Në Festivalin Ndërkombëtar “Netët Korçare të Poezisë”, që u mbajt në qytetin e Korçës, në mesin e 28 poetëve që konkurruan me poezi, ishte edhe poetja Tanya Ko Hong, poezia e së cilës u vlerësua me çmimin “Dritëro Agolli”.
Juria profesionale, e përbërë nga poetja Mimoza Ahmeti, poeti Skënder Rusi dhe shkrimtari Primo Shllaku, e vlerësuan lart poezinë “A besoni ende në pranverë” për poetikën kuptimplote dhe plot figuracion, të gërshetuar me elementet e letërsisë bashkëkohore.
Poete dhe përkthyese, Tanya Ko Hong është e lindur dhe e rritur në Suk Su Dong, Koreja e Jugut. Ajo emigroi në SHBA në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare dhe vazhdoi të studionte gjuhën angleze. Ko Hong punoi shumë për ta zotëruar atë, jo vetëm për përdorim funksional, por për shprehje artistike.
Është autore e pesë librave: “Still War inside” (KYSO Flash Press, 2019), “Mother to Myself: A Collection of Poems in Korean” (Prunsasang Press, 2015), Yellow Flowers on a Rainy Day (Oma Books, 2003), Mother Generation Diary (Qumran, 2002) dhe Generation One Five Point (Esprit 1993).
Në vazhdim mund të lexoni poezinë fituese të festivalit.
A besoni ende në pranverë?
Një zog i vetmuar troket në një dritare kuzhine
A ka ende një botë?
Shkolla e braktisur, shesh lojrash, shkëlqyes buzësh me zhabinë pahapur,
patate të skuqura të ftohta, e ardhme e pasigurt
Shpresa si lëng limoni i kalbur
Një sirenë e ambulancës këndon kuq e bardh, fluturon
Në trotuare sonte dikush vdes vetëm
Një copë zambaku,
lulet lëshojnë aromë
Agim i verdhë, çaj jeshil, salmon rozë
Edhe pse disa mendojnë se është i vdekur,
fara e tij mund të mbijë për mijëra vjet
Më vonë zambaku lulëzon në baltën më të thellë
Unë lutem që kjo poezi të gjejë vend në errësirën tuaj,
Duart që arrijnë përmes dritës fantazmë
Në hapësirën e mbetur të kësaj kartoline
Unë shkruaj, ende besoj në dashuri…
Përktheu: Xhorxhina Haxhillari
ObserverKult
Lexo edhe:
KORÇA SËRISH NIKOQIRE E POETËVE NGA VENDE TË NDRYSHME TË BOTËS