Tamara Łempicka ishte piktore polake e cila punoi në Francë dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo është më e njohur për portretet e aristokratëve dhe për pikturat e saj karakteristike të shprehjeve të nuditetit.
Lindur në Varshavë, Lempicka u zhvendos për pak kohë në Shën Peterburg ku u martua me një avokat të shquar polak, pastaj udhëtoi për në Paris. Ajo studioi pikturë me Maurice Denis dhe André Lhote. Stili i saj ishte një përzierje e kubizmit të vonë, të rafinuar dhe të stilit neoklasik, veçanërisht të frymëzuar nga vepra e Jean-Dominique Ingres. Ajo ishte një pjesëmarrëse aktive në jetën artistike dhe shoqërore të Parisit në vitet midis dy Luftërave Botërore. Në vitin 1928 ajo u bë e dashura e baronit Raoul Kuffner, një koleksionist i pasur i krijimeve artisitke, sidomos pikturave, nga ish-Perandoria Austro-Hungareze. Pas vdekjes së gruas së tij në vitin 1933, Baroni u martua me Lempicka në vitin 1934 dhe më pas ajo u bë e njohur në shtyp si “Baronesha me një penel”.
E famshme për epshin e saj, Lempicka ishte biseksuale. Marrëdhëniet e saj me burrat dhe gratë u quajtën skandaloze në atë kohë. Ajo shpesh përdorte elemente të fortë që shprehin dëshirën dhe joshjen seksuale në pikturat e saj ku shfaqej një nuditet “i shfrenuar”.
Piktura më e famshme: Dy Mikeshat (Les Deux Amies)
Fuqia e pikturës …
Gratë e Tamara de Lempicka në këtë pikturë të vitit 1923 kanë trupat e fuqishëm të qenieve hyjnore të Michelangelos. Në fakt, ky imazh i një gruaje në gjumë të thellë pas aktit seksual me të dashurën e saj sjell në kujtesë pikturën murale të Maria Magdalenës me Jezusin.
Pikturë moderne …
Megjithatë, këto janë pa dyshim gra të sjella në pikturë nëpërmjet një qasje moderne. Sfondi është kubizmi tipik; flokët e tyre janë prerë në modelin e zakonshëm të djelmoshave parizienë; buzët e tyre të kuqe dhe sytë e errësuar janë tërësisht tipare të kohës së atëhershme. Ndërlidhja dhe marrëdhënia e tyre seksuale ishte shumë e vështirë për t’u perceptuar e shumë më e vështirë për t’u kuptuar nga shoqëria e kohës në Paris edhe pse ata mbahen mend në histori, si një nga shoqëritë më liberale të perëndimit.
Përshtypje …
Por, për aq sa dihet deri tani, kjo pikturë nuk është portretizimi real i një çifti femrash, por më tepër se kaq, është seksualiteti femëror i dërguar në më të bukurën e saj, në thellësinë e misterit të epshit femëror./konica.al