Ç’më duhesh tash e marrë
Shih ndjenjat më janë topitur
Stinën e trëndafiltë e harrove, si munde
Kur erë frynte e shi rigonte
Mbi kokat tona rritej fati
Dhe drurin që gdhendur e patëm me durim
E mori zjarri e mori
Bukur e dhembshëm qajtëm e heshtëm
Ligjet e jetës pa i ditur
Unë njeri i shqetësimeve
Mbeta. Sot e atë ditë
Larg qiellit. Larg deteve, harrimit.
Për dashurinë s’më kujtohet ç’thashë
Vetëm të padukshmet i dua
Më shumë se dashurinë e pathënë
Kur nga gjiri i harrimit kthen
Vërtet jam bërë harrestar i madh
Asgjë nuk përfill si dikur.
ObserverKult
Lexo edhe:
Testamenti
Nëse më gjeni të vdekur ndonjë ditë
Bri rrugës ndanë asfaltit të nxirë
Te kantonieret e mbeturinave
Ose skutave të ndonjë lokali ku prehje gjen bota
Mos pështyni mbi kufomën time
Kam vdekur nga dashuria e madhe për njerëzit
Nga fjalët që i humba rrugëve deri në hiç
E i gjeta një ditë në libra të mykur
Ishin fjalë të urta për budallain që vjen në jetë
Ç’ishin ato që të preknin pa i prekur
Cili ishte ai që me buzëqeshje vriste yllin tënd
Që hante pinte dashuronte urrente
Hapësira pushtonte botën kafshonte
Herë-herë njeriut i ngjante ajo gjallesë e çuditshme
Po për mua jeta ishte krejt njësoj
Si ta marrësh ujemin e të korrës së huaj
E të kthesh i mashtruar me ëndërr të vrarë
Ndër zemane të mbijnë ferrat lulet
Të mbijnë patatet e egra
Kjo do të thotë të bëhesh tokë me tamam tokë
T’ua prodhosh bukën atyre që vijnë në jetë
Thashë ata nuk do të hanë bukë e kripë
Siç ndodhi me ne brezin e shqetësimeve të mëdha
Unë e kam dashur jetën njerëzit mbi të gjitha
Dhe kam parë njerëz të mëdhenj të vegjël gjithfarë
Botën e mbanin në sy me madhështinë e tyre
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult