Ditën e djeshme në “Festivalin e Resë” që po vijon në Tiranë, një pjesë e këtij eventi iu dedikua edhe letërsisë. Autorja Adriatike Lami erdhi në një mbrëmje poetike me titullin “Tango Vere” me moderimin e Flutura Açkës dhe leximet autoriale të aktorit Vasjan Lami.
Më pas, mbrëmja e këtij festivali ka vijuar me interpretimin e kantautores nga Kosova Agona Shporta. E shoqëruar nën tingujt e organos që luante vetë, këngëtarja solli për publikun një pjesë të repertorit të saj muzikor. Rryma që ajo lëvron është tepër e veçantë. Artistja gërsheton melodi, gjuhën e improvizimeve, me një përvojë audio-vizuale.
Mes Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, Indisë e jazz-it të standardeve amerikane, muzika e Agonës sjell një kombinim të pasur dhe shumëllojshëm të tingujve dhe kulturave, përmes një zëri dhe interpretimi autentik./ATSH