“Buzëqesh gjithmonë, edhe nëse buzëqeshja jote është e trishtuar, sepse më i trishtuar se një buzëqeshje e trishtuar, është trishtimi që nuk buzëqesh”, më shumë se një maksimë, ky është lajtmotivi që e udhëpriu atë në përjetësi dhe na u servir si një bujari, bashkëkohësve të tj dhe brezave.
Humori shkodran është pjesë organike e traditës sonë, është manifestim i një vullnese të kurajshme që sfidon kohën dhe sprova më dinjitoze e trashëgimisë. Ajo ka kapluar vite për të mbërritur deri në të tashmen e nevojës për t’u ushqyer me mëkimin e atij shpirti lirie dhe hareje.
Panoramimi i kësaj tabloje ka tonet dhe dritëhijet që nxitin joshjen tonë të përgjithmonshme dhe na rrëmbejnë në një andje që cyt, në një dëshirë rrëmbese. Pikërisht këtë kimi, këtë gjendje, këtë ngazëllim, kësaj tabloje ia mëkon portreti i një personazhi, i cili u instalua në shpërthimin gazmues të buzëqeshjes si një veçanti, si një tipizim, si një karakter, prej të cilit humori, e qeshura, satirikja, sarkazma gufojnë natyrshëm.
Ai është Tano Banushi, personifikim dhe përfaqësim, promovim dhe mishërim, tharm dhe lëndë e humorit shkodran, sinonim i buzëqeshjes me gjithë shpirt, emblemë e skenës dhe ovacioneve frenetike. Pa bujë dhe pa gjurmime pas lavdeve dhe privilegjeve, ai punoi, ai ende, ai ngjizi në traditën tonë të shkëlqyer një emër dhe një vepër, një monument, lartësia e të cilit na legjitimon krenarinë dhe mburrjen.
“Kam luajtur këpucarë e bojaxhij, zdrukthëtarë e dugajxhi, mekanikë dhe terzi, elektricistë e hallvaxhi… Burra grash shamataxhesha, gagarelë pa mentesha, beqar t’mbetur e nervozë, matrapazë e karagjozë, fanatikë e kulakë, me mustak e pa mustakë, e demek me ju ba me qeshë, edhe femër kam qenë veshë…”. Thoshte vetë Tano Banushi.
Tano Banushi, një prej emblemave të artit të satirës dhe humorit, ai që do të mbamendet pambarim në kujtesën e gjeneratave për rolet, karakteret dhe personazhet që jetësoi me kaq përkushtim dhe pasion. Ai, si pakkush tjetër, diti të na bënte të qeshim, të jetojmë me të qeshurën.
Të shumtë janë emrat e personazheve që e bënë atë të pavdekshëm. E pakrahasueshme mbetet aftësia për të ardhur në çdo tip dhe karakter i ndryshëm dhe krejt i veçantë, plot humor. Në jetën e tij skenike prej 45 vitesh ka një galeri të pamatë rolesh.
Megjithëse brenda kornizës së pakalueshme të një ideologjie imponuese dhe kufizimesh, të arrish të ironizosh, të tallesh, t’u bësh karikaturën shefave, brigadierëve, drejtorëve… pra kalbësimin e një shoqërie, a nuk është kjo t’i bësh radioskopinë një sistemi drejtues dhe politikës që e krijoi atë?
A nuk është ky qëndrim kritik dhe disident? Dhe Tano Banushi, i dalluar sidomos për rolet e naivit, apo një lloj Shvejku shqiptar, mund të themi se vuri në lojë, talli dhe akuzoi shoqërinë e kohës. Ndaj edhe mbetet i madh.
La pas jo vetëm qindra role, por edhe një shkollë të madhe të artit të humorit, në gjurmët e të cilit kanë ecur breza të tërë humoristësh nga i gjithë vendi. Kontributi i tij artistik e kishte kaluar skenën e Shkodrës, artin e tij kanë patur fatin ta ndjekin të gjithë, breza të tërë janë rritur me rolet dhe humorin e tij.
Është kjo një lloj patente për bukurinë dhe humorin e anekdotës. Sepse, figura të tilla në Shkodër, mes tyre edhe Tano, kanë qenë dhe mbesin sinonim i humorit të çiltër, i mjeshtërisë edhe në tregimin e një anekdote a barcelete.
Aq e vërtetë është kjo, sa njëherë kompozitori i madh Prenk Jakova, Nder i Kombit, e takoi Tanon në rrugë, e ndali dhe i tha: -Tano. Mbrëmë më kanë treguar një anekdotë. Po ta tregoj unë ty e pastaj ma trego ti mua që të qeshi. Këto fjalë të Prenkës kanë një domethënie të madhe. Jo gjithkush di të bëjë humor. Duhet talent, mjeshtëri… Dhe këta i kishte Tano Banushi.
Të lindësh mes humorit
Në një shtëpi të gëzueshme e plot humor, ku pothuajse të gjithë ishin artistë në mënyrën e tyre dhe në aftësitë për të krijuar dhe për të thithur vlerat më të mira të artit, të këngës e humorit të asaj kohe, më 4 shkurt 1927, lindi Athanas Banushi, njeriu që do të bëhej aktori më në zë i humorit shqiptar, mjeshtër i vërtetë i interpretimit në gjininë e estradës.
Tregojnë se atë ditë që ka lindur Tano Banushi, edhe pse dimri ka qenë në kulmin e ashpërsisë së vet, natyra ka qenë e qeshur, qielli i kthjelltë dhe dielli i shndritshëm, sikur të paralajmërohej se doli në jetë ai që do t’u jepte njerëzve më shumë gaz e hare, që do t’ua bënte më të bukur jetën.
Lluko Banushi ishte bërë me djalë dhe kjo ishte një ngjarje tepër e këndshme dhe ngazëlluese për të dhe të shoqen e tij, Marien. Gjithmonë Llukoja thoshte: “Kam dëshirë që fëmija i parë të jetë djalë, pastaj le të lindin një duzinë vajzash, nuk prish punë, por ama të filloj me djalë”.
Për të mëtuar diçka më përplotësuese për këtë figurë të humorit dhe jo vetëm po huazojmë diçka nga Isa Alibali, një mik dhe koleg i tanos
Kur nisi humorin…
Rrugët e Shkodrës mbanin ende erën e barutit, kur dolën edhe afishet e para teatrale e koncertale. Më 18 janar 1945, pak ditë pas çlirimit, u krijua Shtëpia e Artit dhe e Kulturës, të cilën e formuan ajka e inteligjencës shkodrane. Më 18 shkurt u shfaq drama e M.Gorkit, “Bujtina e të vorfënve”, përgatitur nga intelektualët e njohur Filip Ndocaj e Qemal Draçini.
Në qershor të vitit 1945, në përfundim të vitit shkollor, kur sapo Tano Banushi kishte mbaruar klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit, u zhvilluan disa veprimtari kulturore e artistike. Në këtë dramë Tano Banushi interpretoi rolin e Gjinit, shërbëtorit simpatik të një familjeje shkodrane. Shfaqja u dha në sallonin e shoqërisë “Vllaznia” afër “Dugajve të Reja”.
Po në këtë shfaqje u dhanë edhe paroditë “Klasa e shtatë” dhe “Jak, o Jak”, ku Tanoja u prezantua si humorist. Në vitin 1946, nga grupi i teatrit pranë Shtëpisë së Artit e të Kulturës u shfaq drama “Armiku i Popullit” e Ibsenit.
Tano Banushi interpretoi me sukses rolin e një të dehuri. Pastaj u përgatit komedia “Pashuku”, ku interpretoi rolin e shërbëtorit gazmor, që e bëri atë një aktor që shpresonte shumë për të ardhmen. Kështu filloi për Tanon rruga e artit skenik.
Takimi me Migjenin
Ishte ditë vere, kur Maria (e ëma) e mori Tanon për të bërë një fotografi te Marubi (ishte nëntë vjeç e gjysmë). Përpara Kafes së Madhe pa Migjenin, që po pinte kafe me një shok të vetin. Nuk e pati të vështirë të dallonte Teofik Gjylin, me të cilin Migjeni rrinte gjithnjë aty, gjithmonë në të njëjtën tavolinë për të pirë kafen e ditës. Për një çast nguroi, por duke pas parasysh dëshirën e Tanos për ta takuar, i tha:
– Tano, shih, ai atje është Milloshi… Migjeni yt, – shtoi pas pak. Tanoja u shtang. U shkëput nga dora e së ëmës dhe u ndal përballë tij, në trotuarin përpara Kafes së Madhe. Milloshi e vuri re këtë veprim, njohu Marijen, shoqen e dikurshme të shkollës dhe u ngrit nga tavolina. Sytë e Tanos morën një shkëlqim të veçantë. M
illosh Gjergj Nikolla u përkul përpara vogëlushit, bëri sikur i lëmoi flokët, pa ia prekur në të vërtetë. Duke e ditur sëmundjen që kishte, ai nuk prekte të tjerët as me dorë, aq më pak fëmijët. Tundi pak kokën drejt Marijes dhe i foli me përzemërsi: – Qenka shumë i kandshëm ky djali yt, Marije, si quhet?, – i tha duke buzëqeshur.
– Athanas, por e thërrasim Tano. Kishte dëshirë të madhe të të takonte, sepse ka lexuar disa nga shkrimet tuaja.
– Ooo, po më kënaq, – dhe iu drejtua Tanos: – Në ç’klasë je?
– Hyj në klasën e tretë, – i tha shpejt e shpejt Tanoja i vogël.
– Shumë mirë, Athanas, jam i bindun se mëson mirë, apo jo?
– Po, vetëm 1-sha kam marrë.
Ky ishte një episod i paharruar për atë që do të bëhej logo e humorit shkodran, Tano Banushi, “Artistit të Popullit” dhe “Mjeshtrit i Madh”
Batutat më të famshme të Tano Banushit
Është e njohur thënia se njeriu do të çmendej po të mos ekzistonte e qeshura, me të gjitha rrjedhojat e këndshme që vinë prej saj. Por më të njohura se kaq janë batutat dhe anekdotat e Tano Banushit,
Anekdotat e Tano Banushit
Berberi po rruante një klient shumë të dobët. I fut në gojë një top ping-pongu, për t’i fryrë faqen. Kur i rruan njërën anë, i thotë: – Kaloje në anën tjetër.
Ky, duke e kaluar, e kapërdin. Shqetësohet.
– Mos u bëj merak, nuk të mbyt, – i thotë berberi – se edhe njeri e ka kapërdirë dje dhe ma ka sjellë sot në mëngjes!
Banditi: – O paret, o shpirtin.
Burri: – Grua, çohu shpirt, se të kërkojnë.
Te mjeku shkon për vizitë një grua.
– Hyr e zhvishu.
Pas pak mjeku pyet:
– He, a u zhveshe?
– Unë po, po ti…? – thotë gruaja.
– Pse i more erë peshkut, ai është i freskët!
– E pyeta: – “Ç’të reja kemi nga deti?”.
– E ç’të tha?
– Nuk di gjë se kam dhjetë ditë që kam dalë nga uji e…
Një shitës kishte vënë në banak, anës peshores, dy pasqyra:
– Pse i ke vënë, Selim?!
– Që gratë mos të shikojnë peshoren, por të habiten në pasqyrë…
Për tre papagalët:
– Sa kushtojnë?
I pari 500 lekë, sepse di një gjuhë të huaj
– Po ky i dyti?
– 700 lekë sepse di dy gjuhë të huaja.
– Po ky i treti?
– I treti kushton 1000 lekë por s’di asnjë gjuhë.
– Po pse kaq shtrenjtë ky?
– Sepse është përgjegjësi i dy të tjerëve.
Mjekut të fëmijëve:
– Ah, more doktor, si s’ke shkollë më shumë të shërosh edhe të mëdhenjtë?!
Dy shokë të dehur. I pari e merr me zor për në shtëpi shokun e vet.
– Kjo është rrugica ime, kjo…është dera e shtëpisë…kjo është shtëpia…(hyjnë në shtëpi ) kjo është dhoma e gjumit (e hap dhe sheh në shtrat të shoqen me një tjetër) kjo këtu është gruaja ime…kurse ky burri këtu, jam unë…
– Si shkon me gruan?
– E dua shumë dhe ajo më do shumë. Llogarite, po të hidhen gratë në lotari, mua do të më binte gjithmonë gruaja ime!…
Një i dehur i bie ziles:
– Kush është? – pyet e zonja e shtëpisë.
– A ju mungon kush, a?
– Më mungon burri.
– Hape, se unë qenkam…
Jetëshkrim i shkurtër
Tano Banushi lindi 4 Shkurt 1927 – 1993) është një Artist i Popullit. Tano Banushi ka interpretuar mbi 1000 role në jetën e tij të gjatë skenike. Leo, Pashuku, Fotografi, Dulla, .. do të duhet një kohë e gjatë për t’u përmenduar mbi 1000 rolet e tij në skenë, mbi 1000 fytyrat e papërsëritshme të interpretuara prej tij në rreth 45 vjet jetë në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku nisi jetën e tij artistike.
Fillimet.. “Në dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit në 1945, në mes shumë roleve, tërhoqi vëmendjen edhe figura e të dehurit, e cila bashkë me personazhin ibsenian, prezantoi aktorin komik Tano Banushi”, do të thoshte për të në një shkrim portret kritiku Miho Gjini. Për të vijuar më pas në komedinë “Pashuku” të F. Ndocajt 1946, në rolin e një shërbetori komik.
Elegant, i shkathët, me një humor befasues, me ngjyra shkodrane e i gërshetuar me traditën, improvizues dhe ekspresiv, do të shfaqet Tano si prezantues i shfaqjeve të grupit amator te klubit të punëtorëve “Vasil Shanto”. …dhe me pas..
Në rolin e marinarit në “Një tragjedi optimiste” të Vishnjevskit; në rolin e kapterit në komedinë “Prefekti” të B.Levonjes; në rolin e Llomovit te “Fejesa” e Çehovit; në rolin e Mazllumit te komedia “Hej moj babë” të J.Vojushit; në rolin e Leos te komedia “Këshilli i ndrikullave”, të Sh.Mitës, në vazhdim të plotësimit tëportretit.
Në vitin 1958 krijohet estrada profesioniste e qytetit të Shkodrës. Tano Banushi, aktor komik interpreton me qindra role nga të ndryshmet si brigadier, nëpunës, shef, bojaxhi, fotograf etj, të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të paharuara në mendjet e artdashësve të humorit.
Tano Banushi është një figure komplekse. Realist. Brenda nje shfaqjeje e shihje në role të ndryshme. Te secili rol gjente veshjen e veçantë artistike. Tanoja ishte një aktor shumëplanesh. Brilant.
Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, paradine, vodevilin, intermexon, etj. Ishte mjeshtër për të përjetuar brenda një materiali letrar gjithë dridhjet e shpirtit të një personazhi. E personazhi që krijonte Tanoja nuk ishte as klloun, as palaço, por kishte humor të brendshëm, therës, kishte dramë.
Nje kujtim nga aktori, Artisti i Merituar, Bep Shiroka, Tanoja ishte aktori zëmadh i humorit shkodran dhe atij shqiptar. Vazhdues i denjë i humoristëve shkodran Kolë Tivari, Osos se Falltores, Hilë Gegës etj.
Ai shkelqeu në të gjitha zhanret e humorit. Aktor melodioz, i binte kitarës. I vëmendshëm ndaj çdo roli per ta luajtur sa më mire. Vdiq në vitin 1993./Shkodra.news
(Materiale të huazuara nga libri monografik i Isa Alibalit, “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, një punë 15-vjeçare që jetëson një talent dhe kërkon një mirënjohje )
ObserverKult
Lexo edhe: