Një pasion i furishëm dhe i fortë, një dashuri e madhe – nuk ka asnjë mënyrë tjetër, për të përshkruar emocionin dhe dinamikën e lidhjes mes Elizabeth Taylor dhe Richard Burton.
Elizabeth Taylor (Liz Taylor) lindi në Angli, më 27 shkurt 1932. Suksesin e parë e shënoi në moshën 11-vjeçare. Ndodhi me filmin “Lesi”, por në kinema kishte debutuar një vit më parë.
Më pas, kaloi nga një sukses në tjetër me interpretime të paharrueshme. Kujtoni “Gra të vogla”. “Babai i nuses”. “Babai bëhet gjysh“(1950 e 1951). “Një vend në diell” (1951).
Periudha e saj e artë është në vitet ’50-të dhe fillimi i viteve ‘60-të. Janë filma që kanë bërë histori në kinema “Gjiganti” (1955). “Pema e jetës” (1957). “Macja në çatinë që lëviz” (1958). “Kleopatra (1963) etj.
Atëhetë nisi dhe historia e dashurisë me Richard Burton. U martua dy herë me te: në vitin 1964 dhe u divorcua në 1974. Gati një vit më vonë, u martuan sërish, për t’u ndarë më vonë, në vitin 1976.
Bukuria e Liz Taylor, me sytë ngjyrë ‘violë’, do të ishte e pakohë dhe gjithmonë do të arrinte të tërhiqte vëmendjen e njerëzve. Pra edhe vëmendjen e aktorit tërheqës të Uellsit, i pashkolluar, por padyshim, një nga aktorët më të mëdhenj të shekullit të XX.
Pavarësisht se do t’ju kujtojmë një histori dashurie që nuk pati fund të lumtur, kjo romancë mbetet ajo që ndoshta do ta ëndërronte çdokush. Tronditëse dhe joshëse.
Takimi i tyre i parë, ndodhi në setin e filmit “Kleopatra”, viti 1961. Marrëdhënia e tyre ishte e fshehtë, pasi të dy ishin të martuar. Burton ishte krejtësisht i marrosur pas aktores magjepsëse.
Puthja e tyre e parë ndodhi teksa po realizohej një skenë për filmin. Sipas atyre që thuhen, kjo puthje ka zgjatur aq shumë, sa regjisori ka qenë i detyruar të bërtiste disa herë që të ndaleshin.
Ishte një romancë që nuk mund të shmangej. Miqt nuk mundën t’i ndalin. As reagimet e medieve.
“E dija se çfarë po bëja. Duke dashur Richardin po gaboja, por nuk mund të bëja asgjë. Ishte një fakt që nuk mund ta shmangia dot.”- Elizabeth Taylor
Çifti u martua në mars të vitit 1964, në hotelin “Ritz Carlton”, Montreal. Ceremonia ishte tepër e thjeshtë.
Kjo romancë e stuhishme vazhdoi për dhjetë vjet, me shumë zënka të mëdha publike, por edhe me pajtimet që i pasonin. I apasionuari Richard, i dhuronte stoli ekstravagante. Për shembull: një unazë diamanti, 70 karatëshe, me formën e përkryer të dardhës. Më pas, kjo unazë mori emrin “Diamanti Taylor-Burton”.
Gjatë viteve të martesës, Richard shkroi 40 letra dashurie për Elizabeth, madje thuhet se letrat, zakonisht i shkruantë teksa ajo flinte.
Adhurimi i tij dhe gjuha poetike, janë mëse të qarta në letrat e shkruara:
“Sytë e mi të verbër, presin dëshpërimisht të tutë. Ju nuk e kuptoni, sigurisht, sa përsosmërisht e bukur keni qenë gjithnjë dhe sa çuditshëm keni fituar një dashuri të madhe, të veçantë dhe njëkohësisht të rrezikshme.”
Por, pavarësisht sesa romantikë qenë ata të dy karshi njëri-tjetrit, argumentet e vazhdueshme dhe temperamentet shpërthyese bënë që në korrik të 1973 të njoftonin vendimin e tyre të përbashkët për t’u ndarë.
Elizabeth u citua të thoshte: “Ndoshta e dashuronim shumë njëri-tjetrin. Nuk e besoja kurrë që diçka e tillë do ndodhte, lutuni për ne!”
Shkurorëzimi i tyre u finalizua në tetor të vitit 1974, por pavarësisht kësaj, zjarri i të së kaluarës nuk ishte shuar. Ato patën një ribashkim gjatë një darke në Zvicër, nga ku më pas dhe u rimartuan në tetor të 1975, në Botsvana. Kjo martesë e dytë do të zgjaste vetëm 10 muaj.
“E dua Richardin, me çdo qelizë të shpirtit tim, por nuk mund të jemi bashkë. Ne jemi shumë posesivë ndaj njëri-tjetrit.”
Elizabeta dhe Richard, nuk u rimartuan më, por e ruajtën dashurinë, gjë që ishte mëse e dukshme sa herë që përmendnin emrin e njëri-tjetrit.
Richard vdiq tragjikisht në vitin 1984.
“I vëmendshëm, i dashur – ky ishte Richard. Lidhja me të, vazhdoi derisa ai dha frymën e fundit. Në zemrën time, gjithmonë do të besoj se do të ishim martuar për herë të tretë dhe se kjo, do të ishte e fundit. Nga moment e para në Romë, ne do të ishim gjithmonë, çmendurisht të dashuruar.” – Elizabeth Taylor
“Unë u dashurova me të, menjëherë. Ajo ishte si një mirazh i bukurisë së të gjitha kohrave, e papërmbajtshme, si tërheqja gravitacionale. Ajo ka gjithçka që unë dua tek një grua.” – ka thënë Richard Burton
Pasioni i dukshëm i këtij çifti emocional ende ngjall habinë e kureshtjen e atyrë që e lexojnë historinë e tyre pas 30 vitesh. Për ironi, ishte pikërisht pasioni dhe nevoja e tmerrshme që kishin për njëri-tjetrin, që nuk do t’i lejonte të qëndronin së bashku…
Në fund të fundit, e tyrja ishte thjesht, një dashuri shumë e fortë. Por, pavarësisht se nuk mbaron me “jetuan të lumtur përgjithmonë”, mbetet ndër romancat më të zjarrta dhe historitë më të bukura të dashurisë, në Hollivud./konica
ObserverKult
Lexo edhe: