një gjysheje gabele
Unë mund të jem edhe pak çifute.

Unë gjithmonë kam qenë i frikësuar prej teje,
Prej forcave tua ajrore, prej zhargonit tënd të pakuptueshëm
Dhe mustaqeve tua të bukura
Dhe syrit tënd arian, të kaltër e të ndritshëm.
Pancir-njeri, pancir-njeri, O Ti –

Jo Zot, por një svastikë*
Prandaj asnjë qiell i zi nuk mund të rrëzohet.
Secila grua e adhuron një fashist,
Këpuca në fytyrë, brutale
Zemër brutale e një brutali si ti.
Ti qëndron pranë dërrasës e zezë, babi,
Në foton që kam prej jush,
Një çarje në mjekrën tuaj në vend të këmbës
Por jo një djall më pak për këtë, jo, jo!
Aq më pak një njeri i zi që

E ndan më dysh zemrën time të kuqe e të bukur.
Unë isha dhjetë vjeçe kur ju varrosën.
Në të njëzetat u përpoqa të vdisja
Dhe të kthehesha, të kthehesha, kthehesha te ti.
Mendova madje se eshtrat do të bënin.

Por ata më nxorën nga thesi,
Dhe më ngjitën së bashku me ngjitës
Dhe atëherë e kuptova se ç’duhej të bëja.
Bëra një model prej teje,
Një burrë në të zezë me një pamje Meinkampf*

Dhe një dashuri e raftit dhe e shkërdhyemjes.
Dhe thashë unë e bëj, unë e bëj.
Pra babi, përfundimisht shkova.
Telefoni i zi është i ndalur në rrënjë,
Zërat thjesht nuk mund të depërtojnë.

Nëse unë e kam vrarë një njeri, unë kam vrarë dy
Vampiri që tha se ai ishte ti
Dhe piu gjakun tim gjatë një viti,
Gjatë shtatë vjetëve, nëse doni ta dini.
Babi, tani mund të shtrihesh përsëri.

Është një kunj në zemrën tënde të zezë e të yndyrshme
Dhe fshatarët nuk të deshën asnjëherë.
Ata janë duke vallëzuar dhe duke vulosur mbi ty.
Ata gjithmonë e dinin se ai ishte ti.
Babi, babi, ti dobiç, unë po shkoj.

(Poezia u përkthye nga Kadrush Radogoshi)

*këmba gangrenoze e të atit
*Gjiri i San Franciskos, ku i ati bëri studimin e larvave
* Plazhi Nauset në Orleans, SHBA
* Gjermanisht: Eksklamacion: Oh, Shenjtëri!
*Gjermanisht: unë, unë…….
*Kryqi i thyer i nazistëve
*Gjermanisht: “Lufta ime” vepër e Adolf Hitlerit

ObserverKult