Teza e këtij punimi është se ka kufij, të cilët kur tejkalohen në një drejtim kritika letrare nuk është më letrare, e kur tejkalohen në drejtimin tjetër ajo nuk është më kritikë.
Nga T. S. Eliot
Më 1923 shkrova një artikull me titull “Funksioni i kritikës”. Do të kem pasur mendim të mirë për këtë ese dhjetë vjet më vonë, meqë e futa në librin “Ese të zgjedhur” ku ende duhet të gjendet. Duke e rilexuar së voni këtë ese, u habita bukur shumë, duke e pyetur veten përse u bë gjithë ajo rrëmujë-dhe më erdhi mirë që nuk gjeta asgjë që do t’u binte ndesh mendimeve të mia të tashme. Sepse , duke lënë anash një grindje me z.Midëlton Marri (Mr. Midle-ton Murry) rreth ,,zërit të brendshëm”- një zënie në të cilën e dalloj një apori të vjetër të autoritetit kundër gjykimit individual-m’u duk e pamundur të më kujtohej prapaskena e shpërthimit tim.
Kisha bërë disa pohime me një siguri dhe ngrohtësi të konsiderueshme dhe do të dukej se do të kem pasur ndërmend një a më shumë kritikë të sprovuar më të pjekur se unë, shkrimet e të cilëve nuk i kënaqnin kërkesat e mia lidhur më atë se çdo të duhej të ishte kritika letrare. Por nuk më kujtohet asnjë libër i vetëm apo ese, apo emri i një kritiku të vetëm si përfaqësues i llojit të kritikës impresioniste që më ngacmoi keq tridhjetë e tri vjet më parë.
I vetmi qëllim që zura në gojë këtë ose tash, është të tërheq vëmendjen se në ç’masë ajo që shkrova më 1923 është ,,datuar”. Libri I Riçardzit ,,Parimet e kritikës letrare” ( Principles of Literary Criticism ) u botua më 1925. Shumëçka ka ndodhur në kritikën letrare që kur doli ky libër me ndikim, e punimi im qe shkruar që dy vjet më parë. Kritika është zhvilluar dhe degëzuar në disa drejtime . Termi ,,kritika e re” shpesh përdoret nga njerëz që nuk e kuptojnë se ç’ndryshueshmi nënkupton, por rrjedha e tij mendoj se e dallon faktin se kritikët e sotëm më të dalluar, sado që ndryshojnë nga njëri-tjetri , që të gjithë ndryshojnë në një mënyrë sinjifikative nga kritikët e gjeneratës së mëparshme.
Para shumë vitesh kam theksuar se çdo gjeneratë duhet të sjellë kritikën e vet letrare, sepse siç thashë ,,secila gjeneratë i sjell vështrimit të artit kategoritë e veta të vlerësimit, i bën kërkesat e veta mbi artin dhe i ka përdorimet e veta për artin.”
Kur e bëra këtë pohim jam i sigurtë se kam pasur ndër mend shumë më tepër se sa ndryshimet e shijes dhe modës: kisha ndërmend së paku të dhënën se çdo gjeneratë, duke i shikuar kryeveprat e të kaluarës në një tjetër perspektivë, në qëndrimin e vet bie nën një numër më të madh ndikimesh se sa ato që i bartte gjenerata e mëparshme . por dyshoj se e kam pasur ndërmend të dhënën se një vepër e rëndësishme e kritikës letrare mund ta ndryshojë dhe ta zgjerojë përmbajtjen e vetë termit ,, kritikë letrare”.
Para disa vjetësh tërhoqa vemendjen në ndryshimin e përhershëm të kuptimit të fjalës edukatë prej shekullit XVI e deri në ditët e sotme, një ndryshim që ka zënë fill në saje të faktit se edukata jo vetëm që përfshinte shumë e më shumë lëndë, por edhe u ofrohej apo u imponohej shumë e më shumë njerëzve. Po të mund ta përcillnim evolucionin e termit kritikë letrare në të njëjtën mënyrë, do të zbulonim diçka të ngjashme.
Krahasoni një kryevepër kritike si ,,Jetët e poetëve” (Lives of the Poets) të Xhonsonit (Johnson) me veprën e madhe kritike që pason , Biographia literaria” të Kolrixhit (Coleridge).
Jo që Xhonsoni përfaqëson një traditë letrare fundit të së cilës i përket edhe vetë, për derisa Kolrixhi po i mbron meritat , e po i kritikon dobësitë e një stili të ri. Ndryshimi më i përshtatshëm për atë që po them vjen nga hapësira dhe ndryshueshmia e interesimeve të cilat Kolrixhi i solli me vend në diskutimin e tij për poezinë.
Ai themeloi relevancën e filozofisë, estetikës dhe të psikologjisë dhe pasi që Kolrixhi i inkuadroi këto disiplina në kritikën letrare, kritikët e ardhshëm mund t’i lenin pasdore duke marrë vet rrezikun përsipër.
Ta vlerësosh Xhonsonin nevojitet një përpjekje e imagjinatës historike; një kritik boshkëkohës mund të gjejë shumëçka të përbashkët me Kolrixhin, i cili, po të ishte gjallë, jam i si gurtë se do të interesohej njësoj për shkencat shoqërore dhe për studimin ne gjuhës dhe të semantikës, ashtu siç u interesua për shkencat për të cilat pati mundësi.
Shqyrtimi i letërsisë në dritën e njërit apo të më shumë nga këto studime , është njëri nga dy shkaqet kryesore të transformimit të kritikës letrare në kohën tonë. Shkaku tjetër nuk njihet ende në mënyrë aq të plotë. Vëmendja në rritje e sipër që i kushtohet studimit të letërsisë angleze dhe amerikane në universitetet tona, e natyrisht edhe në shkollat tona, ka çuar në një situatë, në të cilën shumë kritikë janë arsimtarë dhe shumë arsimtarë janë kritikë.
Larg asaj që këtë situatë ta marr për të keqe: shumica e kritikës, vërtet, interesante sot është punë e shkrimtarëve që kanë gjetur rugën për në universitet, apo e shkollarëve, aktiviteti i të cilëve së pari është ushtruar në klasë. Dhe në ditët e sotme, kur zhurnalizmi serioz letrar është jo adekuat si dhe mjet i pasigurt ndihme për të gjithë pos një numri shumë të vogël, kjo është ashtu si duhet të jetë. Vetëm se, kjo do të thotë se kritiku sot mund të ketë njëfarë kontakti tjetër me botën, dhe të shkruajë për njëfarë publiku tjetër me botën, dhe të shkruajë për njëfarë publiku tjetër nga ai i pararendësive të tij. Kam përshtypjen se tash kritika serioze po shkruhet për një publik tjetër më të kufizuar edhe pse jo domosdoshmërisht më të vogël se ai i shekullit XIX.
Jo para shumë kohe më habiti një vështrim i z. Aldës Hakslit (Aldous Huxhey) në një parathënie të një përkthimi anglez të librit ,,Mençuria e lartë” (The Supreme Wisdom) shkruar nga një psikiatër frëng The Dr Hubert Benoa (Hubert Benoait), mbi psikologjinë e Zen Budizmit.
Vështrimi i z.Hakslit iu përgjegj përshtypjes , të cilën e kisha përfituar edhe vetë nga ai libër i shquar kur e lexova në frëngjisht . Haksli e krahason psikiatrinë perendimore me disiplinën e Lindjes, ashtu siç gjendet në Tau dhe Zen:
,,Qëllimi i psikiatrisë perëndimore (thotë ai) është të t’i ndihmojë individit që është në hall për t’iu përshtatur shoqërisë së individëve me më pak halle-individëve që vërehet se pajtohen mirë me njëri tjetrin dhe me institucionet lokale , por që rreth pajtimit të të cilëve me rendin fundamental të gjërave nuk bëhen hetime…Por është edhe një lloj normaliteti –një normalitet i funksionimit të përkryer…Madje edhe njeriu që i është përshtatur në mënyrë të përkryer një shoqërie të çrregulluar mund të përgatitet po qe se dëshiron ashtu, t’i përshtatet natyrës së gjërave.”
Aplikueshmëria e kësaj në çështjen time tash nuk është drejtëpërsëdrejti e qartë. Por mu si psikiatria e perëndimit, nga pikëpamja e Zen Budizmit, që e ngatërron apo e merr gabimisht atë se ç’është shërimi e qëllimi i saj vërtet nevojitet të kthehet në drejtim të kundërt, kështu dhe unë pyetem se mos dobësia e kritikës bashkëkohëse nuk është një pasiguri ne raport me atë se përse është kritika?
Se ç’përfitim duhet të sjellë, dhe kujt? Pasuria dhe ndryshueshmia e saj ndoshta e kanë errësuar qëllimin e saj të fundit. Ç’do kritik mund t’ia vërë syrin një qëllimi të caktuar, mund të angazhohet në një punë që nuk do arsyetim, e megjithatë vetë kritika mund të jetë e humbur, sa i përket qëllimeve të saj. Po qe kështu, nuk është për t’u habitur: sepse a nuk është e zakonshme tash, që shkencat e madje edhe ato shoqërore kanë arritur në një pikë të zhvillimit në të cilën duhet ditur aq shumë në cilëndo fushë speciale, sa që asnjë studentë nuk ka kohë për të ditur më shumë për çkado tjetër? Dhe kërkimi për një program, i cili do të kombinojë studimin e specializuar me një shkollim të përgjithshëm, është me siguri një ndër problemet për të cilin është diskutuar më së shumti në universitete tona.
S’mundemi, natyrisht , të kthehemi në universin e Aristotelit a të Shën Tomas Akuinasit, e s’mund të kthehemi as në gjendjen e kritikës para Kolrixhit.
Por ndoshta mund të bëjmë diçka që ta shpëtojmë vetveten që të mos rëndohemi nga aktiviteti ynë kritik, duke bërë vazhdimisht një pyetje si: kur nuk është kritika letrare por diçka tjetër?
Jam habitur të vërej, kohë pas kohe, se më konsiderojnë si një nga të parët e kritikës bashkëkohëse, ndoshta tejet i vjetër që të jem edhe vetë kritik bashkëkohës. Kështu në një libër që lexova së voni të një autori që me siguri është kritik bashkëkohës, gjeta një shënim për ,,Kritikën e re”, me të cilin, thotë ai, ,,nuk mendoj vetëm në kritikë që buron nga T.S.Elioti.”
Nuk e kuptojm pse i është dashur autorit të më izolojë aq preras nga kritikët amerikanë, por në anën tjetër unë s’ia dal të shoh ndonjë lëvizje në kritikë që buron prej meje, edhe pse shpresoj se si redaktor i dhashë ,,Kritikës së re”, apo një pjesë të saj, nxitje dhe një truall ushtrimi në librin ,,Kriteri” (The Criterion). Ndërkaq, ma merr mendja se, që ta arsyetoj këtë modesti të dukshme, duhet të theksoj se unë konsideroj se kontributi im për ktikën letrare ka ekzistuar, me gjithë përkufizimet e tij.
Kritika ime më e mirë letrare-pos disa frazave të johura që kanë pasur vërtet një suskes të mërzitshëm në botë-përbëhet prej esesh rreth poetëve dhe dramaturgëve poetikë që kishin ndikuar te unë. Ai është një produkt anësor i punëtorisë sime private të poezisë, apo një zgjatje e të menduarit që futej në formimin e vetë vargut tim. Duke u kthyer pas, shoh se më së miri shkrova për poetët, veprimtaria e të cilëve kishte ndikuar në timen, dhe me poezinë e të cilëve isha plotësisht i njohur, shumë kohë para se të kisha dëshiruar të shkruaja për ta, apo para se të kisha gjetur rastin ta bëja këtë.
Kritika ime e ka këtë të përbashkët me Ezra Paundin (Ezra Pound), se meritat dhe përkufizimet e saj mund të vlerësohen plotësisht vetëm kur të shqyrtohet në relacion me poezinë që e kam shkruar vetë. Në kritikën e Paundit ka më shumë motiv didaktik: lexuesi që ai e kishte ndër mend, mendoj se ishte në rend të parë poeti i ri, stili i të cilit ende ishte i paformuar. Por dashuria ndaj disa poetëve ka ndikuar te ai, dhe siç thashë edhe për veten një zgjatje e të menduarit rreth veprimtarisë së vet, që inspiron një libër të hershëm, e cila mbetet një ndër më të mirat t eseve letrarë të Paundit,,Shpirti i romansës” (The Spirit of Romance).
Kjo lloj kritike e poezisë nga një poet, apo siç e kam quajtur kritike laboratorike, e ka një përkufizim të dukshëm. Ajo që nuk është në relacion me veprimtarinë e poetit, apo ajo që është antipatike për të, është jashtë kompetencës së tij. Një përkufizim tjetër i kritikës së punishtes është se gjykimi i kritikut mund të jetë jo i shëndoshë jashtë artit të tij.
Vlerësimet e mia për poetët kanë mbetur bukur konstante gjatë gjithë jetës sime, veçmas, mendimet e mia rreth një numri poetësh të gjallë kanë mbetur të pandryshueshuara. Ndërkaq, jo vetëm për këtë aryse, ajo që kam ndër mend, duke folur siç po flas sot për kritikë, është kritika e poezisë. Poezia, në të vërtetë, është ajo që shumica e kritikëve në të kaluarën e kanë pasur ndërmend duke bërë përgjithësime rreth letërsisë. Kritika e fiksionit në prozë është pak a shumë institucion i ri, dhe nuk jam i thirrur të diskutoj për të, por mua më duket se kërkon deri-diku një sërë peshojash dhe masash të ndryshme nga poezia.
Kisha mundur, vërtet, t’i ofroj një temë interesante për ndonjë kritik a kritikë-atij që s’ka qenë as poet as romansier-t’i shqyrtojë ndryshimet midis mënyrave në të cilat kritiku duhet t’u qaset zhanreve të ndryshme të letërsisë, dhe midis llojeve të pajisjes që nevojiten. Por poezia është objekti më i përshtatshëm për ta pasur ndërmend, duke folur për kritikën, thjesht për shkak se kualitetet e saj formale janë më së leti të huazueshme për përgjithësim. Në poezi, mund të duket se stili është çdo gjë. Kjo është larg së vërtetës, por iluzioni se në poezi vimë më afër një përvoje të pastër estetike, e bën poezinë zhanrin më të përshtatshëm për ta pasur ndër mend kur jemi duke diskutuar për vetë kritikën letrare.
Një pjesë e mirë e kritikës bashkëkohëse , që fillon në një pikë, në të cilën kritika shkrihet në dituri dhe në të cilën dituria shkrihet në kritikë, mund të karakterizohet si kritikë e shpjegimit me anë të burimeve. Që ta bëj më të qartë këtë që dua të them , po i përmend dy libra të cilët lidhur me këtë, kanë një ndikim bukur të keq. S’dua të them se ata janë libra të këqinj.
Përkundrazi: që të dy janë libra me të cilët duhet të njihet secili. I pari është libri ,,Rruga për Ksanadu” (John Livingston Lowes) –një libër që ia rekomandoj çdo studenti të poezisë që nuk e ka lexuar ende. Tjetri është ,,Zgjimi i Fineganit” (Finnegans, Wake) i Xheimz Xhoisit (James Joyce)-një libër që ia rekomandojë çdo studenti ta lexojë-së paku disa faqe.
Lingston Louzi ishte shkollar i shkëlqyeshëm , mësues i mirë, njeri i dashur ndaj të cilit unë për vete kam arsye private të ndihem mirënjohës . xhemiz Xhoisi ishte njeri gjenial, mik personal dhe citimi im këtu i ,,Zgjimit të Fineganit” s’është as për lavdërim as për përçmim, të një libri që, me siguri , hyn në kategorinë e veprave që mund të quhen monumentale .
Por e vetmja karakteristikë e dukshme e përbashkët e ,,Rrugës për në Ksanadu” dhe e ,,Zgjimit të Fineganit’ është se për çdonjërën mund të themi: një libër si ky, mjafton.
Për ata që s’e kanë lexuar kurrë ,,Rrugën për në Ksanadu”, po e them se ai është një pjesë magjepsëse e kërkimit. Louzi u ra në erë të gjitha librave që kishte lexuar Kolrixhi (Le Kolrixhi ishte një lexues grykës e i pangopur ), nga i cili kishte huazuar imazhe e fraza që gjenden te,,Kubla Kani” (Kubla Khan) dhe te ,,Marinari plak” (The Ancient Mariner). Shumë nga librat që i lexoi Kolrixhi janë të panjohur dhe të harruar-ai lexoi, për shembull, çdo libër udhëtimesh që i ka rënë në dorë.
E Louzi tregoi, një herë e përgjithmonë, se origjinaliteti është kryesisht mënyra origjinale e mbledhjes së materialit më të papajtueshëm dhe që, më së paku, ka të ngjarë për ta bërë një tërësi të re. Demonstrimi është mjaft bindës, si e dhënë se si tretet dhe transformohet materiali nga një gjeni poetik. Askush, pas leximit të këtij libri, s’do të mund të supozonte se e ka kuptuar ,,Marinarin plak “ diçka më mirë, as qe e ka pas fare Dr Louzi për qëlllim ta bënte poemën më të kuptueshme si poezi. Ai ishte i preukupuar me kërkimin e një procesi, një kërkim që ishte, thënë shtruar, përtej kufijve të kritikës letrare. Se si në poezi të lartë një material i tillë, si pjesët e shkëputura të leximit të Kolrixhit , mbetet një fshehtësi përgjithmonë.
Megjithatë një numër shkollarësh që shpresojnë se e kanë marrë në dorë metodën e Louzit si të tillë që ofron një çelës për ta kuptuar cilëndo vjershë nga cilido poet që jep të dhëna se ka lexuar ndonjë send. ,,Pyes” , më shkruante një xhentëlmen nga Indiana para një viti, ,,pyes-është e mundur që jam i çmendur, natyrisht”, (kjo ishte pasthirmë e tij, jo imja, natyrisht, nuk ishte fare i çmendur, vetëm pak I prekur në një kënd të kokës së tij pas leximit të ,, Rrugës për në Ksandau”) ,,se a kanë farë lidhje të pabazë ,,macet e vdekura të qytetërimit”, ,,hipopotamusi i qelbur” dhe Z. Kërtz (Mr. Kurtz )me ,,atë kufomë që e mbolle vitin e kaluar në kopsht”? Kjo tingëllon si çmendje, po s’i dallove aluzionet: është vetëm një kërkimtar i zellshëm që përpiqet të vërë një lidhje midis ,,Tokës së shkretëruar”(The Waste Land) dhe ,,Zemrës së errësirës” (Heart of Darkness) të Xhozef Konradit (Joseph Conrad).
Tash, ndërsa Dr. Louzi i ka flakur praktikantët e tillë të interpretimeve me zell prej garuesi, ,,Zgjimi i Fineganit” u ka ofruar një model çfarë do të donin të ishin të gjitha veprat letrare. Duhet të nxitoj të shpjegoj) se nuk po i tall as po i shaj punët e atyre stërholluesve që i kanë hyrë punës t’i shthurin të gjitha fijet dhe t’u bien pas të gjithë çelësave në atë libër.
Nëse duhet të kuptohet fare ,,Zgjimi i Fineganit”-e s’mund të gjykojmë për të pa një punë të tillë-ai lloj kërkimi duhet të ndiqet dhe zonjat Kembell (Campbell ) dhe Robinson (t’i përmendim autorët e një vepre të tillë) kanë bërë një punë të shkëlqyeshme.
Ankesa ime, nëse kam ndonjë, është kundër Xheimz Xhoisit, autorit të asaj kryevepre monstruoze, që shkroi libër të tillë ku një pjesë e madhe është , pa shpjegim të hollësishëm, vetëm një nonsens i bukur (shumë i bukur vërtet kur recitohet nga një zë aq i këndshëm sa ai i autorit-sikur të kishte inçizuar më shumë prej tij!). Ndoshta Xhoisi s’e ka kuptuar se sa i errët është libri i tij.
Çfarëdo qoftë gjykimi përfundimtar (e unë nuk do të orvatem të jep gjykim) për vendin e ,,Zgjimit të Fineganit”, nuk na merr mendja se shumica e poezisë (sepse ai është njëfarë poeme e gjërë në prozë) është shkruar në atë mënyrë apo kërkon atë lloj ndarjeje në pjesë për tu kënaqur me të dhe për ta kuptuar. Por dyshoj se enigmat që i sjell ,,Zgjimi i Fineganit” t’i kenë dhënë përkrahje gabimit që mbizotron sot, të të ngatërruarit të shpjegimit me të kuptuarit.
Pas botimit të dramës sime ,,Kokteji” (The Cocktail Party), më erdhën përplot letra me muaj të tërë që ofronin zgjidhje mahnitëse të asaj që shkrimtarët besonin se ishte enigma e kuptimit të dramës. Dhe ishte evidente se shkrimtarët nuk e fyenë enigmën që mendonin se ua kisha shtruar-atyre u pëlqeu. Në të vërtetë, edhe pse ishin të pavetëdijshëm për faktin , ata e shpikën enigmën për kënaqësinë e zbulimit të zgjidhjes.
Këtu duhet të pranoj se unë, për një rast të theksuar, nuk jam i pafajshëm që i kam nxitur kritikët në një ngasje. Me shënimet për ,,Tokën e shkretë”, qëllimi im i parë ishte t’i shënoja të gjitha referencat për citatet e mia në mënyrë që të mos u rrija në thumb pushkëve të kritikëve të vjershave të mia më të hershme që më kishin akuzuar për plagiat. Pastaj kur duhej të botohej ,,Toka e shkretëruar” si libër i vogël-sepse kur doli vjersha për herë të parë në revistat ,,The Dial” dhe ,,Then Criterion” ajo nuk pati kurrfarë shënimesh –u venerua se vjersha ishte papërshtatshmërisht e shkurtër, ndaj i hyra punës që t’i zgjeroja shënimet , në mënyrë që t’i shtoja disa faqe për shtyp, e si rezultat ato u bënë ekspozitë e spikature dijenisë së rrejshme që edhe sot e gjithë ditën është e hapur. Ndonjëherë kam menduar t’i heq qafe këto shënime, por ato tash s’mund të çmbërthehen kurrë.
Ato kanë pasur popullaritet thuajse më të madh se edhe vet vjersha-çdokush që e bleu librin tim të vjershave dhe e pa se shënimet për ,,Tolën e shkretëruar” nuk ishin në të, do të kërkonte t’i ktheheshin të hollat. Por nuk mendoj se këto shënime e kanë dëmtuar ndonjë poet tjetër: me siguri nuk më kujtohet asnjë poet i mirë bashkëkohor që ta ketë shpërdoruar të njëjtën praktikë. (Kur është fjala për Z-ushën Marian Mur (Marianne Moore), shënimet që u bën ajo vjershave janë gjithnjë me vend, kureshtare, konkluzive, të mrekullueshme dhe nuk i japin kurrfarë inkurajimi gjurmuesit të origjinës) Jo, nuk ndihem i penduar për shkak se dhashë shembull të keq për poetët e tjerë: por për shkak se shënimet e mia nxitën një lloj të gabuar interesimi midis kërkimtarëve të burimeve. Ishte e drejtë, padyshim se duhet t’i shprehja mirënjohje veprës së Z-ushes Xhejsi Uestonit (Jessie Weston), por shpreh keqardhje që kam qitur aq shumë gjurmues në ndjekjen e patave të egra pas skedave të Tarotit dhe Greilit të shenjtë (Holy Grail).
Derisa po e peshoja çështjen e përpjekjes për të kuptuar vjershën duke e shpjeguar origjinën e saj, gjeta një citat nga K.G.Jungu I cili mu duk se kishte njëfarë relevance. Paragrafi ishte cituar nga dominikani Fr. Viktor Uajti (Fr. Victor White) në librin e tij ,,Zoti dhe të pavetëdijshmit” (God and the Unconscius). Fr. Uajti e citon duke e nxjerr në shesh ndryshimin radikal midis metodës së Frojdit dhe metodës së Jankut.
,,Është e vërtetë përgjithësisht e pranuar (thotë Jungu ) se ngjarjet fizike mund të vështrohen në dy mënyra, nga pikëshikimi mekanistik dhe nga ai energjik. Pikëpamja mekanistike është thjesht kauzale: nga ky pikëshikim ngjarja kuptohet si rezultat i një shkaku…Pikëpamja energjike në anën tjetër në thelb është finale, ngjarja përcillet nga efekti deri të shkaku duke supozuar se energjia përbën bazën e ndryshimeve në fenomene….”
Citati është marrë nga eseu i parë në vëllimin ,,Kontribute psikologjisë analitike” (Contributions to Analytical Psychology). Po e shtoj edhe një fjali të cilën Fr. Uajti s’e ka cituar , me të cilën fillon paragrafi vijues: ,,të dyja pikëpamjet janë të domosdoshme për të kuptuarit e fenomeneve fizike.”
Këtë po e marr thjesht si një analogji sugjestive.
Njeriu mund ta shpjegojë vjershën duke e shqyrtuar nga çka është krijuar dhe cilat shkaqe e kanë sjellë, shpjegimi mund të jetë përgatitje e nevojshme për të kuptuarit e saj. Por që të kuptohet një vjershë, është po ashtu e nevojshme dhe do të thosha në shumicën e rasteve akoma më e nevojshme, se duhet të përpiqemi të kuptojmë se ç’ka për qëllim ajo poezi; mund të thuhet-edhe pse ka kaluar shumë kohë që kur kam përdorur terma të tillë me ndonjë siguri-përpjekje për të kuptuar entelehinë e saj.
Ndoshta forma e kritikës ku rreziku i mbështetjes së tepërt në shpjegimin kauzal është më i madh te biografia kritike, veçmas kur biografi plotëson dijeninë e tij rreth të dhënave të jashtme me supozime psikologjike reth përvojës së brendshme. Nuk po sugjeroj se personaliteti dhe jeta privare e poetit përbëjnë një truall të shenjtë ku nuk guxon të shkelë psikologu. Shkencëtari duhet të jetë i lirë të studiojë një material të tillë ashtu siç e udhëheq kureshtja e tij në kërkim-përderisa viktima është e vdekur dhe ligjet e përfoljes s’mund të thirren që ia ndalin. As që ka arsye të mos shkruhen biografitë e poetëve.
Për më tepër, biografi i një autori duhet të ketë njëfarë aftësie kritike, duhet të jetë njeri i shihes dhe i gjykimit, vlerësues i veprimtarisë së njeriut, biografisë së të cilit I ka hyrë. E në anën tjetër, çdo kritik I interesuar seriozisht për veprimtarinë e dikujt pritet të dije diçka për jetën e tij. Por biografia kritike e një shkrimtari, vetëvetiu është detyrë e ndieshme dhe kritiku apo biografi, i cilii, duke mos qenë psikolog i ushtruar dhe me përvojë dhe duke e përdorur në subjektin e tij një shkahtësi të tillë analitike siç e ka fituar duke lexuar libra të shkruar prej psikologsh, mund ta ngatërrojë çështjen edhe më tepër.
Çështja se sa na ndihmon informimi rreth poetit që ta kuptojmë poezinë, nuk është aq e thjeshtë siç mund të mendohet. Çdo lexues duhet t’i përgjigjet për veten, dhe s’guxon t’i përgjigjet përgjithësisht pos në raste të veçanta, sepse mund të jetë më me rëndësi në rastin e një poeti dhe më pak me rëndësi në rastin e tjetrit. Sepse të kënaqurit në poezi mund të jetë një përvojë e ndërliqshme, në të cilën gërshetohen disa forma të kënaqësisë dhe ato mund të jenë të gërshetuara në proporcione të ndryshme për lexues të ndryshëm. Po jap një ilustrim. Përgjithësisht mendohet se pjesa më e madhe e poezisë më të mirë të Uordzuorthit është shkruar brenda një intervali të shkurtër vitesh-të shkurtër në vetvete, dhe të shkurtër në proporcion me tërë gjatësinë e jetës së Uordzuorthit.
Studiues të ndryshëm të Uordzuorthit kanë parashtruar shpjegime për të shpjeguar mediokritetin e krijimtarisë së tij të vonshme. Disa vjet më parë, Sër Herbert Ridi (Sir Herbert Read) shkroi një libër për Uordzuorthin-një libër interesant, edhe pse mendoj se vlerësimi I tij më I mirë për Uordzuorthin gjendet në një esë të vonshëm në një vëllim me titull ,,Palltoja shumëngjyrëshe “ ( A Coat of Mant Colours)-në të cilën ai i shpjegon lindjen dhe rënien e gjenialitetit të Oordzuorthit përmes ndikimit që kanë bërë mbite afera e tij me Anet Vallonin (Annette Vallon), e cila ishte shfaqur në atë kohë. Edhe më së voni, Z.F.U. Beitson (Mr. F. Ë. Bateson) shkroi një llibër rreth Uordzuorthit, I cili po ashtu është me interestë konsiderueshëm (kapitulli I tij mbi ,,Dy zërat” (The Two Voices ) ndihmon të kuptohet stili i Uordzuorthit).
Në këtë libër ai pohon se Aneta s’është as për së afërmi aq me rëndësi siç kishte menduar sër Herbert Ridi, dhe se sekreti i vërtetë ishte se Uordzuorthi kish rënë në dashuri me motrën e tij Dorothin, se kjo i shpjegon në veçanti, vjershat për Luisin dhe shpjegon se pse, pas martesës së Uordzuorthit, frymëzimi i tij zuri të thahej. E po, ai mund të ketë të drejtë: argumenti i tij është bukur i besueshëm. Por pyetja e vërtetë, të cilës çdo lexues i Uordzuorthit duhet t’i përgjigjet për vete, është: ç’rëndësi ka? a më ndihmon ky shpjegim t’i kuptoj vjershat për Luisin më mirë se ç’i kam kuptuar më parë?
Sa për vete, mund të them se njohja e burimeve nga të cilat ka rrjedhur ndonjë vjershë nuk është domosdoshmërisht ndihmë për të kuptuarit e vjershës: informimi i tepërt për origjinën e vjershës madje mund të ma thyejë kontaktin me të. Nuk ndiej kurrfarë nevoje që të hidhet fare dritë në vjershat për Lusin përkrye ndriçimit që del nga vetë vjershat.
Nuk po them se nuk ka asnjë kontekst, ku një informom apo supozim i tillë si ai i Sër Herbert Ridit dhe i Z. Beitsonit mund të jetë relevant. Është relevant, nëse duam ta kuptojmë Uordzuorthin, por nuk është drejtpërsëdrejti relevant që ta kuptojmë poezinë e tij. Apo më saktësisht, nuk është relevant që ta kuptojmë poezinë si poezi. Madje ja gati të sugjeroj se në tërë poezinë e lartë ka diçka që duhet të mbetet e pashpjegueshme sado e plotë që mund të jetë njohuria jonë për poetin dhe se kjo, është e rëndësishmja. Kur të jetë krijuar një vjershë, ka ndodhur diçka e re, diçka që nuk mund të të shpjegohet në tërësi me asgjë që ka kaluar më parë. Kjo, besoj, është ajo që duam të themi me termin ,,krijim,,.
Shpjegimi i poezisë me shqyrtimin e burimeve të saj nuk është fare metodë e kritikës bashkëkohëse por është një metodë që i përgjigjet dëshirës së një numri të mirë lexuesish që poezia t’u shpjegohet me terma të një gjëje tjetër: pjesa kryesore e letrave që marr nga individë të panjohur për ta, e që kanë të bëjnë me poezinë time, përbëhen nga kërkesa për një lloj shpjegimi që unë s’mund ta jap kurrsesi. Ka edhe tendenca të tjera, siç është ajo të cilën e përfaqëson kërkimi i Profesor Riçardzit (Richards ) rreth problemit se si mund të mësohet vlerësimi i poezisë apo ajo me anë të subtilitetit verbal të nxënësit të tij të dalluar, Profesor Empsonit.
Së voni kam vënë re një zhvillim, që dyshoj se e ka origjinën nga metodat në klasë të Profesor Riçardzit, që në mënyrën e vet, është një reaksion i shëndoshë kundër largimit të vëmendjes nga poezia te poeti. Gjendet në një libër të botuar jo shumë kohë më parë, me titull ,,Interpretime “ (Interpretations): një sërë esesh nga dymbëdhjetë kritikë anglezë më të rinj, ku secili e analizon nga një vjershë sipas zgjedhjes së vet.
Sipas kësaj metode duhet të merret një vjershë e njohur-secila nga vjershat e analizuara në këtë libër është vjershë e mirë e llojit të vet –duke mos iu referuar autorit as veprimtarisë tjetër të tij, të analizohet strofë pas strofe dhe varg pas vargu , të shkëputet , të shtrydhet , të ngacmohet dhe të nxirret pikë më pikë kuptimi i mundshëm i saj. Kjo do të mund të quhej shkolla limonshtrydhëse e kritikës.
Meqë vjershat shtrihen që nga shekulli i XVI e deri në ditët e sotme,meqë ndryshojnë në një masë të madhe nga njëra tjetra –libri fillon me vjershën ,,Fesniksi dhe breshka e ujit” (The Phoenix and the Turtle) dhe përfundon me ,,Prafrokun”. (Prafrock) dhe me vjershën e Jejtsit ,,Midis fëmijëve shkollorë” (Among School Children), dhe meqë secili kritikë e ka procedurëne vet, rezultati është interesant dhe pak konfuz-dhe, duhet të pranojmë se, t’i studiosh dymbëdhjetë vjersha duke analizuar çdonjërën me kujdes, është mënyrë e mërzishme për të kaluar kohën.
E marr me mend se disa nga poetët (të gjithë pos meje janë të vdekur ) do të habiteshin kur të mësonin se ç’kuptim kanë vjershat e tyre: një a dy habi të vogla i pata dhe vetë, si në rastin kur mësova se mjegulla, e cila përmendet herët te ,,Prafroku”, disi ishte futur në salon. Por analiza e ,,Prafrokut” nuk qe një përpjekje për t’ia gjetur origjinën, qoftë në letërsi apo në skutat më të errëta të jetës sime private, qe një përpjekje për të zbuluar se ç’kuptim kishte vjersha vërtet-pa marrë parasysh se a e kam menduar unë ashtu apo jo. Për këtë isha mirënjohës.. Pati disa ese që më ranë në sy si më të mirë. Por, meqë çdo metodë i ka kufizimet dhe rreziqet e veta krejt e arsyeshme t’i përmend ato që mua më duken kufizimet dhe rreziqet të kësaj metode, rreziqe kundër të të cilave, po të ushtrohej për atë që pandeh se duhet të jetë përdorimi kryesor, pra, si një ushtrim për nxënës do të ishte detyrë e arsimtarit t’ia tërheq vërejtjen klasës së tij.
Rreziku i parë është kur supozohet se duhet të egzistojë vetëm një interpretim i vjershës si tërësi i cili duhet të jetë i drejtë. Do të ketë detaje të shpjegimit, veçmas në vjershat të shkruara në një periudhë tjetë kohore, çështje që kanë të bëjnë me të dhënat, aluzione historike, kuptimi i një fjalë të caktuar në një kohë të caktuar, që mund të vërtetohen kurse mësuesi mund të shikojë që nxënësit e tij t’i mësojnë këto si duhet. Por sa i përket kuptimit të vjershës si tërësi, ajo nuk shterrohet, me asnjë shpjegim, sepse kuptimi është ajo që vjersha do të thotë për lexues të ndryshëm sensitivë. Rreziku i dytë –një rrezik në të cilin nuk mendoj se ka rënë njëri nga kritikët e vëllimit që e përmenda , por një rrezik të cilit i ekspozohet lexuesi-është ai kur supozohet se interpretimi i një vjershe, nëse është valid, paraqet domosdoshmërisht një shpjegim të asaj që autori me apo pa vetëdije është përpjekur të bënte . Sepse kjo tendencë është aq e përgjithshme, të besohet se e kemi kuptuar një vjershë pasi ta kemi identifikuar origjinën e saj dhe t’i kemi rënë në gjurmë procesit të cilit poeti ia ka nënshtruar materialet e veta, sa që lehtë mund ta besojmë të kundërten-se çdo shpjegim i vjershës është gjithashtu një shpjegim se si është shkruar ajo. Analiza e ,,Prafrokut” të cilës iu referova më interesoi mua, sepse mua më ndihmoi ta shoh vjershën përmes syve të një lexuesi inteligjent, sensitiv dhe të zellshëm.
Kjo kurrsesi s’do të thotë se ai e ka parë vjershën me sytë e mi, apo se shpjegimi ka ndonjë send, që lidhet me përvojat që më kanë nxitur ta shkruaja, apo me çkado që kam përjetuar në procesin e të shkruarit. Komenti im i tretë është, se do të dëshiroja që, si test, ta shihja këtë metodë të aplikuar në ndonjë vjershë tjetër, në ndonjë vjershë shumë të mirë, në ndonjë vjershë që s’e kam njohur më parë: sepse do të dëshiroja ta shoh se, pasi ta lexoj me vemendje analizën, a do të isha në gjendje të kënaqem me vjershën. Sepse, gati të gjitha vjershat në këtë vëllim ishin vjersha që i kisha njohur dhe më kishin pëlqyer me vite dhe pas leximit të analizës, e pashë se isha i ngadalshëm në rifitimin e ndjenjës së mëparshme për vjershat. Isha sikur ta kishte shpartalluar dikush një makinë në pjesë dhe të ma kishte lënë për detyrë ta ribashkoja. Më duket, në të vërtetë, se një pjesë e mirë e vlerës së një interpretimi është –se ai duhet të jetë interpretimi im personal.
Ka ndoshta , shumë gjëra që duhet ditur për këtë apo atë vjershë, shumë të dhëna rreth të cilave mund të më udhëzojnë shkollarët, e të cilat do të më ndihmojnë t’i shmangem keqkuptimit të përcaktuar; por një interpretim i vlefshëm, besoj se duhet të jetë në të njëjtën kohë interpretim i ndjenjave të mia kur ta lexoj.
Nuk ka qenë pjesë e qëllimit tim të jap një vështrim të gjithmbarshëm të të gjitha tipeve të kritikës letrare që ushtrohen në kohën tonë. Në rend të parë desha ta tërheq vëmendjen te transformimi i kritikës letrare, i cili mund të themi se filloi me Kolrixhin, por që ka vazhduar me nguti më të madhe gjatë njëzetepesë viteve të fundit. Konsideroj se kjo nguti është shpejtuar me relevancën e shkencave shoqërore të kritikës dhe me mësimin e letërsisë (duke përfshirë edhe letërsinë bashkohore) në këtë transformim, sepse mua më duket të ketë qenë i paevitueshëm. Në një periudhë pasigurie, një periudhë në të cilën njerëzit janë të hutuar nga shkencat e reja, një periudhë në të cilën aq pak mund të merret si e tillë, si bindje e përgjithshme, si supozime dhe sfond i të gjithë lexuesve, asnjë fushë e gjurmueshme s’mund të jetë terren i ndaluar. Por, midis gjithë kësaj ndryshueshmie, mund të pyesnim, ç’është ajo, nëse ka diçka, që duhet të jetë e përbashkët për tërë kritikën letrare?
Tridhjetë vjet më parë pohoja se funksioni themeor i kritikës letrare ishte ,,ndriçimi i veprave të artit dhe përmirësimi i shijes”. Kjo frazë mund të bjerë në vesh si diçka pompoze, tash në vitin 1956. Ndoshta do të mund ta shtroja pak më thjesht dhe në mënyrë më të pranueshme për periudhën e tashme, duke thënë ,, për ta çuar më përpara të kuptuarit dhe kënaqësinë në letërsi”. Do të shtoja se këtu kuptohet gjithashtu detyra negative e vënies në dukje të faktit se me çka nuk duhet të kënaqemi. Sepse kritikut në ndonjë rast mund t’i shkojë mendja ta dënojë atë që është e dorës së dytë e ta parashtrojë atë që është mashtruese: edhe pse kjo detyrë është sekondare ndaj detyrës për ta theksuar lavdërimin për atë që vlen të lavdërohet. Dhe më duhet ta theksoj se kënaqësinë dhe të kuptuarit nuk i mendoj si dy aktivitetet të ndryshme-njërin emocional e tjetrin intelektual. Me të kuptuar nuk e kuptoj shpjegimin edhe pse shpjegimi i asaj që mund të shpjegohet, shpesh mund të jetë një domosdo paraprake e të kuptuarit.
Të ofrojmë një shembull shumë të thjeshtë, të mësohen fjalët e panjohura dhe format e panjohura të fjalëve, është një domosdo paraprake për ta kuptuar Çoserin (Chaucer), ky është një shpjegim: por njeriu mund ta përvetësojë vokabularin, shqiptimin, gramnatikën dhe sintaksën e Çoserit-në të vërtetë, që ta çojmë këtë shembull një hap më tutje, njeriu mund të jetë shumë mirë i informuar për periudhën e Çoserit për shprehitë shoqërore të saj, për bindjet e saj, për diturinë dhe injorancën –e megjithatë të mos e kuptoj poezinë. Ta kuptosh një vjershë është njësoj si të kënaqesh me të për arsye të njëmendëta.
Mund të thuhet se kjo do të thotë të nxjerrësh nga një vjershë kënaqësi të tillë çfarë ajo është në gjendje të japë: të kënaqesh me një vjershë nga të keqkuptuarit e asaj që është, do të thotë të kënaqesh me atë që është vetëm një projeksion i mendjes sonë. Aq mjet i vështirë për t’u përdorur është gjuha , sa që, ,,të kënaqesh” dhe ,, të fitosh kënaqësi nga” nuk duan se e kanë të njëjtin kuptim: të thuash se ai ,,fiton kënaqësi nga poezia nuk tingëllon krejt njësoj si kur thuash ,, kënaqet” ndryshon me objektivin që inspiron kënaqësinë; vjershat e ndryshme, madje sjellin satisfaksione të ndryshme. Është e sigurtë se nuk kënaqemi plotësiht me një vjershë nëse nuk e kuptojmë, e në anën tjetër, është po aq e vërtetë se nuk e kuptojmë plotësisht një vjershë nëse nuk e kuptojmë, e në anën tjetër, është po aq e vërtetë se nuk e kuptojmë plotësisht një vjershë nëse nuk kënaqemi me të. E kjo do të thotë, të kënaqesh me të në një masë të duhur dhe në një mënyrë të duhur, në relacion me vjershat e tjera (shija shfaqet në relacionin e kënaqësisë sonë me një vjershë ndaj kënaqësisë me vjershën tjetër). Të thuash se s’ka nevojë të shtojmë se kjo nënkupton faktin se njeriu nuk duhet të kënaqet me vjersha të këqia –pos nëse e keqja e tyre është e tillë që na ngacmon ndjenjën tonë për humor.
Kam thënë se shpjegimi mund të jetë një parapriojës i domosdoshëm për kuptimin. Mua më duket, ndërkaq , se ka poezi që e kuptoj pa shpjegim, për shembull atë të Shekspirit.
Full fathom five thy father lies
(Në pesë pash të plotë të shtrihet babai)
apo të Shellit
Art thou pale for weariness
Of climbing heaven and gazing on the earth
Mos je zbehur nga molisja
Duke hipur në qiell e duke vështruar tokën sepse këtu, si dhe në një pjesë të madhe të poezisë , nuk shoh asgjë që duhet të shpjegohet-asgjë, pra , që të më ndihmonte ta kuptoj më mirë dhe, së andejmi, të kënaqemi me të më shumë. Shpjegimi , ndonjëherë, siç e kam vënë tashmë në dukje, mund të na largojë plotësisht nga vjersha si poezi, në vend që të na shpie në drejtim të të kuptuarit. Arsyeja ime më e mirë, ndoshta , për të besuar se nuk mashtrohem duke menduar se e kuptoj poezinë e tillë si lirikën e Shekspirit dhe të Shellit sapo të cituar, është se këto vjersha më zgjojnë një rrënqethje po aq të fortë sot kur i përsëris, si edhe pesëdhjetë vjet më parë.
Ndryshimi, pra, midis kritikut letrar dhe kritikut që ka kaluar përtej kufijve të kritikës letrare, nuk është se kritiku letrar është ,, thjesht” letrar , aq se nuk ka interesime të tjera. Një kritik që s’do të interesohej për asgjë pos ,,letërsisë” pak do të kishte për të na thënë, sepse letërsia e tij do të ishte një abstraksion i pastër.
Poetët kanë edhe interesime tjera të poezisë-përndryshe poezia e tyre do të ishte shumë e zbrazët: ata janë poetë, sepse interesimi i tyre dominant ka qenë që ta kthejnë përvojën dhe mendimin e tyre (e të përjetosh dhe të mendosh do të thotë të kesh interesime përtej poezisë)-që ta kthejnë përvojën dhe të menduarit e tyre në poezi. Kështu pra, kritiku është kritik letrar nëse interesimi i tij primar, duke shkruar kritikë, është që t’i ndihmojë lexuesit të tij të kuptojë dhe të kënaqet.
Por ai duhet të ketë edhe interesime të tjera, po aq sa edhe vet poeti, sepse kritiku letrar nuk është vetëm një ekspert teknik, i cili i ka mësuar rregullat që duhet të vështrohen nga shkrimtarët që i kritikon: kritiku duhet të jetë e tërë qenia e tij, një njeri me bindje dhe parime, me dije dhe me përvojë jetësore.
Prandaj mund të pyesim për çfarëdo shkrimi që na ofrohet si kritikë letrarë, se a ka qëllim në drejtim të të kuptuarit dhe të të kënaqurit? Nëse nuk ka, madje mund të jetë aktivitet i dobishëm dhe legjitim, por duhet të vlerësohet si një kontribut për psikologjinë, ose për sociologjinë, ose për logjikën, ose për pedagogjinë, ose për ndonjë veprimtari tjetër-edhe duhet të vlerësohet nga specialistë, jo nga njerëz që merren me shkrime. Nuk guxojmë ta identifikojmë biografinë me kritikën: biografia rëndom është e dobishme kur sjell shpjegime që mund të hapin rrugën kah të kuptuarit e mëtutjeshëm, por ajo gjithashtu, duke na e tërhequr vëmendjen kah poeti, mund të na largojë nga poezia.
Nuk guxojmë ta ngatërrojmë njohurinë-informimin faktual-rreth një periudhe të poetit, kushtet e shoqërisë në të cilën ka jetuar, idetë e kohës së pranishme në shkrimet e tij, gjendjen e gjuhës në periudhën e tij-me të kuptuarit e poezisë së tij. Një njohuri e tillë, siç kam thënë , mund të jetë një përgatitje e nevojshme për ta kuptuar poezinë, për më tepër ajo e ka vlerën e vet, si histori, por për vlerësimin e poezisë, vetëm mund të na shpjerë deri te dera: e rrugën tonë për t’u futur brenda duhet ta gjejmë vetë, sepse qëllimi i fitimit të një dijeje të tillë, nga qëndrimi që është marrë fund e krye në këtë punim, nuk është në radhë të parë se duhet të jemi në gjendje të projektohemi në një periudhë të largët, të jemi në gjendje të mendojmë dhe të ndiejmë, duke lexuar poezi, siç ka mundur të mendonte dhe të ndiente ndonjë bashkëohës i poetit, edhe pse një përvojë e tillë e ka vlerën e vet; kjo është më tepër zhveshje jona nga përkufizimet e periudhës sonë dhe të poetit, veprimtarinë e të cilit po e lexojmë, nga përkufizimet e periudhës së tij, me qëllim që të kemi një përvojë të drejtëpërdrejtë , një kontakt të pandërmjetshëm me poezinë e tij, ajo që ka rëndësi më së shumti, të themi, duke lexuar oden e Safos, nuk është se duhet ta marr veten me mend se jam një grek ujdhese i para 2500 vjetësh; me rëndësi është përvoja që del e njëjtë për të gjitha qeniet njerëzore të shekujve të ndryshëm dhe të gjuhëve të ndryshme që janë në gjendje të kënaqen me poezi, ajo shkëndijë që bredh gjatë atyre 2500 vjetëve.
Kështu kritiku ndaj të cilit jam më së shumti mirënjohës, është ai që mund të më bëjë të shikoj diçka që nuk kam shikuar kurrë më parë, ose e kam shikuar me sy të turbulluar nga paragjykimi, që më vë ballë për ballë me të dhe atëherë, më lë vetëm me të. Nga ai çast , duhet të mbështetem në sensibilitetin tim, në zgjuarësinë dhe në kapacitetin e mençurisë personale.
Nëse në kritikën letrare, tërë theksin e vëmë në të kuptuarit, jemi në rrezik të rrëshqasim nga të kuptuarit në shpjegimin e thjeshtë. Madje jemi në rrezik që ta pranoj kritikën sikur të ishte ajo shkencë, gjë që s’mund të jetë kurrë. Nëse , në anën tjetër, theksojmë së tepërmi kënaqësinë, do të tetojmë të biem në diçka subjektive dhe impresioniste, kurse kënaqësia jonë s’do të jetë asgjë tjetër pos lojë e dëfrim.
Para tridhjetë e tri vjetësh, duket se ky tipi i fundit i kritikës , tipi impresionist, më ka shkaktuar brengosjen që kam ndier kur shkrova rreth ,, funksionit të kritikës”. Sot më duket se na duhet të jemi tepër në rojë kundër kritikës thjeshtë shpjeguese. Por nuk dua t’ju lë me mbresën se dëshiroj ta gjykoj kritikën e kohës sonë. Këto tridhjetë vjetët e fundit kanë qenë, ma merr mendja, si një periudhë briliante e kritikës letrare si në Britani ashtu dhe në Amerikë. Ndoshta duke e shikuar në retrospektivë, vjen e duket tejet briliante. Kush e di?
(Shkëputur nga libri ‘Ese të zgjedhura’ nga T.S. Eliot. botuar nga Rilindja më 1982 )
Përktheu: Isa Zymberi
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: