Takohen akademikët, diskutohet për “Enciklopedinë shqiptare”

Këto ditë, në Vërmicë të Prizrenit, u zhvillua një takim pune i Redaksisë Qendrore të Enciklopedisë Shqiptare, i redaksive vendore Tiranë e Prishtinë, si dhe i redaktorëve përgjegjës të redaksive të fushave në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë e Veriut.

Takimi u drejtua nga kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Skënder Gjinushi dhe zëvendëskryeredaktori, akad. Mehmet Kraja.

Ky takim ishte i shumë i rëndësishëm për organizimin e mëtejshëm të punës për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”. Ai shënon njëherazi mbylljen e fazës përgatitore të punës më se njëvjeçare të Redaksisë Qendrore, e cila u prezantoi redaksive vartëse paketën e plotë të akteve ligjore e nënligjore, rregulloreve e udhëzimeve për autorët, të përgatitura prej saj.

Kryeredaktori i ESH akademik Gjinushi i njohu pjesëmarrësit me aktet e nxjerra nga Redaksia Qendrore, sidomos me rregulloret e funksionimit të redaksive të gjithë niveleve, të cilat normojnë funksionimin e tyre dhe harmonizojnë punën midis redaksive e autorëve.

Zëvendëskryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” dhe njëherazi drejtues i redaksisë vendore Prishtinë akad. Kraja prezantoi ndarjen e punës ndërmjet redaksive të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe i njohu pjesëmarrësit me përbërjen e redaksive të fushave.

Në tërësi, për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare” janë të angazhuara 27 redaksi të fushave në Tiranë, 29 redaksi të fushave në Prishtinë dhe një redaksi e posaçme për Maqedoninë e Veriut.

Gjatë takimit u shpërndanë aktet e përgatitura dhe materiale të tjera të nevojshme për vazhdimin e punës. Po ashtu, një pikë e rëndësishme në organizimin e këtij takimi ishte edhe vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta e redaktorëve përgjegjës të fushave të Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim koordinimin e punës së përbashkët për hartimin e Enciklopedisë shqiptare./shqip.com

ObserverKult


Lexo edhe:

VISENTE ALEIHANDRE: ISHE TI, DASHURI, DASHURI E MBRAME

Poezi nga Visente Aleihandre

Si lindi dashuria? Ishte vjeshtë.
E pjekur, bota
më s’të priste. Ti erdhe gazplotë,
lehtësisht bjonde, mbi lartësinë e kohës duke rrëshqitur.
Dhe unë të vështrova. Sa e bukur
m’u duke ashtu buzëqeshur, e gjallë,
përpara hënës së mitur, ende të parritur në ndajnatë,
pa dritë, por gjithë hir në ajrin e praruar, si ti
që vije mbi kaltërsinë, pa puthje,
por me dhëmbë të pastër, me padurim për dashuri!

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult